Gashi dënohet për vrasje, bie akuza e organizatës
Bujar Gashi, i akuzuar si anëtar i Bandës së Durrësit, u dënua me 19 vjet burg për vrasjen e Dritan Dishës. Gjykata rrëzon akuzat e pjesëmarrjes në organizatë kriminale
Tiranë Gjykata për Krime të Rënda ka rrëzuar dy nga akuzat që prokuroria kishte ngritur ndaj Bujar Gashit, i akuzuar si pjesë e bandës së Durrësit. Gjykata ka shpallur fajtor Gashin, duke e dënuar atë me 19 vjet heqje lirie vetëm për akuzën e vrasjes së Dritan Dishës. Sipas vendimit të gjykatës, i marrë nga një trup gjykues i ndryshëm nga ai që gjykon “Bandën e Durrësit”, Gashit i është pushuar akuza për pjesëmarrje në organizatë kriminale apo kryerje të krimeve në kuadër të organizatës. “Deklarimin të pafajshëm të të pandehurit Bujar Gashi për veprën penale të “Pjesëmarrjes në organizatë kriminale” dhe deklarimin e pafajshëm për veprën penalë të “kryerjes së krimeve nga organizata kriminale”, pasi nuk provohet se i pandehuri ka kryer këto krime”- thuhet në vendimin e gjykatës. Gjithashtu, Gashi është shpallur i pafajshëm edhe për akuzën e mbajtjes pa leje të armëve luftarake, duke u shpallur fajtor vetëm për vrasjen me dashje të Dritan Dishës. Për këtë akuzë gjykata e ka dënuar Bujar Gashim përfundimisht me 19 vjet burg, edhe pse prokuroria kërkoi dënimin e tij me burgim të përjetshëm. Pas shqyrtimit të provave të paraqitura nga akuza dhe pretendimeve të mbrojtjes, gjykata arriti në përfundimin se nuk provohen dy akuzat e rënda që e bëjnë të pandehurin Bujar Gashi pjesë të “Bandës së Durrësit”. I pandehuri është arrestuar më 27 maj të vitit 2009, kohë kjo kur 16 të pandehurit e tjerë të bandës ndodheshin në proces gjyqësor. Për këtë arsye, prokuroria kërkoi veçimin e çështjes dhe gjykimin veçmas të të pandehurit Bujar Gashi, i cili ditën e djeshme u shpall fajtor vetëm për akuzën e vrasjes me dashje. Ky vendim pritet të përdoret si precedent nga avokatët e 16 të pandehurve të tjerë, të cilët akuzohen nga prokuroria për krijim dhe pjesëmarrje në organizatë kriminale dhe kryerjen e krimeve në kuadër të kësaj organizate. Procesi gjyqësor ndaj 16 të pandehurve të tjerë është në fazën e shprehjes së konkluzioneve përfundimtare nga avokatët mbrojtës, pas dhënies së pretencës nga prokurori. L.Bakillari