Ankandi i parë i vitit 2009, BSH-ja hedh në shitje 9.8 miliardë lekë bono thesari
Banka e Shqipërisë, në bashkëpunim me Ministrinë e Financave, ka përfunduar ankandin e parë për këtë vit për shitjen e bonove të thesarit. Sipas Departamentit të Operacioneve Monetare pranë kësaj banke, në ankand janë shitur bono me maturim 6 dhe 12-mujor, që do të përdoren për bankat e nivelit të dytë dhe për Bankën e Shqipërisë. Vlera totale e shitur në ankand është 9.8 miliardë lekë. Për bonot me maturim 12-mujor u paraqitën 41 kërkesa konkurruese, prej të cilave u pranuan 28. U kërkuan për shitje bono me vlerë 10.121.610.000 lekë dhe u shitën bono me vlerë 6.400.000.000 lekë. Yield-i maksimal i pranuar është 8.10 për qind, yield-i minimal i pranuar është 7.88 për qind, yield-i mesatar i thjeshtë është 8.02 për qind dhe ai mesatar i ponderuar është 8.04 për qind.
Këto bono maturohen më datën 29.01.2010. Për bonot me maturim 6-mujor, vlera e kërkuar dhe ajo e shitur është 3.400.000.000 lekë. Ndërkohë që u pranuan të 12 kërkesat konkurruese të paraqitura. Yield-i maksimal i pranuar është 7.35 për qind, yield-i minimal është 6.94 për qind, ai mesatar i thjeshtë është 7.23 për qind dhe ai mesatar i ponderuar është 7.51 për qind. Këto bono do të maturohen në datën 20.06.2009.
21 Janar 2009