Thoma Melo emërohet me urdhër të kryeministrit Berisha
Drejtuesi i ri i Inspektoratit Shtetëror të Punës (ISHP) është emëruar në këtë post përmes një urdhri të firmosur nga kryeministri Sali Berisha, pesë ditë më parë. Ky fakt është bërë i ditur dje nga ministri i Punës, Anastas Duro, gjatë prezantimit të kryeinspektorit të ri të ISHP-së, Thoma Melo. Ministri Duro ka vlerësuar përgatitjen profesionale të kryeinspektorit të ri. Ndërsa deklaratat e ish-kryeinspektorit të shkarkuar, Thoma Miço, të bëra prezente në media, Duro i konsideroi spekulative. Sipas kreut të Ministrisë së Punës, deklaratat e tij mediatike kanë synuar fshehjen e arsyeve të vërteta të shkarkimit të tij nga posti i drejtuesit të ISHP-së. Thoma Melo ka lindur në Tiranë më 10 qershor 1967. Ai ka përfunduar Inxhinierinë Elektrike në Universitetin e Tiranës më 1990 dhe një vit më parë u diplomua si ekonomist financier në Fakultetin e Ekonomisë në Universitetin e Elbasanit. Gjatë viteve 1998-2006, Melo ka punuar si koordinator projektesh në Ministrinë e Shëndetësisë dhe në fillim të 2008-s ka drejtuar Zyrën Rajonale të Punës në Tiranë.
21 Janar 2009