E Diel, 1 Nëntor 2026

Bizneseve shqiptare, 30 milionë euro kredi nga qeveria italiane



Ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme në vendin tonë do t’u injektohen rreth 30 milionë euro kredi, ku financuese është qeveria italiane. Për ministrin e Ekonomisë, Genc Ruli, ky projekt lehtëson aksesin e biznesit shqiptar pranë bankave tregtare. “2,5 milionë euro do të shkojnë për garanci pranë 5 bankave tregtare të përzgjedhura për shpërndarjen e kredive. Fuqizimi i aftësive kredituese të sistemit bankar bëhet në kuadër dhe të krizës financiare botërore”, - deklaroi ministri Ruli. Mëse 95 për qind e bizneseve që operojnë në vend kategorizohen si ndërmarrje të vogla dhe të mesme. Në kushtet e një krize globale financiare, një projekt i tillë merr rëndësi akoma edhe më të madhe. Sipas ministrit të Financave, Ridvan Bode, “programi përbën një instrument tepër të përshtatshëm për të mbajtur të lartë nivelin e kreditimit ndaj ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, të cilat kanë nevojë në këtë periudhë që të mbështeten në mënyrë më aktive jo vetëm me linja krediti, por mbi të gjitha linja të buta krediti”. Kreditimi i biznesit shqiptar nga sistemi bankar ka njohur rritje domethënëse vitet e fundit. Për ambasadorin italian në vendin tonë, Saba D’Elia, ky projekt tregon nivelin shumë të mirë të bashkëpunimit mes dy vendeve. “Prej kohësh, Italia përbën partnerin kryesor tregtar të Shqipërisë. Vetëm për 2008-n ajo zuri rreth 35 për qind të volumit të tregtisë me jashtë”, -theksoi ambasadori italian. Ky projekt do të mbështesë rritjen ekonomike të Shqipërisë për sigurimin e kreditimit. Fondi do të shpërndahet nga 5 banka tregtare në vend. Ky projekt u mundëson kompanive shqiptare kredi nga 50 mijë në 500 mijë euro. Fondet do të lokalizohen sidomos për zonat më pak të zhvilluara të vendit, në sektorë që ndihmojnë në hapjen e vendeve të reja të punës, në agrikulturë apo prodhimin e energjisë së pastër.

21 Janar 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›