E Shtunë, 31 Tetor 2026

Refugjatët e hirit vullkanik

është ndjesi bezdisëse të jesh e bllokuar. Qoftë edhe në Nju Jork, kryeqytetin e botës. Aeroporti më i madh i tij,
“John Fitzgerald Kennedy” nuk kishte vërtet vend për mijëra pasagjerë, udhëtimet e të cilëve drejt Europës u vonuan deri në një javë për shkak të tymit që u ngrit nga vullkani në një zonë të humbur të Islandës. I kthyer thuajse në një “tendopol”, aeroporti u bë që prej të enjtes së kaluar strehë e pasagjerëve të lodhur, të mërzitur e të revoltuar për shkak të bllokimit më të madh të fluturimeve që prej kohës së sulmeve të 11 shtatorit në SHBA.
Të rinj që flinin me ditë të tëra përtokë, fëmijë që qanin nga lodhja dhe padurimi, prindër që grindeshin për një vend në avionin më të parë të mundshëm, i cili nuk u nis deri të hënën pasdite. Duhej shumë fat për të gjetur një dhomë të lirë në hotelet me çmime stratosferike në afërsi të aeroportit, ndërsa pak nga pak po mbusheshin edhe hotelet e tjera të qytetit të Nju Jorkut. “As kjo nuk ishte një zgjidhje”, - më thotë Edri, i cili nga Kansas City ishte nisur të shtunën për një ndalesë të shkurtër në Nju Jork e më pas në Romë, derisa të mbërrinte në vendlindjen e tij, Tiranë. “Kam harxhuar rreth 600 dollarë nëpër hotele e taksi në këto katër ditë vonesë…askush nuk më ka kompensuar asgjë. As nuk pranonin të merrja fluturimet e ditës së hënë dhe të martë, për shkak se radha ishte tepër e gjatë”, - tregon ai.
Kam të njëjtin fluturim me djalin nga Shqipëria, irritimi i të cilit pas katër ditësh, është thuajse i shuar nga lodhja e madhe. Nervozizmi është larguar edhe nga fytyrat e pasagjerëve të tjerë që presin fluturimin e parë drejt Tiranës, Londrës, Vjenës, Budapestit, Beogradit apo Podgoricës. Të gjithë mendojnë kur do të mbërrijnë më në fund në shtëpitë e tyre. E në këtë siklet të madh, as nuk mendon më të kritikosh kompaninë që ke zgjedhur për të fluturuar si të papërgjegjshme. Janë të gjitha njësoj të pafuqishme për të zgjidhur hallet e mijëra pasagjerëve të dërrmuar nga pritja e gjatë. Gati-gati të justifikuara nga ajo shprehja me shkronja të vogla në përshkrimin e sigurimit të udhëtimit, të cilës në kohë të mira nuk i kushtojmë aspak vëmendje: “…nuk mbajmë përgjegjësi në situata të jashtëzakonshme që krijohen nga forcat e Zotit…”
Për interesa krejt të tjera nga ato të pasagjerëve, të gjitha kompanitë kërkonin me ngulm të nisnin avionët e tyre nga pistat, edhe pse reja e tymit vullkanik po mbulonte pak nga pak gjithë Europën dhe studiuesit këmbëngulnin në rrezikun e lartë të saj.
Ato iu kundërvunë edhe vendimit të Bashkimit Europian mbështetur në raportet e rregullatorëve të trafikut ajror për të mbyllur aeroportet kryesore të Europës deri në normalizimin e situatës dhe largimin e rrezikut. “Në raste të tilla ka vetëm një mundësi për të garantuar sigurinë: të mos rrezikosh aspak”, - u tha gazetarëve Siim Kallas, komisioneri i Bashkimit Europian për Transportin.
Mund të duket e pabesueshme, por Europa ka humbur diçka edhe në pozicionin e saj diplomatik në botë për shkak të “krizës ajrore” që anuloi shumë konferenca, forume e takime ndërkombëtare ku do të merrnin pjesë zyrtarë të lartë të institucioneve europiane. Jo vetëm kaq, por bizneset në Europë humbën në këto katër ditë bllokim fluturimesh, ndërsa drejtuesit apo punonjësit e tyre “zbuluan” videokonferencat si një mjet ndihmës për të mos lënë në mes punën.
Dyshimet për menaxhimin e situatës do të qarkullojnë për një kohë të gjatë në Europën e dobësuar nga kriza e fundit financiare dhe të goditur tashmë edhe nga bllokimi i fluturimeve për ditë me radhë. Humbjet llogariten në rreth 200 milionë euro në ditë dhe në një javë shuma bëhet marramendëse. Por, sidoqoftë më e rëndësishme se fletët e bilancit negativ nga bllokimi për disa ditë i aeroporteve është jeta e atyre pasagjerëve të rraskapitur, që në fund të katër ditëve të pritjes nuk ankohen më për mungesën e dushit, të rrobave apo kujdesit minimal. Të bashkuar në shqetësim, ata kanë një solidaritet të çuditshëm me njëri-tjetrin: shkëmbejnë mbulesa dhe pinë kafe së bashku, përpiqen të bëjnë shaka të vockla në një kohë lodhjeje të madhe. Në fund të pritjes ndodh që edhe të buzëqeshin, ndërsa shohin se më në fund avioni i tyre është gati të niset. “Refugjatët” e tymit vullkanik janë njerëz të lodhur që pak nga pak po lënë aeroportet amerikane drejt Europës dhe ato europiane drejt Amerikës. Njerëz si unë, si gruaja e moshuar që kam afër, si djaloshi shqiptar i nisur nga Kansas City, që nis të fotografojë me qetësi peizazhet kur avioni i afrohet Tiranës, a thua se e ka harruar plotësisht odisenë e lodhshme të këtij udhëtimi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›