Ankesa, 100 gardianë nuk kanë marrë pagesën për orën shtesë
Rreth 100 policë të Burgut të Rrogozhinës janë ankuar te Avokati i Popullit pasi, sipas tyre, kanë mëse një vit e gjysmë që nuk po u paguhen orët shtesë, dietat dhe shërbimi i kryer gjatë natës në qeli. Burimet pohuan se policët e këtij burgu kanë kontaktuar me një nga komisionerët e Avokatit të Popullit duke pohuar edhe pretendimet e tyre. Avokati i Popullit thotë zyrtarisht se menjëherë pas kësaj ankese kanë nisur verifikimet ku do të ketë edhe një rekomandim për ministrin e Drejtësisë dhe Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve. Duke nisur nga ankesat e policëve të Rrogozhinës, Avokati i Popullit do të anketojë edhe punonjës të Policisë së Burgjeve në të gjitha rrethet për të mësuar nëse bëhet fjalë për të njëjtin precedent. Ndërkohë, mospagimi i orëve shtesë është ngritur si problem edhe nga Policia e Shtetit, ku sipas përllogaritjeve të Sindikatës së Policisë, çdo polic, përgjatë 2009-s, ka kryer 380 orë jashtë orarit zyrtar, apo thënë ndryshe, çdo polici i takon t'i paguhet për këto shërbime rreth katër deri në pesë paga mujore. Një punonjës i Policisë së Shtetit kryen shërbim jashtë orarit në situatë të ngarkuar, sikurse ruajtja e ambienteve gjatë ndeshjeve të futbollit apo shërbimi i përforcuar gjatë zgjedhjeve të 28 qershorit, si dhe aktivitete mes të cilave edhe sigurimi i rendit gjatë protestave.
14 Prill 2010