E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përgjigjet “top-sekret” të Pyetësorit nisen drejt Brukselit



Eljona Ballhysa
Kryeministri Berisha, gjatë mbledhjes së djeshme të qeverisë, bëri të ditur nisjen e përgjigjeve të Pyetësorit të BE-së drejt Brukselit, duke e finalizuar këtë proces të rëndësishëm për vendin. Por, megjithëse ky cilësohet edhe nga vetë kreu i qeverisë si një proces mjaft i rëndësishëm për vendin, qytetarët e këtij vendi, përfaqësuesit e shoqërisë civile, apo edhe përfaqësuesit e opozitës nuk kanë asnjë dijeni rreth përmbajtjes së përgjigjeve të Pyetësorit që qeveria ka nisur drejt Brukselit. Qeveria i ka mbajtur sekret përgjigjet dhe i gjithë procesi i hartimit është realizuar në fshehtësi të plotë. Madje deputetë të opozitës kanë bërë të ditur se nuk kanë marrë asnjë draft nga qeveria për t’u njohur me përgjigjet. Ndërkohë që shtete të tjera, si Mali i Zi, pyetjet dhe përgjigjet e Pyetësorit i kanë publikuar në një faqe interneti online, ku edhe qytetarët e thjeshtë mund të jepnin opinionin e tyre rreth çështjeve të caktuara. Ndërsa burime konfidenciale kanë bërë të ditur se administrata i ka kopjuar përgjigjet e Pyetësorit nga Maqedonia. Madje, sipas tyre, në tekst gjen gafa të tilla si fjalë që i përkasin jetës sociale në Maqedoni dhe që kanë mbetur pa përkthyer apo pa ndryshuar nga shpejtësia. Shtete të tjera që e kanë kaluar këtë stad zhvillimi para Shqipërisë, çdo kapitull të Pyetësorit para miratimit e kanë shtruar për diskutim me shoqërinë civile dhe grupet e ndryshme të interesit, gjë që nuk ka ndodhur në Shqipëri. Madje teksti nuk është shtruar për diskutim as në Parlament, duke anashkaluar institucionin më të lartë shtetëror, që është ligjvënësi.
Megjithatë, sot, përgjigjet e Pyetësorit që nuk njihen nga shqiptarët do të jenë në dorën e kryekomisionerit Stefan Fyle.
Dorëzimi
Do të jetë kryeministri Berisha ai që do t’i dorëzojë volumin me përgjigjet e Pyetësorit për Shqipërinë, komisionerit për Zgjerim, zotit Stefan Fyle, me të cilin do të zhvillojë edhe një takim, e më pas një konferencë për shtyp. Gjithashtu, kryeministri Berisha, në ditën e parë të vizitës në Bruksel, do të jetë relator në Konferencën “Shqipëria drejt Bashkimit Europian, një rrugë mbi meritën”, organizuar posaçërisht për kryeministrin e Shqipërisë nga fondacioni “Robert Schuman”, në të cilën do të marrë pjesë edhe zoti Joseph Daul, President i Grupit Parlamentar të Partive Popullore Europiane dhe mjaft përfaqësues të Parlamentit Europian. Në ditën e dytë të qëndrimit në Bruksel, kryeministri Berisha do të takohet me Presidentin e Këshillit Europian, zotin Herman van Rompuy, me Presidentin e Komisionit Europian, zotin Jose Manuel Barroso, si dhe do të zhvillojë një takim e më pas një konferencë për shtyp me Presidentin e Parlamentit Europian, zotin Jerzy Buzek.
Thirrja
Gjatë fjalës së mbajtur në mbledhjen e djeshme të qeverisë, Berisha tha se përgjigjet e Pyetësorit përshkruajnë të gjitha përpjekjet e Shqipërisë dhe të shqiptarëve në udhën e tyre drejt BE-së, tërësinë e reformave, ligjeve dhe vendimeve mbi të cilat funksionon sistemi demokratik dhe ekonomia e tregut, pra paraqet thelbin e zhvillimeve 20-vjeçare të Shqipërisë. “Paraqitja e përgjigjeve të Pyetësorit përbën një moment shumë të veçantë dhe të rëndësishëm në marrëdhëniet midis Shqipërisë, Komisionit Europian dhe Bashkimit Europian. Ftoj edhe njëherë opozitën shqiptare të angazhohet me të gjithë potencialin e saj për të dhënë kontributin e vet në procesin e integrimit të vendit, në përputhje me programin që ajo ka paraqitur para anëtarëve të saj, para qytetarëve shqiptarëve”, - tha kreu i qeverisë, ndërsa prezantoi para anëtarëve të qeverisë dhe para mediave materialin përfundimtar të përgjigjeve të Pyetësorit të Komisionit Europian për Shqipërinë. Kryeministri Berisha tha se përgjigjet e paraqitura në 3854 faqe, që u korrespondojnë 2284 pyetjeve, përshkruajnë të gjitha përpjekjet e Shqipërisë dhe shqiptarëve në udhën e tyre drejt Bashkimit Europian dhe paraqesin thelbin e zhvillimeve 20-vjeçare të Shqipërisë. Kryeministri e konsideroi paraqitjen e përgjigjeve të Pyetësorit një moment shumë të veçantë dhe të rëndësishëm në marrëdhëniet midis Shqipërisë, Komisionit Europian dhe Bashkimit Europian.

14 Prill 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›