E Shtunë, 31 Tetor 2026

Masakra e Cërrikut, gardisti rrëfen si i morën trupat e pajetë të kolegëve



Laureta Rryçi

Procesi i masakrës së Cërrikut po zbardh në çdo seancë detaje për ngjarjen. Dëshmitari i radhës, Sokol Puce, me detyrë në atë kohë shofer i Gardës, rrëfeu dje se si i kishte marrë trupat e pajetë të kolegëve për t’i larguar nga vendi i ngjarjes. Po ashtu, për herë të parë dëshmitari identifikoi me emra konkretë autorët e kësaj masakre. Ai u shpreh se ditën e ngjarjes kishte parë Met Bozin, Llazar Bicjen dhe Buhar Buzanin. Më poshtë zbardhet dëshmia e plotë që ai dha në seancën gjyqësore. Dëshmia e djeshme e Sokol Puces
“Në vitin 1996 kam qenë shofer i mjeteve të blinduara në Zall-Herr. Në vitin 1997 kam marrë pjesë në të gjitha rrethet problematike të Shqipërisë, pasi ishim në dispozicion të Policisë së Shtetit. Më 22 mars na kanë njoftuar në Gardën e Republikës dhe na kanë thënë që do të niseni me mision në një rreth për mbledhjen e armatimeve. Në orën 21:00 u nisën katër mjetet e blinduara drejt Elbasanit. Nuk kam qenë drejtues autoblindi, por kam qenë te furgoni i policisë. Në orën 12:00 të natës qemë në Elbasan dhe nuk na thanë as arsyen pse qemë aty. Kemi fjetur te hotel ‘Skampa’. Të nesërmen në mëngjes u mblodhëm te Komisariati i Elbasanit, ku kishte edhe forca të tjera speciale. Sali Martini, Halit Haxhia dhe Besnik Sylën i njoh. Kanë qenë shumë persona që janë nisur drejt Cërrikut. Nga Elbasani drejt Cërrikut janë nisur pesë blinda, 2 IFA dhe një tank i bardhë. Kanë pasur shenja identifikuese dhe blindi im kishte të shkruar ‘Policia’. Te blindi im ishte një armë e imja kallashnikov dhe një pistoletë. Unë isha i fundit deri afër fermës. Më erdhi Sokol Pjetri dhe më tha: ‘Kemi rënë në pritë te kinemaja dhe Pallati i Kulturës. Nuk e di se çfarë po ndodh’. Në qytetin e Cërrikut janë futur 3 blinda të Hysen Doçit, Pjetër Kolprençit dhe Besnik Palit. Ka ardhur Sokol Pjetri dhe më tha çfarë po ndodhte. Kam zbritur në tokë dhe ra një granatë, por nuk e pashë se isha plagosur dhe fillova të ndieja djegie. E pashë se kisha një cifël granate. Granata ra në kanal dhe shpërtheu 50 metra larg meje. Nuk e pashë nga erdhi. Jemi larguar drejt Elbasanit. Për momentin nuk mora vesh se çfarë ndodhi. Shefi im, Arjan Cenga, ka ardhur nga Elbasani. Parkuam blindat para komisariatit dhe shkuam në kafe. Nuk u kthyen të gjitha mjetet në Elbasan, 2 blinda mbetën në Cërrik. Te lokali erdhi një djalë i Krimeve me motor dhe më tha: ‘Kthehuni mbrapsht se është banda më e rrezikshme me kryetarin dhe nënkryetarin e Partisë Socialiste, Met Bozi, Roland Xhepexhiu dhe Llazar Bicja’”.
Negociatat
“Për negociatat kanë qenë dy teza; ose të liroheshin pengjet dhe të plagosurit brenda orës pesë, ose të ktheheshim në Cërrik dhe të gjuanim. Para orës pesë pasdite u liruan të gjitha pengjet dhe trupat e të vrarëve. Ka qenë një burrë rreth të 45-tave që ishte negociatori për të gjetur orën se kur do të behej lirimi. Ai nga një anë bisedonte me shefin tim, nga ana tjetër shkonte në komisariat. Se me kë takohej, nuk e di. Pëllumb Vataj, Fatmir Toçi dhe Dash Xhepaj më tha se qenë qëlluar nga zona e kinemasë dhe pallatet. Besnik Syla, Halit Haxhia dhe Sali Martini kanë vdekur dhe një person me emrin Pjetër, që ishte te tanku i Hysen Doçit, që u qëllua në kokë. Më tha Hysen Doçi se Fari Metaliaj, Agron Kuliqi kanë qenë të plagosur, ndërsa Agim Biberaj dhe Azem Rustaj qenë marrë peng. Këta qenë në qendër të Cërrikut. Agim Biberaj më ka thënë: ‘Në Cërrik, te sheshi, është hapur zjarr dhe i kanë marrë peng disa persona’. Në qendër të Cërrikut pati shkëmbime zjarri dhe lamë armët aty e dolëm nga blindi. Agim Biberaj dhe Azem Rustaj u morën peng nga 10-12 persona dhe ishin trajtuar në mënyrë çnjerëzore. Ishin qëlluar me qytë automatiku. Biberaj kishte shenja në trup te brinja e djathtë. Kam parë kasetën ku Biberaj është filmuar dhe pengmarrësit i kanë thënë: ‘Je këlysh i Sali Berishës. Sa të kanë paguar që je këtu?’. Këtë kasetë e kam parë me sytë e mi, na e ka sjellë në Gardën e Republikës një ish-prokuror, ku na pyeti për ngjarjen dhe për personat nëse i njihnim”.

Shtim masash për sigurinë në shkolla, përfshihen edhe agjentët e Krimeve

TIRANË – Policia e Tiranës shton masat për ruajtjen e mjediseve të shkollave në kryeqytet, duke përfshirë edhe agjentët e Krimeve dhe të Antitrafikut. Burimet zyrtare bëjnë të ditur se “për mbarëvajtjen e procesit mësimor në këtë plan, përveç strukturave të Rendit dhe të Qarkullimit Rrugor, janë ngarkuar me detyra specifike edhe struktura Kundër Krimit të Organizuar dhe atyre Kundër Krimeve ndaj Personit, me qëllim ndjekjen në vazhdimësi të problemeve të kriminalitetit, krimeve ndaj personit, kundër drogës, kundër trafiqeve të paligjshme etj”. Zëdhënësja e Policisë së qarkut Tiranë, Alma Katragjini, bëri të ditur dje se “drejtuesit dhe shërbimet e Policisë, në përmbushje të detyrave dhe përgjegjësive ligjore, do të rrisin më tej bashkëpunimin edhe me drejtuesit e stafin pedagogjik të shkollave, drejtoritë rajonale arsimore të qytetit dhe qarkut Tiranë, duke patrulluar me shpesh në dhe pranë shkollave të mesme dhe 9 - vjeçare, si dhe në vendet e akomodimit të tyre, sipas juridiksionit që ato mbulojnë”.
Për garantimin e rendit dhe sigurisë në mjediset shkollore policia kërkon ndihmën e qytetarëve dhe të medias në drejtim të respektimit të normave ligjore që kanë të bëjnë me sigurinë publike, shmangien e zhurmave, parkimeve të gabuara të mjeteve pranë shkollave etj.
Policia kërkon nga drejtuesit e mjeteve që të mos parkojnë në vendet ku ka akomodim nxënësish. Në jo pak raste kanë ndodhur krime nga persona të infiltruar në mjediset e shkollave, ku nuk kanë munguar as përdorimi i armëve të llojeve të ndryshme dhe dhunimin e vajzave.

14 Prill 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›