E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bushati: “Partia Socialiste mbështet integrimin e vendit”



Në kundërpërgjigje të akuzave që vijnë nga kampi kundërshtar, deputeti i Partisë Socialiste, Ditmir Bushati, deklaroi dje se PS-ja dhe opozita shqiptare kanë qenë, janë dhe do të jenë gjithnjë në mbështetje të proceseve integruese të vendit. Ai nënvizoi se integrimi në Bashkimin Europian nënkupton mbi të gjitha adoptimin e vlerave dhe të parimeve që qëndrojnë në themel të këtij unioni dhe pikërisht në emër të këtyre vlerave e parimeve po zhvillohet sot beteja e opozitës shqiptare.
Deklarata
Protestat e opozitës Bushati i ka cilësuar si betejën për të fuqizuar institucionet demokratike. “Është kjo një betejë për mbrojtjen e votës së lirë, garantimin e transparencës së zgjedhjeve, të ndërtimit dhe fuqizimit të institucioneve demokratike në shërbim të qytetarit, e jo pushtetit, të shifrave të ekonomisë e të gjitha atyre vendimeve që ndikojnë në jetën e shqiptarëve”, - u shpreh Bushati. Sipas tij, vetëm garantimi i standardeve të sipërcituara, e jo propaganda boshe e kryeministrit, është rruga përmes së cilës kalon integrimi i Shqipërisë në familjen europiane. “Nëse ka sot një njeri që po na dëshmon se nuk e do demokratizimin dhe integrimin e Shqipërisë, një njeri që është përgjegjës për vonesat në integrimin e Shqipërisë dhe procesin e liberalizimit të vizave, ky është vetëm Sali Berisha”, - tha deputeti Bushati.
Qëndrimi
Partia Socialiste e ka bërë të qartë qëndrimin e saj për vazhdimin në çdo qytet dhe fshat të protestave opozitare për t’i dhënë fund kësaj keqqeverisjeje. Alternativa e vetme e PS-së sot është protesta që pas debatit të ashpër në Parlament për ngritjen e komisionit hetimor përmes hapjes së kutive. Protestat e opozitës kanë për qëllim të largojnë këtë qeveri në rast se do të vazhdojë të bëhet pengesë për transparencën e zgjedhjeve. Protestat e Partisë Socialiste nuk shoqërohen si zakonisht me sloganet për hapjen e kutive, apo me fjalimin e kryetarit të Partisë Socialiste, Edi Rama. Ndryshe nga nëntori i vitit të kaluar, çdo protestë në qytet dhe fshat po zhvillohet ndryshe, në bazë të problemeve apo konfliktit që një shtresë e qytetarëve ka me qeverinë. Zyrtarët socialistë në të gjithë Shqipërinë kanë për detyrë të nxisin dhe më pas të mbështesin qytetarët, të cilët do të protestojnë. Megjithatë, forma e re e protestës ndaj qeverisë “Berisha” nuk ka lënë në hije hapjen e kutive dhe transparencën e zgjedhjeve të 28 qershorit. Protesta e madhe e opozitës do të zhvillohet më 30 prill në bulevardin e Tiranës. Kreu i PS-së, Edi Rama ka konfirmuar se protestat do të vazhdojnë më 1 Maj dhe më tutje derisa të largojnë këtë qeveri.

Protestë, bllokohet rruga nacionale Shkodër-Koplik

Pasditen e djeshme është zhvilluar në rrugën nacionale që lidh Shkodrën me Koplikun protesta e radhës e mbështetur nga deputetët e Partisë Socialiste. Përreth 30 minuta është bllokuar rruga nacionale nga banorë të fshatrave Bajzë, Gruemirë dhe nga Kopliku. Protestuesit janë shprehur të pakënaqur për vlerësimet e bëra, si dëmshpërblime për tokat e tyre ku kalon rruga nacionale. Shtrenjtimi i ujit është një tjetër arsye pse e bllokuan, në shenjë revolte, banorët rrugën nacionale Shkodër-Koplik. Shtrenjtimi i jetesës në përgjithësi i shton vështirësitë e këtyre zonave të varfra, të cilat ngrenë gishtin e akuzës drejt qeverisë dhe kryeministrit. Protesta e banorëve të këtyre zonave të Veriut të vendit u mbështet nga deputetët e qarkut Shkodër, Tom Doshi, Astrit Beci e Ilir Beqja.

Pukë, diskriminohen bashkitë dhe komunat socialiste

Në qendër të Pukës kanë dalë në protestë qindra banorë të saj për mungesën e fondeve për një jetesë të denjë në këtë qytet. Banorë të Pukës, kryetari i Bashkisë, Rustem Struga dhe deputeti i Partisë Socialiste, Namik Dokle, i kanë bërë thirrje qeverisë të kthejë sytë nga këto zona të Veriut të vendit, të cilat janë dhe më të varfrat. Protestuesit mbanin pankarta në duar ku shkruhej: “Mos diskriminoni bashkitë dhe komunat socialiste!”. Ata i kanë kujtuar qeverisë se Puka është një nga qytetet më të varfra të Veriut të Shqipërisë, ndaj dhe vëmendja e saj ndaj këtij qyteti duhet të jetë maksimale. Në takim ka folur dhe kryetari i Bashkisë, i cili ka ngritur problemin e infrastrukturës së rrugëve dhe ujësjellësit. “Me këto ritme që po punohet, Ujësjellësi i bashkisë së Pukës do të përfundojë mbas 320 vitesh”, - ka thënë ai. Ndërsa deputeti Dokle, nga ana e tij, ka shtuar: “Kjo qeveri mendon vetëm për vete. Kjo qeveri mendon vetëm për familjet e ministrave. Kjo qeveri mendon vetëm për deputetët që janë rreth e rrotull Jozefinës e Saliut dhe nuk mendon për të mirën e popullit, nuk mendon për të mirën e familjeve shqiptare, nuk mendon për varfërinë e njerëzve. Nuk mendon për papunësisë. Nuk mendon për çmimet që rriten çdo ditë dhe njerëzit nuk kanë mundësi të sigurojnë edhe gjërat më elementare. Në qoftë se dikur Migjeni i madh këtu në Pukë thuri legjendën e madhe të misrit, Sali Berisha na detyron tani që të flasim për një legjendë të preshit”.

14 Prill 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›