E Diel, 1 Nëntor 2026

Meksi: “Borxhet e qeverisë po pakësojnë depozitat bankare”



Deputetja e Partisë Socialiste, Ermelinda Meksi, i ka kërkuar qeverisë që të bëjë transparencën reale të ekonomisë shqiptare dhe të mos shpenzojë duke rritur borxhet për vitin 2010. Meksi tha se borxhet po gërryejnë depozitat bankare, duke financuar
borxhin publik nëpërmjet bonove të thesarit. Deputetja Meksi ka përsëritur apelin për rritjen e konkurrueshmërisë së biznesit shqiptar. Ajo sqaron se kjo kërkon që qeveria të paguajë detyrimet që i ka biznesit të ndërtimit apo çdo biznesi tjetër. “Qeveria vazhdon të mbajë kyçur kutitë e informacionit ekonomik. Jemi në muajin prill dhe ende nuk është publikuar realizimi i buxhetit të muajit janar apo shkurt, të dhënat mbi tatimet kanë mbetur në korrik të 2007-s dhe doganat kanë hequr fare nga publikimi situatën fiskale doganore”, - u shpreh Meksi, duke shtuar se “kjo qeveri e filloi transparencën ekonomike qysh në tremujorin e parë 2009 me të dhëna pjesore kur reklamonte rritjen e të ardhurave dhe nuk shihte në të njëjtën kohë shenjat e efekteve të krizës në Shqipëri, që u shfaqën, sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, me rënien e depozitave, rënien e kreditimit për biznesin dhe që në fund të vitit sollën si rezultat një rritje të të ardhurave reale vetëm me 0,5%, shifër kjo nga më të ulëtat të arritura në vite”.
Deputetja socialiste iu referua edhe të dhënave të INSTAT-it, ku opozita pati deklaruar edhe më parë. Sipas të dhënave, gjatë tremujorit të katërt 2009, krahasuar me të njëjtën periudhë në vitit 2008, Prodhimi i Brendshëm Bruto u ul me 0,8%. Sipas Meksit, të ardhurat buxhetore në gjashtëmujorin e parë dhe të dytë, si dhe tremujorin e fundit të 2009-s kanë rënë përkatësisht 107%, 99%, 95% apo rënien e nivelit të kredidhënies të biznesit, rënien e vëllimit të tregtisë me pakicë etj.

14 Prill 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›