E Diel, 1 Nëntor 2026

Subjektet e shpronësuara, kriteret dhe procedurat e kompensimit me troje shtetërore



Ervin KOÇI

Të gjitha subjektet private të cilat shpronësohen nga shteti për arsye të ndryshme, kanë të drejtën e kompensimit fizik me troje nga pronat shtetërore. Kjo gjë parashikohet në ligjin nr.9235, datë 29.07.2004, “Për kthimin dhe kompensimin e pronës”, të ndryshuar. Sipas këtij ligji, kërkesa për kompensim fizik të menjëhershëm bëhet nga subjekti i shpronësuar pranë AKKP-së, sipas formularit tip, të miratuar nga ministri i Drejtësisë, me propozimin e drejtorit të Përgjithshëm të AKKP-së. Kjo e fundit nëpërmjet strukturave të saj, pranon, ndjek, plotëson, shqyrton ose heton administrativisht kërkesat e subjekteve të shpronësuara apo përgatit projekt-aktin a relacionin shoqërues, të cilat ia kalon për shqyrtim e miratim dhe nxjerrjen e vendimit përkatës drejtorit të Përgjithshëm, sipas ligjit “Për kthimin dhe kompensimin e pronës”, të ndryshuar, duke dokumentuar veprimet që kryen. Këto dokumente, përfshihen në dosjen e hapur me regjistrimin e kërkesës për kompensim, së bashku me dokumentacionin provues të paraqitur prej tij. Dokumentimi i veprimeve, në kuptim të këtij vendimi, kryhet nëpërmjet përfshirjes në dosje të çdo shkrese, që i bashkëlidhet praktikës, si dhe nëpërmjet depozitimit të të gjitha procesverbaleve, kujtesave, informacioneve, akteve të vlerësimit apo të ekspertimit, të përgatitura sipas rastit, apo çdo shkrese tjetër për të tretë apo të brendshme, për trajtimin e kësaj kërkese. Në kuptim të këtij detyrimi, strukturat përkatëse kanë përgjegjësinë ligjore të bëjnë vlerësimin e kërkesës dhe të rrethanave të paraqitura, për çështje të bazueshmërisë së saj në ligj dhe në prova. Vlerësimi është pjesë përbërëse e praktikës dhe nënshkruhet nga grupi i punës me specialistët, jurist dhe hartograf, që shqyrtojnë praktikën, dhe përgjegjësin e sektorit, që e mbikëqyr dhe pranon atë.

Procedurat
Mbledhja, përpunimi dhe administrimi i akteve të subjekteve të shpronësuara, gjatë procesit të njohjes dhe kthimit apo kompensimit të pronës, bëhet sipas këtyre procedurave: 1) Mbledhja e akteve; Subjekti i shpronësuar depoziton drejtpërdrejt ose nëpërmjet postës, në sekretarinë e AKKP-së, kërkesën e motivuar për njohjen dhe kthimin apo kompensimin e pronës, shoqëruar me dokumentacionin e nevojshëm, sipas këtij vendimi, me të cilin provon pretendimet e tij. Kërkesa e subjektit të shpronësuar duhet të jetë sipas formularit tip, të miratuar nga ministri i Drejtësisë, me propozim të drejtorit të Përgjithshëm të AKKP-së. Formulari tip nënshkruhet nga subjekti i shpronësuar ose përfaqësuesi i tij me prokurë. Formulari tip përmban një paralajmërim, që ngarkon me përgjegjësi sipas ligjit subjektin kërkues, në rast të deklarimit të të dhënave të rreme apo depozitimit të dokumentacionit të falsifikuar. Dokumentacioni shoqërues, që vërteton pronësinë e subjektit të shpronësuar, përbëhet nga: a) dokumentacioni ligjor, b) dokumentacioni hartografik. Në çdo rast që subjekti depoziton kërkesë të re, sipas një vendimi gjyqësor për rivendosje në afat, pjesë e dokumentacionit shoqërues është edhe vendimi i gjykatës për rivendosjen në afat.

Dokumentacioni ligjor
Ky dokument përbëhet, sipas rastit, nga: a) vërtetimi i pronësisë, shoqëruar me kopje të njehsuar të fletës përkatëse të regjistrit hipotekor, të lëshuar nga zyra e regjistrimit të pasurive të paluajtshme, për efekt të kthimit dhe kompensimit të pronave; b) dokumenti kadastral, shoqëruar me kopje të njehsuar të fletës përkatëse të regjistrit kadastral, pranë zyrave të administrimit dhe mbrojtjes së tokës, në këshillin e qarkut; c) vendimi gjyqësor i formës së prerë së bashku me hartën e pasurisë, të vulosura nga gjykata, si dhe akt-ekspertimi, në rast se gjatë gjykimit të çështjes në gjykatë është kryer një i tillë; ç) dokumenti që vërteton heqjen ose marrjen e të drejtës së pronësisë nga shteti subjektit të shpronësuar, sipas akteve ligjore e nënligjore, vendimeve penale të gjykatave ose në çdo mënyrë tjetër të padrejtë që nga data 29.11.1944, apo dokumenti për pasuritë e paluajtshme të shtetasve shqiptarë, të krijuara përpara datës 7 prill 1939, të cilat janë sekuestruar sipas nenit 14, të ligjit nr.37, datë 13.01.1945, “Ligja e tatimit të jashtëzakonshëm për fitimet e luftës”; d) vendimet e mëparshme të ish-Komisionit të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, vendimet e Komisionit/Komitetit të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, të cilat janë marrë përpara hyrjes në fuqi të ligjit nr.9583, datë 17.07.2006, “Për disa shtesa e ndryshime në ligjin nr.9235, datë 29.7.2004, “Për kthimin dhe kompensimin e pronës”, të ndryshuar”; dh) dokumenti i lëshuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave (kur dokumente si akt-transripti, akt-pjesëtim pasurie, akt- shitjeje apo fletë regjistri kadastral, dokumente që vërtetojnë shpronësimin, konfiskimin apo shtetëzimin e pronës janë të depozituara në të), si dhe çdo dokument tjetër i lëshuar nga institucionet shtetërore, me vlerë provuese në hetimin administrativ të çështjes në shqyrtim; e) dokumenti i lëshuar nga arkivi hipotekor (pranë zyrës së regjistrimit të pasurive të paluajtshme); ë) çdo dokument tjetër ligjor, i nevojshëm për zgjidhjen e drejtë të çështjes.

Dokumentet që paraqiten
Subjekti i shpronësuar paraqet, pranë AKKP-së, kërkesën e motivuar për kompensimin e pronës, shoqëruar me dokumentacionin si vijon: a) kërkesën, e nënshkruar, të subjektit të shpronësuar apo të përfaqësuesit të tij me prokurë, sipas dhe në zbatim të formularit tip, të miratuar nga ministri i Drejtësisë, me propozimin e drejtorit të Përgjithshëm të AKKP-së, në të cilën përcaktohet edhe njëra nga format e kërkuara të kompensimit, të parashikuara në nenin 11, të ligjit; b) vendimin e AKKP-së apo të ish-komisioneve të kthimit dhe kompensimit të pronave për pasurinë e paluajtshme, të njohur për t’u kompensuar; c) deklaratën personale për heqje dorë nga e drejta e parablerjes, sipas formularit tip, të miratuar nga ministri i Drejtësisë, me propozimin e drejtorit të Përgjithshëm të AKKP-së; ç) çdo dokument ligjor që provon lidhjen e ligjshme të kërkuesit me subjektin e shpronësuar.

Afatet për plotësimin e dosjes së dokumentacionit

Në rastet kur AKKP-ja konstaton mungesë në dokumentacion, subjektit të shpronësuar i kërkohet plotësimi i dosjes përkatëse, brenda 30 ditëve nga çasti i marrjes së njoftimit për plotësim dokumentacioni. Plotësimet mund të bëhen për të gjitha dosjet e paraqitura për shqyrtim në ish-zyrat rajonale të AKKP-së në qark, para datës 31.12.2008, ose edhe për dosjet e subjekteve pas kësaj date, të cilat, në bazë të vendimeve gjyqësore të formës së prerë, janë rivendosur në afat. Çdo subjekt i shpronësuar ka të drejtë të pajiset, nga sekretaria e AKKP-së, me vërtetimin përkatës për numrin e protokollit të dosjes së regjistruar, që tregon edhe datën e dorëzimit të kërkesës dhe dokumenteve të tij. Kërkesat e subjekteve të shpronësuara, të cilat depozitohen nëpërmjet shërbimit postar dhe kanë mangësi në dokumentacionin shoqërues, gjë që e bën të pamundur vlerësimin e tyre, do t’i kthehen kërkuesit në adresën e dhënë, duke i kërkuar plotësimin e dokumentacionit në mënyrë të hollësishme, sipas dispozitave të këtij vendimi. Kërkesa, së cilës i mungon adresa e saktë postare, vlerësohet jo e mirëqenë dhe riaktivizohet vetëm me interesimin e kërkuesit pranë zyrave të AKKP-së. Në çastin e konstatimit, nga struktura përkatëse e AKKP-së bëhet shpallja publike, si dhe në njësitë e qeverisjes vendore ku ndodhet prona, objekt pretendimi. Kërkesa e subjektit të interesuar pranohet brenda një afati 3-mujor nga data e konstatimit, në të kundërt, kërkesa e subjektit nuk pranohet me vendim të Drejtorit të Përgjithshëm të AKKP-së. Kjo e fundit, pranon dhe administron kërkesat e subjekteve të shpronësuara, kundrejt tarifave të përcaktuara, me urdhër të përbashkët të ministrit të Drejtësisë dhe të ministrit të Financave.

Institucionet që kërkojnë dokumentet për vërtetimin e pronës

AKKP-ja, në varësi të objektit të kërkesës së subjektit të shpronësuar, bashkërendon punën me institucione të treta, duke kërkuar dokumente të nevojshme për vërtetimin e gjendjes juridike apo fizike të pronës, si dhe konfirmimin e dokumentacionit tekniko-ligjor të depozituar nga subjekti. Ky dokumentacion, sipas rastit, mund të kërkohet nga një ose disa prej institucioneve të mëposhtme: a) Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme (ZVRPP), për gjendjen juridike të pronës; b) njësitë e qeverisjes vendore, për pronat që i shërbejnë një interesi publik dhe për të cilat bëhet propozimi për tjetërsim;
c) bashkia (Drejtoria e Përgjithshme e Urbanistikës), komuna, këshilli i qarkut (drejtoria e urbanistikës apo njësitë e legalizimit, për konfirmimin e gjendjes së trojeve dhe të ndërtesave; ç) Ministria e Ekonomisë, apo organet në varësi të saj, për pronat për të cilat ka humbur interesi publik dhe janë në pritje të procesit të privatizimit, për pronat e përmbytura nga hidrocentralet dhe nëse për këto prona ka pasur përfitim sipas legjislacionit për shpronësimet për interes publik; d) Ministria e Mbrojtjes dhe Ministria e Bujqësisë; dh)Agjencia e Legalizimit dhe Urbanizimit të Zonave Informale; e) Enti Kombëtar i Banesave; ë) çdo institucion tjetër shtetëror, i cili ka në administrim pronën apo që mund të japë informacion për të. Të gjitha kërkesat për njohje dhe kthim të pronës, të paraqitura në zyrat e AKKP-së, shqyrtohen sipas rendit kronologjik të paraqitjes së tyre. Mënyra e trajtimit, shqyrtimit dhe e dhënies së vendimit për kërkesat apo ankesat e subjekteve të shpronësuara, bëhet në përputhje me ligjin. Në rastin kur AKKP-ja nuk e pranon kërkesën/ankesën e subjektit, i jep atij një kopje të vendimit të mospranimit.

Si funksionon Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave

Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave është person juridik publik, me qendër në Tiranë, në varësi të ministrit të Drejtësisë. AKKP-ja përmbush objektivat, kryen detyrat dhe ushtron përgjegjësitë në përputhje me përcaktimet e bëra në ligjin nr.9235, datë 29.07.2004, “Për kthimin dhe kompensimin e pronës”, të ndryshuar. Kjo e fundit gjatë ushtrimit të veprimtarisë, është e hapur për publikun dhe në shërbim të subjekteve të shpronësuara apo të trashëgimtarëve të tyre, gjatë të gjithë orarit zyrtar të punës. Çdo kufizim brenda orarit zyrtar, për aplikim, plotësim dokumentacioni, takim, këshillim, me punonjësit e AKKP-së, përcaktohet me urdhër të brendshëm të drejtorit të Përgjithshëm të kësaj Agjencie. Organika dhe struktura e AKKP-së përcaktohen me urdhër të Kryeministrit, me propozimin e ministrit të Drejtësisë, në përputhje me nenin 10, të ligjit nr.9000, datë 30.01.2003, “Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Ministrave”. AKKP-ja drejtohet nga drejtori i Përgjithshëm dhe dy zëvendësdrejtorë të Përgjithshëm. Drejtori i Përgjithshëm, përveç detyrave dhe përgjegjësive të parashikuara në ligj, ushtron dhe këto përgjegjësi: a) Drejton AKKP-në dhe e përfaqëson atë në marrëdhënie me të tretët; b) Autorizon kryerjen e veprimeve të caktuara nga zyrtarë të tjerë të AKKP-së për përmbushjen e detyrave të saj; c) Raporton, informon dhe i relaton për veprimtarinë e AKKP-së ministrit të Drejtësisë, si dhe zbaton urdhrat dhe udhëzimet e tij; ç) Raporton në institucionet kushtetuese, sipas këtij vendimi. Dy zëvendësdrejtorët e Përgjithshëm drejtojnë; 1. Drejtorinë e Kthimit të Pronave, përgjegjëse për: a) shqyrtimin në kohë, dhe ndjekjen e zgjidhjen, sipas ligjit, të kërkesave të subjekteve të shpronësuara; b) përditësimin e të dhënave në regjistër për çështjet e shqyrtuara (njohje, kthim apo kompensim pronash); c) regjistrimin pranë zyrës së regjistrimit të pasurive të paluajtshme të vendimeve, ku disponohet, në favor të subjektit të shpronësuar, e drejta e pronësisë për pasuri të paluajtshme apo të drejta reale të lidhura me to; ç) çdo detyrë tjetër, të caktuar nga drejtori i Përgjithshëm i AKKP-së. 2. Drejtorinë e Kompensimit të Pronave, përgjegjëse për: a) evidentimin e subjekteve dhe përgatitjen e të dhënave të regjistrit për subjektet e shpronësuara, të cilëve iu është njohur e drejta për kompensim dhe që ende nuk e kanë përfituar atë; b) përllogaritjen e faturës financiare; c) administrimin dhe shpërndarjen, sipas ligjit, të fondit të kompensimit, të vënë në dispozicion; ç) shqyrtimin dhe vlerësimin e kërkesave për tjetërsim të sipërfaqeve, pronë shtetërore, për llogari të fondit të kompensimit financiar; d) çdo detyrë tjetër, të caktuar nga drejtori i Përgjithshëm i AKKP-së.

14 Prill 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›