Ligji Antiduhan, propozohen ndryshime për mënyrën e penalizimit
Jonida Tashi
Moszbatim i Ligjit Antiduhan nga subjektet private, i ka detyruar inspektorët e Shëndetit Publik që të zbarkojnë në lokale, për t’i gjobitur shkelësit e ligjit. Drejtoria e Shëndetit Publik në Tiranë, deklaroi dje, se vetëm në tre muajt e parë të këtij viti ka vendosur gjoba tre herë më shumë se vitin e kaluar, për moszbatimin e Ligjit Antiduhan. Por, megjithë vendosjen e gjobave, burimet zyrtare nga ky institucion thonë se ndonëse janë penalizuar, subjektet private kryesisht vazhdojnë të mos jenë korrekt, duke lejuar pirjen e duhanit në ambientet e tyre.
Ndryshimet
Specialistët e Higjienës deklarojnë se zbatimi i Ligjit Antiduhan në Shqipëri ka mbetur pothuajse në nivelin zero, për shkak të ngërçit që është krijuar në legjislacion. Sipas tyre, ndonëse ata vendosin gjoba e penalizojnë shkelësit e ligjit, vetë ky ligj nuk përcakton qartë mënyrën e penalizimit. Kjo ka bërë që specialistët të jenë në dilemë për të gjobitur një subjekt privat, i cili brenda ambienteve të tij ka hequr tavllat e duhanit, sipas Ligjit Antiduhan, por nuk ka të afishuar tabelë që ndalon pirjen e duhanit në lokal, pasi vetë ligji nuk shprehet në këtë rast. “Ne vazhdojmë të vendosim gjoba, të cilat duhet të vilen nga Bashkia e Tiranës, por në shumë raste këto gjoba nuk mblidhen, përveç kësaj, ligji ka nevojë për ndryshime gjë që Inspektorati Sanitar Shtetëror i ka kërkuar me kohë. Këto ndryshime pritet të diskutohen në mbledhjen e Komisionit Kuvendor të Shëndetësisë”,- pohojnë burime zyrtare në Drejtorinë e Shëndetit Publik. Aktualisht, Ministria e Shëndetësisë dhe Instituti i Shëndetit Publik kanë nisur një fushatë promocioni me të rinjtë e gjimnazeve për të rritur ndërgjegjësimin për një jetë pa duhan.
Statistikat
Sipas të dhënave të Studimit Kombëtar Demografik mbi Shëndetësinë, që u krye në periudhën prill 2008-dhjetor 2010, rezultoi se Shqipëria gjendet në prag epidemie të duhanpirjes nga të gjitha shtresat dhe moshat. Studimi tregoi se rreth 43 për qind e meshkujve në qytet e fshat dhe 5 për qind e femrave pinë duhan, por rreziku nuk qëndron tek shifrat. Të dhënat e studimit treguan se po konsumohet duhan kudo dhe nga të gjithë, pasi duhanin po e pinë të rinj e të rritur pa dallim shtrese, si në fshat dhe qytet, me status ekonomik të lartë e të ulët, me nivel të ulët arsimor dhe me arsim të lartë. Lidhur me këtë situatë, specialistët e ISHP-së thonë se Tirana mbetet epiqendra e epidemisë së duhanpirjes dhe për reduktimin e numrit, specialistët e Shëndetit Publik janë skeptikë. Për të frenuar epideminë e duhanpirjes, si rrezik serioz të shëndetit të shqiptarëve, specialistët e Shëndetit Publik hedhin sytë nga zbatimi i Ligjit Antiduhan dhe masat e tjera që duhet të ndërmerren për të frenuar tendencën e duhanpirjes nga të gjitha moshat.
Studimi
Ulet numri i vdekjeve të grave shtatzëna në Shqipëri
Ulet numri i vdekjeve të grave shtatzëna në Shqipëri. Lajmi bëhet i ditur nga një studim i fundit që është bërë nga Instituti për Shëndetin Metrik dhe Zhvillimin, (Institute for Health Metrics and Evaluation (IHME) në Universitetin e Ë/ashingtonit në bashkëpunim me Universitin e Queensland. Sipas këtij studimi, Shqipëria ka numrin më të vogël të vdekjeve të grave shtatzëna në rajon, madje renditet më lart se vende që janë shumë më të zhvilluara si Britania e Madhe apo SHBA. Në klasifikimin e bërë nga Instituti për Shëndetin Metrik dhe Zhvillimin, Shqipëria renditet e 22-ta në renditjen e 181 vendeve, me një përqindje të vdekjeve 8 në 100 mijë gra shtatzëna, ndërsa në 1990 Shqipëria shënonte 36 vdekje në 100 mijë gra. Pas vendit tonë, në vendin e 23-të renditet Britania e Madhe, e cila ka të njëjtat shifra të vdekshmërisë me ato të 20 viteve më parë. Ndërkohë që 17 pozicione më poshtë është renditur SHBA-ja në këtë klasifikim, e cila mban vendin e 40-të në listë.
Nga vendet e rajonit, Greqia renditet në vendin e 25-të, Serbia në vendin e 28-të, Bosnje Hercegovina në vendin e 34-ët, një vend më poshtë është Kroacia. Maqedonia është renditur në vendin e 41-të, duke lënë pas Malin e Zi në vendin e 44-ët, dhe Rumaninë në vendin e 54-ët. Në vend të parë me numrin më të vogël të vdekjeve të nënave shtatzëna është Italia me 4 vdekje në 100 mijë gra, ndërsa e fundit në listën e 182 vendeve renditet Afganistani 1575 vdekje në 100 mijë gra. Globalisht numri i vdekjeve të nënave shtatzëna ka rënë në 35% në 30 vitet e fundit. Nga 500 mijë vdekje në botë që janë shënuar në 1980, në 2008 janë regjistruar 343 mijë vdekje. “Në 20 vitet e fundit numri i vdekshmërisë së grave shtatzëna ka rënë në 1.4% në çdo vit. Fakti që ka më pak vdekje lidhet me rritjen e profesionalizmit në shëndetin mëmësor në këto vende”,- thuhet në studim. Studimi konstaton se në përgjithësi në vendet e Europës Perëndimore ka pasur një rënie të vdekshmërisë nga 1990-2008.
Vendimi
Invalidët paralajmërojnë protesta për rritjen e ndihmës ekonomike
Invalidët paralajmërojnë rinisjen e protestave për rritjen e ndihmës ekonomike. Invalidët para dhe tetraplegjikë, prej një viti nuk po e marrin rritjen e ndihmës ekonomike që ata përfitojnë për paaftësi për punë. Zëvendëspresidenti i Shoqatës së invalidëve para dhe tetraplegjikë, Ali Plaka, deklaron se edhe pse ka një vendim qeverie që e çon përfitimin e pagesës për personat me aftësi të kufizuar nga 870 lekë në 980 lekë, vendimi ende nuk ka gjetur zbatim.
“I jemi drejtuar kryeministrit që ky vendim nuk po zbatohet dhe ai na përgjigjet që i ka miratuar që vjet fondet për ne. Ministri i Financave thotë se vendimi i qeverisë është, por lekë nuk kemi për t’ju dhënë. Ju takojnë me ligj, por nuk kemi para për tua dhënë”,- ka deklaruar Plaka. Sipas tij, nëse nuk do të ketë një reagim nga institucionet shtetërore për këtë çështje, invalidët para dhe tetraplegjikët do të dalin në protesta. Vendimi i Këshillit të Ministrave, për rritjen e ndihmës ekonomike që kjo kategori në nevojë përfiton për paaftësi në punë vendimi ka hyrë në fuqi më 1 janar të këtij viti dhe i shtrin efektet e tij financiare nga data 1 qershor e vitit 2009. Ndërkaq, Ministria e Financave deklaron në përgjigjen që i ka kthyer shoqatës se ky fond prej 460 milionë lekësh duhet të përballohet nga Ministria e Punës.
14 Prill 2010