Ankesa, deputetët e PD-së: Pasuria jonë të mos bëhet publike

Gjatë prezantimit të raportit për mbrojtjen e të dhënave personale, deputetët e PD-së ankohen për privatësinë e tyre
TIRANË - Deputetët tanë nuk ndihen mirë kur populli, ai që i ka votuar, u lexon se sa pasuri kanë vënë ndër vite, edhe për shkak të funksioneve shtetërore që mbajnë.
Një shqetësim i tillë është vënë re dje në Komisionin e Ligjeve ku deputetë të mazhorancës kanë kërkuar nga Komisioni për Mbrojtjen e të Dhënave Personale që të ndërhyjë në mënyrë që formularët e deklarimit të pasurive të mos bëhen publike në media.
Duke përfituar nga raportimi i komisioneres për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, Flora Çabej, në Komisionin e Ligjeve, deputetët e shumicës kanë ngritur një sërë problemesh që edhe ata vet personalisht hasin në jetën e përditshme për sa i përket ruajtjes së privatësinë dhe të informacioneve, që kanë të bëjnë me jetën e tyre private.
Njëra prej tyre ishte edhe bërja publike e pasurisë që ata deklarojnë pranë Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive, duke kërkuar që kjo praktikë të mos përsëritet më. "Ne, nëpunësit e administratës bëjmë deklarimin e pasurive dhe nuk e di a keni plan konkret që ky deklarim mos të tundet nëpër media për t'u përdorur politikisht.
Kjo mendoj se është një nga detyrat më imediate", - tha deputeti demokrat, Fatos Hoxha, gjatë diskutimit të raportit vjetor të institucionit që merret me mbrojtjen e të dhënave personale.
Por, sipas kreut të këtij institucioni, komisioneres Flora Çabej, ky është një shqetësim edhe i deputetëve të tjerë, por që për shkak të detyrimit të transparencës nuk mund të fshihet. "Ky ka qenë shqetësim edhe i deputetëve të tjerë, prandaj ne kemi nënshkruar edhe një marrëveshje me ILDKP-në në këtë fushë.
Por, duhet të keni një gjë parasysh, personat publikë e kanë privatësinë të limituar. Duhet të dini që Suedia nxjerr online të dhënat pasurore për të gjithë qytetarët e saj mbi 18 vjç dhe ky është me një dekret të mbretit që në 1903-in.
Por dhe atje komisionari suedez bën një luftë të hapur për ta hequr këtë, jo për personat publikë, por për të gjithë qytetarët", - tha Flora Çabej. Një shqetësim tjetër për sa i përket ruajtjes së privatësinë i ngritur nga deputetët e djathtë janë edhe publikimi në media i listave të përfituesve nga procesi i legalizimit, studentëve konkurrues në shkollat e larta, apo edhe filmimi i klientëve të bankave.
Sipas deputetit demokrat, Viktor Gumi, shumica e bankave nuk bëjnë të ditur se në ambientet e tyre regjistrohesh qoftë me zë ashtu edhe me figurë, çka përbënë sipas tij një shkelje të ligjeve në fuqi.
Por, sipas komisioneres Çabej, një shqetësim i tillë vlen edhe për Kuvendin, i cili gjithashtu nuk bënë të ditur me tabela se në ambientet e tij filmohesh. Ndërsa, deputetja Mesila Doda ka ngritur shqetësimin për përdorimin nga media të të dhënave personale të shtetasve të ndryshëm, duke cenuar privatësinë e tyre.
Për këtë, ajo ka evidentuar nevojën për hartimin e një kodi detyrues etike për mediat, në mënyrë që këto të fundit të mos publikojnë të dhëna kur individi subjekt i lajmit nuk dëshiron.