Berisha: Do fotografojmë nga ajri plantacionet e hashashit

Kreu i qeverisë kërkoi dje nga Policia ndjekje penale për komunarët në territorët e të cilëve mbillet droga
TIRANE- "Fotografim dhe filmim ajror të zonave në të cilat dyshohet dhe janë identifikuar si të mbjella me kanabis apo që janë të dyshuara si të tilla".
Ky ishte qëndrimi i djeshëm i kryeministrit Sali Berisha, gjatë konferencës për Parandalimin e Kultivimit të Kanabisit.
Kryeministri Berisha e komunikoi këtë fakt dje gjatë fjalës së tij, ku lëshoi kritika të ashpra në drejtim të punonjësve të Policisë së Shtetit që punojnë në zonat e identifikuara si të mbjella me hashash, dhe në mënyrë të veçantë ndaj pushtetarëve vendorë, kryesisht krerët e komunave që sipas kryeministrit nuk kanë raportuar mbi zonat e mbjella me hashash në territoret që ata administrojnë dhe qeverisin.
Sa i përket këtyre të fundit, Berisha i kërkoi kreut të Policisë së Shtetit dhe drejtuesve vendorë të Policisë të dërgojnë për ndjekje penale ata komunarë që nuk kanë zbatuar ligjin, për raportimin e zonave të mbjella me hashash në zonat ku ata janë të zgjedhur. Këto bimë kultivohen në ara. Ka një cikël të vetëm disamujor nga mbjellja deri në korrjen e tyre. "Plantacionet e tyre janë po aq të dukshme sa ato të kallamit.
Pra, gjithçka zhvillohet në dritën e diellit. Sipërfaqet e mbjella janë reduktuar, por mundësia për të çrrënjosur mbjelljen e këtyre bimëve është reale,- tha Kryeministri. Më tej ai pohoi se Katër vite u vendos një ligj që penalizon qeveritarët vendorë, kur ata nuk e denoncojnë cannabisin e mbjellë në territorin e komunave ku ata qeverisin.
Me ligjin e pushtetit vendor ata janë të zotët e territorit dhe administratorët e territorit të komunave. Sa i përket policisë Berisha tha se në këtë rast mbi Policinë, bie përgjegjësia kryesore si agjenci e zbatimit të ligjit, për këtë çështje.
"Zoti drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Unë ju ftoj të bëni një analizë se sa qeveritarë vendorë keni çuar për ndjekje penale? Unë druaj se numri i tyre është i kufizuar, pohoi Berisha. Më tej ai tha:Nëse keni nevojë për filmime të të gjitha llojeve, nëse doni të kontraktojmë mjetet më moderne të filmimit, me satelitet më të ndjeshëm, na thoni t'i marrim t'i filmojmë.
Problemi është se ato duhet të përdoren si dokumente për të vendosur para ligjit çdo njeri që shkel ligjin, çdo njeri që në mënyrë absolutë bëhet përgjegjës për të damkosur vendin. Sipas Berishës, krerët e Policisë, në Shkodër, Gjirokastër, Fier të ndjekin penalisht pushtetarët vendorë, të zbatojmë ligjin ndaj atyre që mbjellin kanabis.
Më parë, kreu i Policisë së Shtetit, Drejtues I Parë, Hysni Burgaj, renditi disa prej operacioneve Antikanabis të Policisë së Shtetit, si dhe shifrat e e rezultateve të arritura nga Strukturat e policisë gjatë periudhës një vjeçare, që nga koha e mbajtjes së konferencës antikanabis të vitit të kaluar.
Në shifrat e renditura nga Burgaj, binte në sy fakti se ishte rritur forca goditëse dhe bllokuese e policisë në këtë drejtim. Ndërkaq mbjellja e kësaj bime, sipas të dhënave raportuara nga Burgaj, kishte rënë me 14 për dind.
Zonat e identifikuara në të cilat mbillet hashash
Në qarkun Shkodër
Komunat Shllak dhe Temal
Në Qarkun Gjirokastër;
Komuna Lazarat
Në Qarkun Durrës;
komunat Nikël dhe Cudhi
Në Qarkun Fier
Komunat Cakran, Hekal, Kut, Remas dhe
bashkia Patos ne;
Në Qarkun Vlore.
Komunat Vllahinë, Sevaster, Armen dhe Brataj