Ankesa, faturistët kanë rritur kohën e matjes
Qytetarët në radhë për tu ankuar për shtimin e kohës së tarifimit nga një muaj në 40 ditë ose edhe më shumë
ELBASAN- Dashamir Gega, është njëri prej dhjetëra qytetarëve elbasanas që mbajnë radhën para sportelit të Njësisë së Shpërndarjes së energjisë elektrike në këtë qytet.
I indinjuar për kohën kur bëhet kontrolli i matësve të energjisë elektrike nga faturistët, ai i është drejtuar njësisë së OSSH-së, për të shprehur shqetësimin e tij ashtu siç e duan rregullat e vendosura nga ky operator. "Më parë fatura jonë ka qenë lexuar më datë 22 të çdo muaji ndërsa tani shkon deri në 29.
Kjo praktikë nuk është e drejtë sepse çdo ditë që kalon shtohet numri i kilovatëve të harxhuara dhe nëse kalohet shkalla 300 atëherë do të paguajmë dyfishin dhe fatura shtohet tej mase.
Duam që lexuesit të jenë më të rregullt",- shprehet ai. Qytetarët në radhë hedhin dyshime, sipas të cilëve, Operatori i Sistemit të Shpërndarjes kërkon të mbulojë deficitet e tij dhe mosrealizimet e tij, mbi kurrizin e atyre që janë pagues të rregullt të energjisë elektrike.
Vazhdimisht, qytetarëve iu bëhet thirrje nga zyrtarët e OSSH-së, që në rastet kur kanë pretendime për faturimin e energjisë, të paraqiten pranë njësive të këtij operatori dhe të bëjnë ankesën e tyre, duke iu premtuar zgjidhjen e çështjes.
Sipas kreut të Zyrës për Mbrojtjen e Konsumatorit, Altin Goxhaj, praktika e ndjekur nga Operatori i Sistemit të Shpërndarjes, për kompensimin e qytetarëve që janë mbifaturuar gabimisht, në vetvete nuk funksionon, pasi procedurat e gjata që duhen ndjekur i bëjnë qytetarët që të mos merren me këtë çështje.
"Ky problem zakonisht nuk gjen zgjidhje, pasi për shkak të procedurave të zgjatura që ndiqen, qytetarët janë të prirur të mos ankohen. Kjo bën që të ulet në masë numri i ankesave", shprehet Goxhaj.
Në lidhje me kohën e leximit të matësve të energjisë elektrike nga faturuesit dhe faturimet e gabuara që bëhen mbi qytetarët, ai shprehet se, ekziston një trysni ndaj lexuesve të matësve nga eprorët e tyre për plotësimin e kuotës së parashikuar më parë. "Plotësimi i kuotës së parashikuar më parë dhe sanksionet ndaj tyre nëse nuk arrihet ky plan, bëjnë që në muaj të caktuar të vitit faturistët të jenë të prirur të mbifaturojnë qytetarët",- shprehet Goxhaj.
Sipas Bankës Botërore, çmimi i energjisë elektrike për konsumatorët shqiptarë do të pësojë një rritje të konsiderueshme, në vitet e ardhshme duke filluar nga viti 2010. Specialistë të fushës, shprehen të çuditur në lidhje me planin për rritjen e çmimit të energjisë, për kohën dhe situatën në të cilën parashikohet të kryhet ajo.
Duke marrë parasysh deklarimet e përfaqësuesit të Bankës Botërore para komisionit të ekonomisë, se çmimi i energjisë në Shqipëri do të varet nga ecuria e tij në rajon, ata shprehen se, është e pakuptimtë të parashikohet rritje në një kohë kur kriza ekonomike ka bërë që të ulet kërkesa dhe çmimi për këtë mall.
Fakt tjetër që nuk justifikon rritjen e çmimit të energjisë, sipas ekspertëve, është edhe përmirësimi i infrastrukturës së transmetimit të saj. Vetëm në këtë mënyrë do të ulet kostoja e importit dhe rritja e prodhimit vendas nëpërmjet futjes në shfrytëzim të disa burimeve të tjera energjie që janë bërë dhe parashikohet të bëhen gjatë këtyre viteve.
Sipas tyre, ulja e kërkesës për energji, prodhimi me kosto të ulët të saj nga burimet vendase dhe ngritja e linjës së interkonjeksionit Elbasan-Podgoricë, duke ulur koston e importit, bën që të jetë pa vend parashikimi për rritjen e çmimit të energjisë elektrike.
ANKESA
Mungojnë faturat, qytetarët paguajnë kamatë
Për të paguar energjinë elektrike qytetarët duhet të shkojnë në arkat e pagesës së energjisë dhe ujit duke pasur me vete edhe faturën. Nëse nuk ke faturën me vete duhet të shkosh në zyrat qendrore dhe të të printohet një faturë e re.
Kjo procedurë zgjat shumë duke kaluar nga radha në radhë dhe shpesh herë përfundon me kamatvonesë për qytetarët. Kjo do të ishte tepër normale në rast se faturistët do të ishin korrektë ose nëse Shqipëria do të kishte një sistem të saktë adresash.
Kryesisht faturat vendosen në hyrje të pallatit ose pranë derës së konsumatorit dhe askush nuk mban përgjegjësi për humbjen e tyre. Qytetarë të ndryshëm janë ankuar në të gjitha institucionet por edhe në përfaqësitë e huaja pikërisht për këtë problem.
Ata nuk arrijnë që të gjejnë faturën e tyre dhe detyrohen të shpenzojnë orë të vlefshme të ditës së tyre, madje edhe ditë të tëra, duke bredhur për të kërkuar faturën që do të bëjë të mundur të paguajnë energjinë pa kamatë vonese.