Fullani fton investitorët britanikë të vijnë në Shqipëri
Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, ka ftuar investitorët britanikë të kthejnë sytë nga Shqipëria, e cila ofron burime të larmishme investimi ende të pashfrytëzuara, të mbështetura nga një ekonomi e qëndrueshme, burime njerëzore të kualifikuara, me infrastrukturë rrugore bashkëkohore që po zhvillohet dita-ditës. I pranishëm në mbledhjen e 18-të vjetore të Bordit të Guvernatorëve dhe Forumin e Biznesit të Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, (BERZH) që u zhvillua ditët e fundit në Londër, Angli, z. Fullani prezantoi zhvillimet kryesore të ekonomisë shqiptare dhe sfidave të saj. Guvernatori Fullani u shpreh se "suksesi makroekonomik dëshmon për aftësinë e autoriteteve shqiptare për identifikimin në kohën e duhur të prioriteteve, si dhe për zbatimin e reformave të shëndosha ekonomike dhe shoqërore". "Si rezultat, për herë të parë në vitin 2007, Shqipëria pati gradimin e saj të pavarur lidhur me profilin e rrezikut të saj. Agjencia “Moody” e vlerësoi Shqipërinë me B+, vlerësim i cili ishte i njëjtë edhe për vitin 2008", - tha Fullani. Burime nga Banka e Shqipërisë bënë të ditur se ky eveniment, që u fokusua mbi impaktet e krizës financiare botërore, mblodhi në një tryezë të përbashkët diskutimi aksionerët e kësaj banke së bashku me rreth 1.000 drejtues të lartë të qeverive, si dhe përfaqësuesve të biznesit, organizatave jofitimprurëse dhe medias nga vende të ndryshme, në të cilat BERZH investon. Gjatë qëndrimit në Londër, me ftesë të grupit financiar “Citigroup”, Guvernatori Fullani zhvilloi takime me bankierë dhe ekspertë të ekonomisë, pjesëmarrës në këtë takim.