E Shtunë, 31 Tetor 2026

Parashikimi i BB, energjia do rritet 10-15%

Banka Botërore lidh rritjen e çmimit të energjisë elektrike në Shqipëri me atë të tregut rajonal. Ja dy skenarët e mundshëm


TIRANË- Mos kompensimi në masën e duhur e faturimeve të gabuara, do të rëndojë edhe më tepër xhepat e konsumatorëve gjatë vitit të ardhshëm, pasi, sipas Bankës Botërore, duke nisur nga janari, pritet të aplikohet rritje e re çmimesh për energjinë elektrike.


Vetëm disa javë më parë, përfaqësuesi i Bankës Botërore parashtroi para komisionit të Ekonomisë në Kuvend, dy skenarët e mundshëm, sipas të cilëve pritet të rritet çmimi i energjisë elektrike për konsumatorët shqiptarë.


Kështu, sipas tyre, ecuria e çmimeve në vend do të varet nga ajo në tregun rajonal dhe nëse situata gjatë vitit të ardhshëm do të jetë e njëjtë me ditët e sotme, konsumatori shqiptar do të përballet me një rritje 8 deri në 9 për qind.


Ndërsa një shtrenjtim i çmimit të energjisë në rajon gjatë vitit të ardhshëm, tek konsumatorët vendas do të pasqyrohej më një rritje nga 10 deri në15 për qind. Sipas ekspertëve të energjetikës, muajt e parë të vitit 2009, janë karakterizuar nga një regjim çmimesh të ulëta për energjinë elektrike në rajon, pasi kriza ekonomike ka ulur kërkesën nga industritë e ndryshme për këtë produkt.


Gjatë muajve të parë të vitit 2009, çmimi më i ulët i energjisë elektrike që një kompani importuese ka ofruar për Shqipërinë, ka qenë 49 euro për MË/h, ose deri në 41 euro më lirë se sa është ofruar gjatë vitit 2008, ku çmimet e dhëna nga kompanitë arrinin deri në 100 euro për megavat/orë.


Referuar të dhënave që dha përfaqësuesi i Bankës Botërore, në rast se regjimi i çmimeve në tregun rajonal për vitin 2009, vazhdon të ndiqet edhe gjatë vitit 2010, atëherë një konsumator familjar, i cili ka konsumuar nën 300 kilovat, nuk do të paguajë më 7 lekë, por 7.6 lekë për kilovat. Ndërsa një konsumator familjar që ka harxhuar mbi 300 kilovat, nuk do të paguajë më 12 lekë por 13.8 lekë për çdo kilovat të konsumuar.


Në skenarin më të keq, nëse çmimi i blerjes së energjisë arrin nivelet e vitit 2008, ku çmimi më i ulët i importit ka qenë 63.5 euro për MË/h, konsumatorët familjarë do të paguajnë nga 8 deri në 13.8 lekë për kilovat orë, pa TVSH.


Nëse edhe në vazhdim do të ndiqet e njëjta mënyrë kompensimi për konsumatorët që janë faturuar gabimisht mbi 300 kilovat, xhepat e konsumatorëve do të rëndohen edhe më tej kur të fillojë aplikimi i rritjes së parashikuar të ndodhë janarin e ardhshëm.


 

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›