E Shtunë, 31 Tetor 2026

Durrës-Kukës drejt finalizimit, takohen sondat në tunelin e Thirrës



Takohen sondat në tunelin e Thirrës, që është pjesa kryesore e rrugës Durrës-Kukës. Burime zyrtare të Ministrisë së Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit kanë bërë të ditur dje se punimet në tunelin e Thirrës janë drejt përfundimit. Sipas këtyre burimeve, sondat që punojnë nga të dyja anët e tunelit, që do të bashkojnë Thirrën dhe Kalimashin dje janë bashkuar, çka do të thotë që Tirana dhe Prishtina janë vetëm rreth 10 metra larg. Pika kyçe e rrugës, siç është cilësuar nga specialistët e infrastrukturës tuneli i Thirrës, është tashmë drejt përfundimit dhe kjo premton edhe përfundimin e krejt rrugës Durrës-Kukës-Morinë brenda afateve të përcaktuara nga qeveria shqiptare, e cila pret të bëjë inaugurimin e saj pak ditë para zgjedhjeve të qershorit. Sipas specialistëve, bashkimi i sondave do të thotë dhe dy ditë punime, për të hapur krejtësisht tunelin. Vepra më e rëndësishme dhe më e vështirë për nga ana inxhinierike e rrugës Durrës-Kukës është drejt fundit. Tuneli i dyfishtë, më shumë se 5 km e gjysmë i gjatë, ndër më të mëdhenjtë në rajonin e Ballkanit, pas pak orësh do të shohë dritë në fundit e tij. Kosova dhe Shqipëria janë më pranë në sajë të këtij korridori, që nis në portin e Durrësit e do të përfundojë në Prishtinë. Rruga do të lidhë më lehtë Shqipërinë me rajonin dhe do t’i japë më shumë rëndësi strategjike vendit tonë në Ballkan. Ajo po u ndryshon jetën edhe shqiptarëve që jetojnë përgjatë saj. Pjesa më e rëndësishme e kësaj rruge, nga ana infrastrukturore është segmenti Rrëshen-Kalimash, që cilësohet si një vepër unike në tipologjinë e autostradave malore, i ndërtuar në një gjatësi relativisht të shkurtër, vetëm 61 km, por që zhvillohet në një dinamike impresionuese - mes 34 milionë m3 gërmimesh masive të skarpatave malore deri në 150m lartësi, mes 29 urave me një gjatësi totale prej 4.5 km, me një lartësi maksimale deri në 90m, mes 6 km muresh mbajtëse gjigante. Ndërkaq, brenda këtij segmenti është tuneli i Thirrës prej 5.6 km, më i gjati në rajon, me trafik bi-direksional në dy galeri dhe me një projekt e infrastrukturë të pajisjeve elektro-mekanike të standardeve të fundit bashkëkohore sipas direktivës evropiane të tuneleve të vitit 2004. Në këtë segment janë të angazhuar rreth 3.700 punonjës, 100 makineri e pajisje ndërtimi, të cilat, në sektorë të veçantë, punojnë 24 orë në ditë me një konsum mesatar lëndësh djegëse prej 3 milionë litrash në muaj. Rruga Durrës-Kukës-Morinë ka nga ana tjetër edhe një rëndësi të padiskutueshme ekonomike. Ajo pritet të ketë një impakt direkt nga shkëmbimet tregtare dhe aktiviteti turistik të llogaritet në më shumë se 50 milionë euro në vit. Një rëndësi e veçantë në këtë vepër të rëndësishme i është kushtuar edhe investimit në sinjalistikën e rrugës, duke e përqasur atë me standardet evropiane. Sipas ekspertëve, autostrada Rrëshen–Kalimash përfaqëson standardin më të lartë të korridorit Durrës–Kukës–Morinë, si në aspektin e parametrave gjeometrikë të gjurmës, ashtu edhe në atë të sigurisë dhe komoditetit të lëvizjes së përdoruesve. Disa nga elementet e sigurisë më të spikatura të saj janë: bankina e pritjes së gurëve që siguron një distancë prej 6 m mes vijës së lëvizjes dhe fundit të skarpateve në gërmim; mbrojtja e skarpatave të larta të prirura ndaj erozionit, barrierat metalike me kapacitet mbajtës të lartë; korsia rezervë e asfaltuar e emergjencave; hyrje-dalje të kontrolluara në kryqëzime në disnivel etj.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›