Vrasja e deputetit socialist, familjarët: Ekzekutim politik
Në familjen Xhindi janë hedhur poshtë të gjitha pistat e ngritura për ndonjë konflikt personal të të afërmit të tyre duke e lidhur ekzekutimin e Fatmirit vetëm me detyrën e tij
FIER - Asnjë pistë e asnjë motiv për vrasjen e deputetit socialist Fatmir Xhindi. Kjo vijon të jetë gjendja edhe 23 ditë pas ekzekutimit të tij në oborrin e shtëpisë. Janë thirrur mbi 300 dëshmitarë, të afërm të familjes, të njohur, miq të të ndjerit e megjithatë ende nuk ka ndonjë të dhënë që të çojë në shkakun e vrasjes.
Deri më sot hetimet kanë përjashtuar pistën e pronësisë, ndërsa familjarët kanë hedhur poshtë edhe dyshimet se një lidhje dashurie e djalit të dytë të Xhindit, mund të kishte krijuar "armiq". Ndërkaq, të afërmit e deputetit socialist vijojnë ta quajnë vrasjen me motive politike.
Sipas tyre, Fatmir Xhindi nuk ka pasur asnjë konflikt të mëparshëm, çka mund të ngrinte dyshimet për një ekzekutim me prapaskena personale. Në shtëpinë e deputetit socialist dyert janë të hapura.
Njerëz hyjnë e dalin gjatë gjithë kohës, ndërsa shtëpia, edhe pas shumë ditësh vazhdon të mos jetë bosh. E zeza mbizotëron, ndërsa protesta për atë çka ka ndodhur ndihet pavarësisht heshtjes dhe respektimit të të vdekurit.
Teksa vijojnë të presin vizita në shtëpi, familjarët shprehen se ende nuk janë mësuar me mungesën e të afërmit të tyre e se tashmë presin vetëm zbardhjen e shkaqeve që çuan në vrasjen e tij.
Nuk ka pasur hasmë, nuk ka pasur probleme, nuk ka pasur konflikt me asnjë, e megjithatë u largua duke u qëlluar pas shpine në oborrin e shtëpisë së tij. Kjo është ajo çka vështirë të kapërdihet nga të afërmit.
Tre djemtë nuk janë në shtëpi, pasi i janë rikthyer shkollës, ndërsa të afërmit e tjerë vetëm presin e përcjellin, ndërsa herë pas here merren në pyetje nga policia për dyshimet që ngrihen, duke hedhur poshtë njërën pas tjetrës të gjitha pistat që mund të lidhen me ndonjë motiv personal.
Të vendosur dhe të bindur në atë çka thonë, i vetmi motiv për ekzekutimin e deputetit socialist, sipas familjarëve, është ai politik: një pistë tjetër është e papranueshme për ta.
Xhemile Xhindi, bashkëshortja
Ende s'e kam marrë veten nga ajo që ka ndodhur. Jam e tronditur, dhe jo vetëm unë. Fatmiri ishte një bashkëshort dhe një baba i dashur. Këto kohë po merrej me fushatën, me punët e partisë...
Kanë kaluar disa ditë nga vrasja e tij, por ende policia s'ka thënë gjë. Kërkojmë vetëm që ajo të bëjë punën e saj, sepse ditën që ndodhi ngjarja, policia erdhi me vonesë. Televizionet e morën vesh më shpejt se ata. Kjo gjë nuk na pëlqeu dhe nuk na pëlqen. Ishim të acaruar, sepse na erdhi si një bombë.
Është një humbje e madhe. Fëmijët u larguan, sepse janë në shkollë e flasim përditë, duke i dhënë kurajë njëri-tjetrit. Djemtë e kishin shok të atin. Kërkojmë që kjo ngjarje të zbardhet, sepse vrasja është bërë vetëm për motive politike.
Mbasdite mori emërimin, ndërsa në darkë u vra. Ishte i dyti në listën për deputet. Shokët e Fatmirit na thonë se s'do ta lënë në heshtje këtë gjë, por të shohim.
Xhemil Xhindi, vëllai i madh
Kam dyshimet e mia për vrasjen. Posta e policisë ndodhet vetëm 50 metra larg shtëpive tona. Si ka mundësi që ata nuk e kanë dëgjuar zbrazjen e një karikatori?! Ndërsa ai nuk është parë nga asnjë polic.
Pas ngjarjes lajmërova vëllanë tjetër. E morëm Fatmirin dhe e çuam në spital. Vetëm pulsi i punonte në atë moment dhe në spital mbërriti i vdekur. Nuk e kuptoj ngurrimin e policisë. Po të duan, mund ta zbardhin ngjarjen. Roskoveci një pëllëmb vend është.
Thanë se janë ngritur postblloqe në kohën e ngjarjes, por kur ne u kthyem nga spitali i Fierit, rrugës nuk kishte këmbë polici. Borxh nuk i kishim askujt. Vetë Fatmiri nuk na ka thënë ndonjëherë se kishte ndonjë kontradiktë me njeri, kështu që nuk e kuptojmë vrasjen. Është ngritur një grup hetimor.
Them ishalla e zbardhin vrasjen, por duke parë zvarritjen dyshoj se ata që e vranë, nuk janë vetëm dhe kjo çështje vështirë të zgjidhet. Në shtëpi i ndihet mungesa. Jemi ende të shokuar. Siç e shihni, vizitat vijojnë. Shtëpia mbushet plot çdo ditë. Vijnë njerëz që s'i njohim, por që kishin dëgjuar se ish njeri i mirë.
Mimoza Xhindi, kunata
Shteti po rri i heshtur për këtë ngjarje. Kryeministri kur erdhi për ngushëllim tha se krimineli do të marrë dënimin më të rëndë. Atëherë, pse nuk po e gjejnë? Thjesht këtë pyetje kam për Kryeministrin. Fatmiri s'ishte njeri i thjeshtë, ishte deputet, e megjithatë vijon zvarritja për zbardhjen e vrasjes së tij. Nuk i kishte hyrë njeriu në hak...
Bexhet Xhindi, djali i xhaxhait
Nuk e dimë sa do të vazhdojë ky ankth për familjet tona. Jemi të revoltuar, sepse s'po na thonë asgjë. Kryeministri na premtoi se do të zbardhej shumë shpejt, edhe Presidenti e kryetarja e Kuvendit. Por deri më sot nuk ka asnjë lloj reagimi.
E nëse shteti s'është i aftë, le të kërkojë ndihmën e ndërkombëtarëve, sepse bëhet fjalë për një njeri të veshur me pushtet, për një njeri me imunitet dhe me një karrierë të gjatë politike. Jemi gati të paguajmë për ta ndihmuar shtetin që të gjejë autorët e vrasjes. Zbulimi nuk na e kthen njeriun tonë, por zbut pak dhimbjen. Sepse jemi të bindur që vrasja është bërë për çështje politike.
Ky është një krim i madh e shteti duhet të japë llogari. Nuk ka mundësi të vritet një njeri në oborrin e shtëpisë së vet pa pasur asnjë konflikt. Ky është krim shtetëror, jo krim hasmërie. Fatmiri u zhduk sepse fitonte gjithnjë në zonën e tij...
Resmie Xhindi, nëna
Im bir s'i kishte borxh askujt. I donte njerëzit, u zgjidhte hallin. E vranë te porta, pa i thënë asgjë. Nuk më foli me gojë edhe kur e qava.
Në Roskovec tashmë prej më shumë se tri javësh nuk flitet për asgjë tjetër. njerëzit hyjnë e dalin në shtëpinë e Xhindëve, duke thënë secili variantin e vet e megjithatë duke pohuar në heshtje se politika është vërtet e ashpër, aq sa për të qëlluar edhe pas shpine, pikërisht në shtëpinë tënde. Familja Xhindi vijon të mbajë dyert hapur...
Nishani: Vrasja do të zbardhet shumë shpejt
Pak ditë më parë, ministri Brendshëm, Bujar Nishani, deklaroi se autori i vrasjes së deputetit të Partisë Socialiste, Fatmir Xhindi, do të dalë shumë shpejt para drejtësisë. "Vrasja e deputetit Fatmir Xhindi do të zbardhet shumë shpejt dhe autorët e saj do të dalin para drejtësisë, ku do marrin dënimin e merituar.
Që nga dita e vrasjes e deri më sot hetimet për vrasjen e deputetit po vazhdojnë me një intensitet të lartë. Dhe që nga ajo e ditë e deri më sot kanë ndodhur zhvillime esenciale lidhur me ngjarjen dhe aktualisht strukturat e hetimit po punojnë në pista konkrete.
Kjo ngjarje është e një cilësie të veçantë dhe kërkon kohën e duhur për t'u zbardhur",-nënvizoi ministri, duke i garantuar familjarët dhe opinionin publik se autorët do të vihen para drejtësisë, ku do të marrin ndëshkimin e merituar.
Sipas tij, hetimet kanë hyrë në një drejtim të rëndësishëm dhe aktualisht po hetohet në disa pista, por ngjarja për ministrin e Brendshëm konsiderohet si e veçantë dhe sipas tij duhet një kohë e mjaftueshme për të zbardhur përfundimisht autorët dhe shkaqet e vrasjes së deputetit të opozitës.