E Diel, 1 Nëntor 2026

Vjedhje nëpërmjet faturave të energjisë elektrike

Qindra mijëra konsumatorë familjarë bien pre e mashtrimit duke paguar shuma të mëdha për energjinë që nuk kanë konsumuar


TIRANË- Qytetarët shqiptarë detyrohen në mënyrë abuzive që të paguajnë shuma të mëdha për sasi të energjisë elektrike që nuk i kanë konsumuar.


Një skemë në dukje rastësore ka vite që iu "vjedh" shqiptarëve shuma jo të vogla parash, të cilat rëndojnë ekonomitë familjare.


Gjithçka mbulohet me atë që rëndom quhet "faturim i gabuar", i cili më pas iu kompensohet qytetarëve.


Pikërisht tek kompensimi ndodh edhe "gabimi" pasi tarifimi i energjisë elektrike kryhet me dy tarifa që ndjekin praktikën sa më shumë të harxhosh aq më i lartë do të jetë çmimi i një kilovatori të energjisë elektrike.


Faturistët e energjisë elektrike paraqiten në banesat e qytetarëve dhe kryesisht bëjnë kontrollin e matësve në momentet kur këta të fundit nuk ndodhen aty.


Sahatet matës, të grupuar në hyrje të pallatit kontrollohen nga faturisti i energjisë, i cili shënon shifrën e kilovatorëve që janë harxhuar deri në datën e faturimit të kaluar si dhe shumën reale që ndodhet atë moment në sahat. Diferenca e tyre përbën edhe numrin e kilovatorëve që janë harxhuar nga konsumatori familjar.


Qytetarë të shumtë janë ankuar tek "Shekulli" për një ndryshim të pajustifikueshëm të faturës së energjisë dhe shpesh herë për faturim të gabuar. Kryesisht faturimi i gabuar dhe rritja e pajustifikueshme e faturës ndodh një herë në tre muaj, që përkon me periudhën kur faturistët bëjnë rakordimet e tyre me qendrën.


"Çdo muaj kemi të njëjtin ritëm të konsumit të energjisë por fatura lëviz. Kemi konstatuar me faturistin dhe na ka thënë që do të na kompensohet muajin pasardhës. Realisht na kompensohet, fatura e ardhshme vjen më e ulët",- pohon një grup familjesh.


Burimet zyrtare të OSSH-së shpjeguan se në rastet kur një konsumatori i faturohet gabimisht energji që ai nuk e ka harxhuar, Operatori i Sistemit të Shpërndarjes bën shqyrtimin e çështjes dhe në nëse vërtetohet se qytetari nuk e ka konsumuar atë, aplikohet praktika e kompensimit në muajin pasardhës, duke e quajtur të përfunduar si proces. Këtë rrugë, zyrtarë të OSSH-së, e cilësojnë si të vetmen mënyrë të drejtë për kompensimin e konsumatorëve.


Por realisht konsumatorët e faturuar gabimisht, nuk kompensohen në masën e duhur siç pretendon OSSH-ja. Nëse rezulton se, gabimisht, janë faturuar mbi 300 kilovat, detyrimisht për të përfituar kompensimin, ata duhet të paguajnë faturën.


Por, sipas listës së çmimeve të Entit Rregullator të Energjisë për konsumatorët familjarë, çdo kilovat i harxhuar mbi shkallën 300, nuk paguhet më me 7 lekë, por me 12 lekë. Ndërkohë në rastin konkret, gjithmonë kur është faturuar gabimisht, OSSH aplikon kompensimin e sasisë së faturuar gabim, muajin pasardhës, por që llogaritet me 7 lekë kilovati. Pra, qytetarëve që kanë përfituar nga kompensimi i OSSH-së, iu merret abuzivisht 5 lekë më shumë për çdo kilovat të faturuar gabim mbi shkallën, 300.


Praktika e ndjekur nga OSSH-ja për kompensimin e konsumatorëve që janë faturuar gabim, funksionon në rregull për ata që kanë harxhuar nën 300 kilovatë vetëm kur leximi i matësve bëhet në datën e duhur nga faturistët. Pasi, nëse leximi i matësve bëhet, një herë për muajin dhe herën tjetër më vonë ose më herët, rrezikon që të kalohet shkalla mbi 300.

Avokati i Popullit
Po cenohen të drejtat e konsumatorëve


Në raportin vjetor të Avokatit të Popullit për vitin 2008, pasqyrohen me dhjetëra ankesa dhe pretendime të qytetarëve në lidhje me abuzimet në faturimin e energjisë elektrike. Pavarësisht masave administrative që OSSH-ja ka marrë ndaj faturistëve, nuk është bërë asgjë në lidhje me interesat ekonomike të cenuara të konsumatorëve.


"Shpeshherë abonentët kanë paguar detyrime të tepërta, të cilat realisht nuk janë rimbursuar kurrë. Nga ana e drejtuesve të OSSH-së, janë marrë masa kryesisht kundrejt faturistëve të zonave përkatëse, por për interesat ekonomike të cenuara të konsumatorëve nuk është bërë asgjë ",- citohet në raport.


Drejtori i shitjeve shpjegon mënyrën se si procedohet në rastet e faturimit të gabuar
Shkëmbi: 9000 ankesa në tre muaj


TIRANË- Drejtori i shitjeve në Operatorin e Sistemit të shpërndarjes shpjegon rrugët që ndiqen nga kjo e fundit nëse një konsumatori i janë faturuar gabim mbi 300 kilovat. Sipas tij, në rastet kur pas shqyrtimit të çështjes vërtetohet ky fakt, merren masat që sasia e mbifaturuar t'i kompensohet konsumatorit në muajin pasardhës derisa tregimi fakt i matësit të arrijë tregimin sipas faturës.


Një rrugë tjetër është edhe ngritja e gjendjes fakt në matës duke marrë përsipër riskun e gabimit te kryer gjate faturimit. Një rrugë tjetër që Operatori i Sistemit të Shpërndarjes ndjek në këto raste është edhe lënia në ngarkim të vetë faturistit të të gjithë sasisë së mbifaturuar.


Sipas zyrtarëve të OSSH-së, për tre muajt e parë të vitit 2009, pranë zyrave të këtij operatori, janë dërguar rreth 9000 ankesa, ku vetëm 12.4 për qind e tyre kanë të bëjnë me mbifaturimin, faturimin aforfe, apo leximin e pasaktë.


"Vlen te theksohet se gabimi në faturim mund të jetë për shkaqe objektive dhe subjektive, që do të thotë se nuk janë të pakta rastet kur vijnë për shkak të leximit gabim apo të hedhjes gabim në sistem",- shprehet drejtori i shitjeve në OSSH, Ilirjan Shkëmbi, duke shtuar se, pavarësisht se ankesat mund të shfaqen si problematike në numër, "për sa i përket faturimit, nga verifikimi në vend konstatojmë se në masën 80 deri 90 për qind të rasteve, nuk qëndrojnë".


 

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›