E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ankesa, pacientëve nuk u merret firma për ndërhyrjet

09/04/2012  Mjekët nuk i informojnë për operacionet

Duke iu referuar ankesave të shumta të pacientëve në lidhje me shërbimet që marrin në spitale, ndër më problematiket rezulton të jetë mungesa e informimit të tyre nga ana e mjekëve për rreziqet që mund të mbartin ndërhyrjet kirurgjikale. Krahas ankesave që janë ngritur në lidhje me lëshimin e recetave apo neglizhencat në trajtim, drejtuesit e Urdhrit të Mjekut kanë deklaruar se ankesat janë ngritur edhe për shkak të shkeljes së një prej pikave të kodit të etikës, ku mjekët nuk marrin firmën e pacientëve para çdo ndërhyrje që kryhet. Kreu i urdhrit, Din Abazaj, ka deklaruar se jo të gjithë mjekët u sqarojnë pacientëve apo familjarëve diagnozat apo rreziqet shëndetësore me të cilat mund të përballen pas zhvillimit të operacioneve. “Nëse kjo pikë e etikës do të respektohej, qytetarët do të ankoheshin më pak. Problemi i marrjes së firmës të të sëmurit apo familjarit, nëse i sëmuri nuk është koshient, ose është i paaftë të vendosë për veten e tij, është në kodet e etikës në të gjitha sistemet shëndetësore dhe në kodin tonë të etikës. I sëmuri, familjari, kujdestari i tij, ai që është përgjegjës informohet me hollësi. Këtë e kanë për detyrë ta bëjnë mjekët. Realisht këtë nuk e bëjnë aq mirë të gjithë, ndaj vijnë kaq ankesa", - ka deklaruar Abazaj. Më tej ai sqaron se është e nevojshme që për pacientët e dëmtuar duhet të hartohet një ligj që ti dëmshpërblejë ata, nëse gabimi i mjekut verifikohet. Për këtë duhet të ketë një ligj dhe çdo institucion duhet ti përgjigjet kërkesës së familjarit ose të të sëmurit për një dëm që i shkaktohet në spital, duke u vlerësuar fillimisht në rrugë gjyqësore e më pas të dëmshpërblehet. Gjatë vitit të shkuar pranë Urdhrit të Mjekut janë depozituar 90 ankesa nga pacientët.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›