Ankesa që është përfshirë në rekomandimin e Dobjanit
Nga ankesat e ardhura pranë institucionit tonë, rezulton i pazgjidhur prej disa vitesh problemi i mosderdhjes se kontributit të sigurimeve shoqërore për bashkëshortet e ushtarakëve që kanë përfituar pagesën e papunësisë për vitet 1993-2003. Në këtë kuadër po ju prezantojmë rastin konkret të një ankese të ardhur pranë Institucionit të Avokatit të Popullit. Sipas shpjegimeve të parashtruara nga ankuesi Xh. M., ai ka qenë efektiv i forcave të Policisë deri në vitin 2005. Gjatë kohës që ka punuar si oficer Policie është transferuar nëpër qytete të ndryshme dhe bashkëshortja e tij është paguar me pagesë papunësie gjatë periudhës 1992-2005 në bazë të Ligjit Nr. 7496, datë 03.07.1991 “Për Statusin e Ushtarakut të Forcave të Armatosura”.
Aktualisht bashkëshortja e tij ka përfituar grupin e dytë të invaliditetit. Pasi ka plotësuar dokumentacionin për të përfituar pensionin e invaliditetit dhe i ka dorëzuar në Drejtorinë Rajonale të Sigurimeve Shoqërore në Tiranë, i është kthyer përgjigje se nuk e përfiton këtë pension pasi 13 vitet e pagesës së papunësisë nuk i njihen si vjetërsi pune, sepse nuk ka derdhur kontribute. Pas depozitimit të ankesës, i drejtuam kërkesë për shpjegime Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit. Ky institucion e ka konsideruar të drejtë këtë ankesë, por ka sqaruar se për vitet 1991 deri më 16 shtator 2003, nuk ka pasur akt normativ të miratuar që të zgjidhë skemën e sigurimeve shoqërore. Derdhja e kontributeve të bashkëshorteve apo bashkëshortit të trajtuar me pagesë papunësie u bë e mundur vetëm pas miratimit të VKM-së nr. 507 datë 18.07.2003 “Për kompensimet, privacionet dhe humbjet që i krijohen punonjësit të Policisë së shtetit, për shkak të nevojave të punës dhe shërbimit”. Në vijim të shqyrtimit të mëtejshëm të ankesës kërkuam shpjegime pranë Institutit të Sigurimeve Shoqërore, në lidhje me qëndrimin e mbajtur nga ana e tyre për zgjidhjen e këtij problemi. Në përgjigjen e tyre theksohet se, sipas pikës 3 të nenit 91 të Ligjit nr. 7703, datq 11.05.1993 “Për Sigurimet Shoqërore në Republikën e Shqipërisë” (i ndryshuar), është përcaktuar se koha pas hyrjes në fuqi të këtij ligji, datë 01.10.1993, njihet si periudhë e sigurimit shoqëror vetëm kur është derdhur kontribut sipas këtij ligji. Ndërsa në pikën 2 të këtij neni është parashikuar se periudhat në të cilat nuk është punuar, por të njohura si vjetërsi pune për sigurimet shoqërore përpara hyrjes në fuqi të këtij ligji, do të njihen si periudha të sigurimit edhe për këtë ligj. Sa më sipër, duke qenë se në emër të bashkëshortes së ankuesit nuk janë derdhur kontribute nga organet e Policisë, ku punonte ankuesi, nga ana e Drejtorisë Rajonale të Sigurimeve Shoqërore në Tiranë nuk mund të njihet vjetërsia në punë për periudhën e përfitimit të pagesës së papunësisë (1993-2003).
9 Qershor 2008