Bonjek: “Polakët, 16 herë më inteligjentë se gjermanët”
Midis Gjermanisë e Polonisë, skuadrat e të cilave do të përballen të dielën në Klagenfurt, “lufta e tabloidëve” ka arritur kulmin. Fotomontazhet tallëse dhe deklaratat therëse vazhdojnë të publikohen me ritëm të çmendur. Pas fotomontazhit të publikuar në “Super Ekspres”, ku trajnerit të Polonisë, holandezit Leo Benhaker i kërkohej t’i sillte në Poloni kokat e trajnerit të Gjermanisë, Lev e kapitenit Balak, një tjetër fotomontazh provokativ u publikua në tabloidin me 500 mijë kopje “Fakt”. Trajneri Benhaker paraqitej me shpatë ku në majë të saj ishte koka e Mikael Balak. Por “beteja” shkon edhe më tej. Kësaj radhe nga ylli i futbollit polak, Zbiginjev Bonjek. “Futbollistët polakë janë gjashtëmbëdhjetë herë më inteligjentë se lojtarët gjermanë”.
Pasaportat, në lupën e Interpolit
Interpol, organizata ndërkombëtare e policisë kriminale me qendër në Lion, pohoi se pasaportat e gjithë tifozëve që do të ndjekin Kampionatin Europian do të kontrollohen, deri sa të verifikohen nëse ato bëjnë pjesë në fondin botëror të dokumenteve të udhëtimit të vjedhura apo të humbura. Kontrolli në Austri e Zvicër është në fuqi prej dy vjetësh. “Deri tani janë bërë 15 mijë verifikime të përditshme, ku kanë rezultuar 20 tentativa për të hyrë në dy vendet me letra të falsifikuara”, - deklaroi një zëdhënës i Interpolit.
Balak: “Janë dhjetë ekipe favorite”
Mikael Balak, kapiteni dhe udhëheqësi i lojës së Gjermanisë, pohoi se ka një numër të madh ekipesh që aspirojnë titullin kampion. Lojtari i Çelsit thotë: “Në kampionat nuk ka asnjë ekip pa ambicie për ta fituar atë. Të gjithë duan të njëjtën fjë. Le të themi që janë 10 apo 12 ekipe që mund të kurorëzohen kampionë dhe që Gjermania është një prej tyre”. Gjermania do ta nisë turneun me ndeshjen kundër Polonisë. Balak është i bindur se ekipit të tij i duhet vetëm fitorja. “Të fitojmë të dielën është shumë e rëndësishme, pas do të na lejojë të krijojmë një dinamikë, por siç ndodh rëndom ndeshjet e para nuk mund të kalojnë ashtu siç shpresohet. Nga an tjetër, Gjermania kurrë nuk ka humbur me Poloninë dhe dëshiroj që kjo të vazhdojë”. Në 15 përballje që nga viti 1933, Gjermania ka fituar 11 herë, ndërkohë që me fqinjët e saj janë ndarë katër herë në barazim.
Pjesëmarrje në finale
Gjermania: 10
Rusia : 9
Spanja: 8
Holanda: 8
Italia: 7
Franca: 6
Çekia: 6
Suedia: 4
Portugalia: 5
Rumania: 4
Zvicra: 3
Greqia: 3
Turqia: 3
Kroacia: 3
Austria: 1
Polonia: 1
Kampionatet dhe fituesit
1. Francë 1960: Bashkimi Sovjetik
2. Spanjë 1964: Spanja
3. Itali 1968: Italia
4. Belgjikë 1972: Gjermania
5. Jugosllavi 1976: Çekosllavakia
6. Itali 1980: Gjermania
7. Francë 1984: Franca
8. Gjermani 1988: Holanda
9. Suedi 1992: Danimarka
10.Angli 1996: Gjermania
11.Belgjikë/Holandë 2000: Franca
12.Portugali 2004: Greqia
13.Austri/Zvicër 2008: ?
Ceh: “Me këtë top pëson gol nga 30 metra”
Ylli i Çelsit, portieri Petër Cech, 26 vjeç, ndjen se topi që do të përdoret në Kampionatin Europian do të krijojë jo pak probleme për portierët. Sfera merr një devijim të papritur gjatë fluturimit të saj. Cech thotë: “Topi i ri është realisht i paparashikueshëm. Ne do të shohim shumë gola nga 30 metra. Topat janë kaq të shpejtë, ata kanë thyer çdo rezistencë të erës dhe mund të ndryshojnë drejtimin në çdo sekondë, madje edhe në pesë metrat e fundit”, - tha portieri i Çekisë, duke folur për faqen online të Federatës Zviceranë të Futbollit. Edhe portieri i Gjermanisë, Jens Lehman, kishte bërë më parë kritikat e tij në lidhje me topin e Europianit, i cili starton të shtunën me ndeshjen Zvicër-Çeki.
Heidel: “Nuk solla një Balak, por Hyka kërkohej nga 10 ekipe”
Pas ditëve me ritëm të kurorëzuar me nënshkrimin e kontratave, te FSV Mainz 05, skuadra e re talentit shqiptar Jahmir Hyka, është rikthyer qetësia, por dhe momenti i duhur për të bërë në bilanc të parë të merkatos. Manaxheri Christian Heidel flet padyshim edh për blerjen e ish-lojtarit të Tiranës. “Nuk mund të premtoj se do të sjell në ekip një Mikael Balak, por për rastin e Jahmir Hykës ishin saktësisht dhjetë ekipe të tjera që prisnin. Ne i kemi përgatitur mirë të gjitha transfertat, përndryshe do t’i kishim humbur duelet me të tjerët”, - thotë Heidel për rhein-zeitung.de.
Klubi gjerman i themeluar në vitin 1905 ka një politikë të qartë në rekrutimin e lojtarëve të rinj, në maturimin dhe shitjen me qëllim përfitimi. Vetëm një ditë pas angazhimit të lojtarit të Kombëtares shqiptare, “Maradonës shqiptar” Jahmir Hyka (20 vjeç), Mainz 05 shiti te Borusia e Dortmundit qendërmbrojtësin Neven Subotiç (19 vjeç): shuma e transferimit 5 milion euro.
“Transferimi i Subotic te Borusia e Dortmundit është transferimi më i madh në historinë e Bundesligës 2. Unë e di që do të ketë kritikë, që do të thonë, sesi është e mundur që ne lamë të na ikte një djalosh i tillë. Unë u përgjigjem, se ne do të shkojmë në këtë rrugë më tej. Ne kemi përfituar gjatë dy viteve rreth 10 milionë euro nga transferimet. Kur dikur nga një transferimi fituam 300 mijë marka nuk kam fjetur për dy ditë”. Edhe trajneri Jorn Andersen shprehu më parë kënaqësinë e blerjes së talentit shqiptar. “Unë e di, që Jahmir Hyka kërkohej nga shumë klube në Gjermani e vende të tjera. Me të ne kemi marrë një futbollist të shpejtë dhe krijues, i cili është në gjendje të prodhojë momente surprizë në fazën ofensive”. Gjithsesi, Heidel është i qartë: “Mos prisni mrekulli nga ai. Është vetëm fillimi”. Në Shqipëri 20-vjeçarin Hyka e mbajnë si një talentet më të mëdha të dhjetë viteve të fundit. Nofka e tij “Maradona e Ballkanit” ka ndikuar jo pak në transferimin e tij te klubi gjerman, aq më tepër që ai shihej si pasuesi i 22-vjeçarit Luka Modriç te Dinamo e Zagrebit, i cili u transferua për 21.5 milionë euro te Tottenham Hotspurs. Sipas Heider, Hyka, kartoni i të cilit ishte pronë e Olimpikut të Tiranës, një skuadër e kategorisë së dytë shqiptare, do të jetë në krahun e majtë të mesfushës së avancuar së bashku edhe me rivalin e tij, Markus Feulner. Mainz ka blerë deri tani Peter van der Heyden (VfL Ëolfsburg), Aristide Bance, Niko Bungert (të dy nga Kickers Offenbach), Felix Borja (Olympiakos Pireus), Florian Heller (Erzgebirge Aue) dhe Jahmir Hyka (Olimpik Tirana). Hyka ndodhet për momentin në Itali, por më 27 qershor, dy ditë para grumbullimit zyrtar të ekipit për kryerjen e fazës përgatitore, ai do të jetë në Gjermani. Testi i parë i Jahmirit me fanellën e kuqe të skuadrës së re do të jetë, më 5 korrik, kundër një ekipi amator, Bavaria Ebernburg. Gati, një muaj më pas do të jenë dhe provat serioze në “Kaiserstuhl-Cup”, ku kundërshtarë janë SC Freiburg dhe Bayer Leverkusen.
Ibra: “Nder të punoj me Mourinjon”
Nga qendra e grumbullimit të Kombëtares suedeze, Zlatan Ibrahimoviç i jep mirëseardhjen Hoze Mourinjo. Sulmuesi i Interit ka vetëm deklarata mjaltë për teknikun portugez. “Është një trajner i madh, - thotë Ibra, - dhe, nga ato që di, ka gjithmonë raporte të mira me lojtarët e tij. Jam me të vërtetë i paduruar të punoj me të. Për mua është një nder”. Shpresat e suedezit, janë po ato të gjithë tifozëve zikaltër. Ish-trajneri i Portos dhe Çelsit do të konfirmojë në Milano famën e tij fituese “Ka një kurrikulum të jashtëzakonshëm, - vazhdon Ibrahimoviç. “Shpresoj që me të fitojmë disa tituj”. Ibra foli edhe për divorcin midis Roberto Mançinit dhe Interit, duke thënë se i vinte keq për teknikun. “Ka bërë një punë të mirë dha më të mirën e tij”.
7 Qershor 2008