E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dobjani: “Qeveria duhet te paguaje kontributet e grave të ish-ushtarakëve”

Avokati i Popullit kërkon identifikimin e personave që kanë pasur këtë problem. Pritet përgjigje nga ministri i Mbrojtjes dhe institucionet e tjera

Laureta Rryçi
Bashkëshorteve të ish-ushtarakëve nuk u janë derdhur kontributet shoqërore për vitet që kanë përfituar pagesën e papunësisë. Gjithçka është zbuluar në momentin kur ato kanë dashur të bëjnë kërkesën për pension, duke qenë se pretendonin se kishin mbushur moshën. Mirëpo ISSH-ja nuk ua ka njohur këtë periudhë dhe atyre i bie që të u jenë derdhur për dhjetë vite me radhë kontributet shoqërore. Duke mos gjetur zgjidhje, një pjesë e mirë e ish-ushtarakëve i janë drejtuar Avokatit të Popullit për t’u dhënë ndihmën ligjore. Pasi është njohur me ankesat, Avokati i Popullit fillimisht ka komunikuar edhe me institucionet përkatëse për të parë realisht se ku qëndronte problemi. Më pas Dobjani ka përpiluar një rekomandim për institucionet që duhet të ndërmarrin nismat përkatëse për këtë ngërç që ka ardhur dhe si pasojë e ligjeve që nuk janë vijuar me aktet normative përkatëse.
Arsyetimi
Rekomandohet marrja e masave organizative dhe ligjore për zgjidhjen e problemit për mosderdhjen e kontributeve shoqërore të bashkëshortit/es së ushtarakëve që kanë përfituar pagesën e papunësisë për periudhën 1993-2003. Nga analiza e dispozitave ligjore e nënligjore që e rregullojnë këtë çështje, konstatojmë sa më poshtë: Më datë 03.07.1991 është miratuar Ligji Nr. 7496 “Për Statusin e Ushtarakut të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë”, i cili në nenin 17, paragrafi i dytë, përcakton se: “… Koha e qëndrimit pa punë të bashkëshorteve ose bashkëshortit të ushtarakut deri në 15 vjet, në rastet kur në vendbanimin përkatës të ushtarakut nuk ekzistojnë mundësi punësimi, llogaritet në vjetërsinë e përgjithshme të punës për pension”.
Nga viti 1991 deri në vitin 1999 ekzistonte një ligj i përbashkët si për punonjësit e Policisë, ashtu dhe ato të Ushtrisë. Më datë 25.11.1999 u miratua Ligji Nr. 8553 “Për Policinë e Shtetit”, i cili në nenin 63, pika 3, përcakton se: “… Paga mujore e punonjësit të Policisë përbëhet nga paga bazë, shtesat mbi pagën bazë dhe kompensimet për privacionet dhe humbjet që i krijohen punonjësit të Policisë, për shkak të nevojave të punës e të shërbimit”. Në zbatim të këtij neni, u miratua VKM nr. 507 datë 18.07.2003 “Për kompensimet, për privacionet dhe humbjet që i krijohen punonjësit të Policisë së Shtetit, për shkak të nevojave të punës dhe të shërbimit”. Neni 2 i këtij vendimi përcakton: “.... kontributi i sigurimeve shoqërore derdhet nga institucioni dhe përfituesi sipas skemës së Sigurimeve Shoqërore për punonjësit civilë”. Pra, me këtë akt nënligjor u rregullua detyrimi i institucioneve, të cilët jepnin pagesën e papunësisë për të derdhur kontributet shoqërore. Por kjo vetëm për periudhën pas hyrjes në fuqi të këtij ligji. Kështu që, nga viti 1993 deri në vitin 2003 është parashikuar vetëm në ligj njohja e periudhës së përfitimit të pagesës së papunësisë në vjetërsinë e punës, pa u mbështetur me derdhjen reale të pagesave të sigurimeve.
Ligji
Pra, ligji nga njëra anë ua njihte të drejtën të gjithë personave që kjo pagesë papunësie t’u njihet si vjetërsi pune, ndërsa nga ana tjetër asnjëherë ky parashikim ligjor nuk u detajua me një akt nënligjor, i cili të parashikonte detyrimin e institucioneve për të derdhur kontribute shoqërore. Administrata publike në vitet 1993-2003 nuk ka realizuar detyrimin e saj për të zgjidhur problemin në fjalë. Këtë mosfunksionim të administratës publike nuk duhet ta vuajnë qytetarët.

Rekomandimi
1. Marrjen e të gjitha masave organizative dhe ligjore për identifikimin e numrit të përgjithshëm të personave që kanë përfituar pagesën e papunësisë nga Ligji Nr. 7496 date 03.07.1991 “Për Statusin e Ushtarakut të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë”, për të përcaktuar faturën financiare, e cila duhet të derdhet pranë Sigurimeve Shoqërore, në mënyrë që periudha 1993-2003 t‘u njihet realisht si vjetërsi pune të interesuarve.
2. Nxjerrjen e një akti normativ për derdhjen nga Buxheti i Shtetit të shumës përkatëse pranë sigurimeve shoqërore për periudhën 1993-2003, me qëllim që të zgjidhet në praktikë problemi.

9 Qershor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›