Rama: Varfëria dhe korrupsioni janë ulur këmbëkryq
"Varfëria, papunësia, korrupsioni janë ulur këmbëkryq mbi Shqipërinë dhe shqiptarët". Me këtë konstatim u është drejtuar dje kreu socialist, Edi Rama, banorëve të fshatrave të Shkodrës. Sipas tij, janë fenomene që i jetoni çdo ditë në shtëpitë tuaja, ku tryeza është më e varfër. "Kemi një pamundësi për të jetuar me punë të ndershme, ashtu siç do duhet të ishte jeta e burrave dhe grave që punojnë, sakrifikojnë dhe që ndershmërisht fitojnë bukën e gojës", theksoi Rama. Ai vuri në dukje faktin se gjysma e tokave është djerrë dhe kjo do të thotë të mos punohet toka. "Por fjalët janë të tepërta, sepse varfëria flet vetë; sepse papunësia flet vetë; sepse injoranca flet vetë me aktet e saj të dhunës dhe korrupsionit", u shpreh Rama. Në këndvështrimin e kreut socialist fjalët janë të tepërta, sepse është koha e bashkimit, koha e lidhjes mes njerëzve, jo përmes rrugëve të partive, por në rrugën e përbashkëta të transformimit dhe ndryshimit rrënjësor të kësaj gjendjeje. "Fjalët janë të tepërta sot, sepse çdo fjalë nuk e përcakton dot thikën e papunësisë, plagën e varfërisë, por fjalët janë të tepërta sepse është koha që varfëria, papunësia, injoranca, fryma e korrupsionit të zmbrapsen", këmbënguli ai. Rama i mëshoi idesë së bashkimit të socialistëve dhe demokratëve të thjeshtë, në emër të fëmijëve, familjeve të tyre, në emër të tokave të papunuara, në emër të etjes dhe urisë, në emër të domosdoshmërisë për të ndërtuar një të ardhme në atdheun tonë. Duke folur përpara fermerëve të Malësisë së Mbishkodrës, në Komunën Rrethinë, Rama theksoi se ndryshimi i pritur prej shumë vitesh mund të vijë vetëm përmes një politike të re për fshatin. "Sado fjalë të thuash, ato nuk e përshkruajnë dot jetën reale të shqiptarëve, sidomos atyre që jetojnë në fshat, në periferi, në qendra të vogla urbane, ku problemet shkojnë duke u rënduar dhe zgjidhjet e tyre shkojnë duke u përkeqësuar", tha Rama. "Secili prej jush, shtoi ai, duhet të besojë te vetja dhe të gjithë bashkë duhet të besojmë se mund t‘ia dalim në betejën me varfërinë, papunësinë, me injorancën, me korrupsionin".