Biberaj: Turi i PD-së është bashkëbisedim me elektoratin
Gjatë turit të vizitave në Kukës, Has dhe Tropojë, deputeti Aleksandër Biberaj ka theksuar se kjo fushatë duhet të shërbejë edhe për një bashkëbisedim me elektoratin. Në përfundim të këtyre takimeve, të zhvilluara në Kukës, Tropojë dhe Has, janë miratuar edhe grupet e punës, që do të ndjekin fushatën e zgjedhjeve për çdo njësi të qeverisjes vendore. Konkretisht janë miratuar 26 grupe pune që do të ndjekin fushatën e zgjedhjeve në Qarkun e Kukësit, grupe që drejtohen nga anëtarë të kryesisë së degëve respektive të PD-së, apo nga të zgjedhur lokalë. Në grupet e punës bëjnë pjesë, përveç anëtarëve të kryesive, edhe të zgjedhur lokalë, përfaqësues të PD-së në qeverisjen rajonale, përfaqësues të Forumit Rinor dhe të Forumit të Gruas, si dhe intelektualë me reputacion.