E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ankesat, 16 mijë lekë për rishikimin e pikëve

28/05/2009  Matura 2009, ndryshojnë procedurat për riparjen e testit në rastet kur vlerësimi është bërë gabim

Përveç tërheqjes së kopjes së testit të vlerësuar tarifë tjetër për rishikimin e rezultateve

Parregullsitë që do të gjenden në vlerësimet e testeve të maturës do të rishikohen nga komisione të posaçme, që do të ngrihen pranë Agjencisë së Vlerësimit të Arritjeve të Nxënësve. Rregullorja e provimeve për 2009-n ka ndryshuar rrënjësisht procesin e ankimit të rezultateve, ndryshe nga procedurat e viteve të shkuara. Megjithatë, ndryshimet e bëra do të pasohen edhe me rritje të kostos financiare që maturantët duhet të derdhin për të mundësuar jo vetëm tërheqjen e kopjes së testit të plotësuar, por edhe për të zyrtarizuar rishikimin e tij në rastet e gjetjes së gabimeve të mundshme. Sipas llogaritjeve në total, një maturant që të ankimojë rezultatin e provimit duhet të paguajë rreth 16 mijë lekë për secilin nga provimet. Për këtë vit në total pohohet të jenë rreth 40 mijë aplikime për provimet e detyruara. Maturantët do t’i nënshtrohen provimit të parë të Maturës Shtetërore më 2 qershor, që do të zgjasë rreth 2 orë e gjysmë. Brenda kësaj kohe maturantët duhet të japin përgjigjet për rreth 25 pyetje, të cilat janë të kombinuara me alternativa dhe me zhvillim.

Tarifat

Rriten tarifat e ankimimit të rezultatit. Nëse maturantëve do t’u duhet të paguajnë në fillim një kosto prej 400 lekë të reja për të mundësuar tërheqjen e kopjes së testit të tyre, për rastet kur nga rishikimet e korrigjimit të bërë në këtë test do të rezultojnë mangësi apo parregullsi, atëherë ky maturant duhet të paguajë edhe një tjetër tarifë në vlerën e 12000 lekëve. Kjo e fundit do të ketë në thelb rishikimin e plotë të testit dhe pikëve të përcaktuara për çdo përgjigje të dhënë.

Rregullorja

Çdo nxënës pjesëmarrës në provimet e Maturës Shtetërore pas shpalljes së rezultateve të provimit, në bazë të njohjes me skemat e publikuara të vlerësimit, ka të drejtë të kërkojë nga AVA-ja rivlerësim të testit të tij. Për këtë brenda 4 ditëve pas shpalljes së rezultateve të provimit ai paraqet pranë komisionit të Maturës Shtetërore në shkollën e tij një kërkesë dhe mandatarkëtimin e pagesës së një tarife, masa dhe modalitetet e pagesës të së cilës është përcaktuar nga Ministria e Arsimit në vlerën 4 mijë lekë, plus tarifës tjetër që duhet të paguajnë për rishikimin. Pas grumbullimit të gjitha këto kërkesa u përcillen drejtorive arsimore përkatëse dhe do të jenë këto të fundit që do t’i risjellin në AVA, ku mund të bëhet rivlerësimi. Kjo procedurë duhet të kryhet brenda pesë ditëve nga shpallja e rezultateve të provimit, ndërsa në AVA këto kërkesa duhet të dorëzohen 7 ditë që nga shpallja e rezultateve. Pranë kësaj agjencie ngrihen grupet e vlerësimit të testeve me vlerësues të trajnuar. Rivlerësimi bëhet me të njëjtat rregulla e procedura si vlerësimi i testeve, duke vazhduar të jenë të sekretuara me barkode testet që rivlerësohen. Rezultatet e rivlerësimit dërgohen zyrtarisht nga AVA-ja pranë drejtorive arsimore në një afat nga 15 deri 30 ditë nga data e shpalljes së rezultateve të provimit dhe konsiderohen rezultate përfundimtare të nxënësve. Këto të fundit njoftojnë shkollat sipas një rendi të caktuar në lidhje me secilën prej ankesës së bërë dhe ndryshimin e rezultatit për rastet kur është parë e nevojshme.

Skema e vlerësimit

Skema e vlerësimit është një standard vlerësues i njëjtë për çdo kandidat. Çdo përgjigje e plotë, e saktë ose e pjesshme e dhënë nga nxënësi për çdo kërkesë vlerësohet me pikë sipas skemës së vlerësimit, si dhe me 0 (zero) pikë kur jep përgjigje të gabuar, kur nuk jep asnjë përgjigje ose kur në pyetjet me alternativa shënon më tepër se një alternativë. Vlerësues i jashtëm për provimet e Maturës Shtetërore është çdo mësues i shkollës së mesme, pedagog ose specialist me përvojë në mësimdhënie në lëndën që zhvillohet provimi për secilin komponent të maturës.

Përzgjedhja

Drejtori i AVA-së emëron vlerësuesit e jashtëm dhe përgjegjësit e tyre. Zgjedhja e vlerësuesve të testeve bëhet çdo vit. Numri i tyre është në varësi të numrit të testeve që vlerësojnë dhe kohës së shpalljes së rezultateve të vlerësimit. Çdo test vlerësohet nga dy vlerësues. Kur midis dy vlerësuesve ka ndryshime pikësh për të njëjtat kërkesa, përgjegjësi i vlerësuesve të lëndës cakton një vlerësues të tretë, vendimi i të cilit është përfundimtar. Ministria e Arsimit ngre komisione të posaçme, që shqyrtojnë rast për rast të gjitha testet që raportohen si të dyshimta për kopjim.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›