Viç me 6 këmbë dhe biseksual
28/05/2009 LUSHNJE- Është shënuar çudia e radhës në fshatin Karbunarë të rrethit të Lushnjës. Në fshatin Karbunarë të rrethit Lushnjë në banesën e Pëllumb Kasapit rreth tre javë më parë lopa që ai mbante në kasolle ka lindur një viç. Viçi që ka lindur me gjashtë këmbë dhe me dy organet gjenitalë. Kasapi e ka mbajtur viçin duke e ushqyer atë me qumështin e lopës. Kasapi ka pohuar se kafsha e pazakontë pinte në ditë rreth pesë litra qumësht. Sipas të dhënave që jep Pëllumb Kasapi, mësohet se dy organet gjenitale të viçit janë të ngjitura me njëra-tjetrën, ndërkohë që këmbët, të gjashta, nuk janë shumë të fuqishme dhe viçi nuk mund që të qëndrojë në këmbë. Lindja e këtij viçi ka tërhequr vëmendjen e banorëve të zonës, të cilët për të shuar kureshtjen kanë shkuar dhe e kanë parë krijesën e rrallë. Kasapi në lidhje me lindjen e viçit ka njoftuar edhe punonjës të Drejtorisë së Bujqësisë së rrethit Lushnjë, të cilat pasi e kanë parë krijesën kanë vendosur që të ndërhyjnë tek ai me anën e veprimeve kirurgjikale. Ata kanë pohuar që do ta operojnë duke i hequr dy këmbë nga gjashtë që ai ka dhe një nga organet gjenitale. Ndërsa të zotët e shtëpisë kanë pohuar se nëse viçin do ta kërkojnë për ta shitur, do ta japin, ose do ta shesin për mish. Specialiste të zooveterinarisë, pasi e kanë parë viçin e çuditshëm kanë pohuar se lopa mund të ketë pasur probleme në enën mbajtëse të lopës si dhe me kordonin.