E Shtunë, 31 Tetor 2026

Albtelekom sjell planin e ri tarifor “Pa limit”

28/05/2009  Kush abonohet deri më 29 maj, përfiton modem, instalim dhe dy muaj internet falas

Abonentët familjarë mund të flasin pa fund me një pagesë fikse 500 lekë në muaj

Kompania Albtelekom prezantoi dje planin e ri tarifor për të gjithë abonentët familjarë. Ata që kanë një telefon fiks mund të flasin gjatë dhe pa limit vetëm duke paguar 500 lekë në muaj. Ka qenë vetë drejtori i përgjithshëm i Albtelekomit, Mustafa Resit Akdogan, i cili prezantoi paketën e re. Sipas tij, ashtu sikundër është premtuar më parë kompania ka përgatitur një paketë shumë të veçantë për të gjithë abonentët familjarë. “Krahas kësaj pakete shumë ekonomike, Albtelekom ka menduar edhe për thjeshtimin e procedurave dhe për tu bërë pjesë e këtij plani tarifor, ku abonentët familjarë mund të aplikojnë në pikat e shitjes, duke mos paguar asnjë tarifë shërbimi”, - deklaroi Akdogan. Sa i takon shërbimit të internetit ADSL, sipas drejtorit të përgjithshëm, Albtelekom sjell një reformë totale duke ulur tarifat e shërbimit të ADSL-së dhe rritur me dy herë shpejtësinë për paketat ekzistuese. “Nga këto shërbime mund të përfitojnë të gjithë klientët e shërbimit ADSL ekzistues dhe ata, të cilët zgjedhin të abonohen në shërbimin tonë pas muajit qershor”, - tha më tej Akdogan. Albtelekom prej ditësh ka hedhur në treg një superofertë për abonimet e reja në shërbimin e internetit ADSL. Duke u bërë abonentë të këtij shërbimi deri në datë 29 maj, abonentët përfitojnë nga super oferta modem, instalim dhe dy muaj internet falas. Aktualisht kompania ka plot 293 mijë klientë, por deri në fund të këtij viti ajo do të ofrojë shërbimet e saj edhe në të gjitha zonat rurale të vendit. Me investimet e kryera është arritur rinovimi i rrjetit të transmisionit në të gjithë Shqipërinë dhe tashmë jemi të gatshëm të ofrojmë shërbimin fiks dhe internet kudo, pasi me investimet e kryera u rritën me 2.5 herë kapacitetet e rrjetit të shpërndarjes së telefonisë fikse. “Kur gjithë bota është përfshirë në një krizë të madhe ekonomike, përfshirë edhe sektorin e telekomunikacionit, Albtelekom me strategjinë dhe paketat e reja ka pasur një fillimvit të suksesshëm, duke regjistruar rritje të të ardhurave në katër shërbime, atë të internetit, telefonisë fikse, transmetimit të të dhënave dhe shërbimit ndërkombëtar”, - deklaroi Akdogan. Albtelekom u privatizua më 1tetor të vitit 2007, nga kompania CETEL a.s në Ankara, anëtare e ÇALIK Holding me qendër në Stamboll, në konsorcium me Turk Telekom. Në bazë të kontratës të ratifikuar nga Parlamenti shqiptar, ÇALIK dhe Turk Telekom, u bënë pronare të 76 për qind të aksioneve të kompanisë së telefonisë fikse Albtelekom.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›