Ankesat, Bylykbashi: Pas Kolegjit, rruga e vetme Strasburgu
TIRANË- Për Partinë Demokratike, procedurat që ndiqen për kërkesat ankimore janë të qarta. I pyetur mbi qëndrimin e PS-së, për të pranuar këshillimin e Komisionit të Venecias mbi votat e hedhura gabim, bashkëhartuesi i Kodit Zgjedhor dhe njëkohësisht Shefi i Kabinetit të Kryeministrit, Oerd Bylykbashi, deklaroi dje se pas Kolegjit Zgjedhor, e vetmja instancë ku mund të vijojnë pretendimet mbetet Strasburgu. Për pasojë, Bylykbashi citoi edhe një rekomandim të OSBE/ODIHR-it të vitit 2001. “Në vitin 2001, OSBE-ODIHR rekomandoi që kandidati ose subjektet që do të kishin pretendime të mëtejshme, pas përfundimit të shqyrtimit të çështjeve ankimore në nivelet e përcaktuara nga ligji shqiptar, mund t’i drejtoheshe Gjykatës Europiane të Drejtave të Njeriut, kështu që unë besoj se rrugët janë të gjitha të mirëpërcaktuara. Referencën te Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut ne e kemi përdorur përgjatë dy viteve, ku PS-ja pretendonte të rishikonte vendimet e gjyqësorit shqiptar në lidhje me zgjedhjet 2009, por gjithsesi besoj që institucionet tona, qoftë KQZ-ja, qoftë Kolegji Zgjedhor, kanë kompetencën e duhur profesionale për vendimmarrje”, - tha dje Bylykbashi. Deri më tani, Partia Demokratike ka pretenduar se KQZ-ja ka bërë veprimin e duhur, bazuar mbi dispozitat e Kodit Zgjedhor dhe parimet e zgjedhjeve demokratike që ka OSBE-ja dhe Këshilli i Europës. Sipas PD-së, për zgjedhësit gjëja kryesore është që çdo votë e hedhur me vullnetin e tyre, të numërohet. Dy ditë më parë, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mbylli rivlerësimin e votave të kontestuara për 26 kuti, ndërsa ka rrëzuar kërkesën për rivlerësimin e votave të 117 kutive të numëruara një herë më parë prej saj. Në kërkesën e saj ankimore, Partia Demokratike i kërkoi KQZ-së që të shqyrtonte të gjitha fletët e votimit të kontestuara gjatë procesit fillestar të numërimit. Në këtë procedurë do të përfshiheshin ato fletë votimi të kontestuara në 11 KZAZ, por edhe ato fletë votimi që u kontestuan fillimisht gjatë numërimit fillestar në KQZ. Ndërkohë, nga përfundimi i numërimit të 26 kutive rezulton se në total kandidati i mazhorancës për Bashkinë e Tiranës, Lulëzim Basha, ka 78 vota më shumë se rivali i tij socialist, Edi Rama.