E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rrëzohen 3 ankesat e PS dhe PD, Basha në avantazh 81 vota

SHKRUAN: Fejzi Braushi 03-06-2011 11:26

Ashtu siç edhe pritej, KQZ-ja për shkak të mungesës së numrit të duhur të votave, nuk ka mundur të miratojë asnjë nga katër kërkesat e paraqitura nga subjektet politike dhe që kishin të bënin me kundërshtimin e rezultatit të zgjedhjeve për Bashkinë Tiranë, duke lënë kështu në fuqi vendimet e mëparshme, të cilat nxjerrin Lulëzim Bashën fitues me 81 vota avantazh. Bëhet fjalë për dy kërkesat e PS-së për pavlefshmëri të tabelës së miratuar nga KQZ-ja për njësinë 5, dhe tabelës përmbledhëse për gjithë Tiranën, një kërkesë të PD-së për të ndryshuar rezultatin final për bashkinë e kryeqytetit, duke përfshirë edhe votat e rivlerësuara, si dhe një kërkesë të partisë së pensionistëve për të pezulluar procesin e shpalljes së rezultatit final. Tashmë fati i këtyre kërkesave mund të përfundojë në Kolegjin Zgjedhor, por vetëm nëse ky i fundit do të vendosë sot të pranojë kërkesën e socialistëve për të shpallur të pavlefshëm procesin e numërimit të votave gjendura në kutitë e gabuara dhe të cilat nxorën fitues të zgjedhjeve në Tiranë kandidatin demokrat Lulëzim Basha.

Seanca

KQZ është përfshirë në një debat përsa i përket procedurës që do të ndiqej për votimin e tri kërkesave të paraqitura nga PS-ja dhe PD-ja. Nënkryetarja Dëshira Subashi, për shkak se çështjet ishin bashkuar në shqyrtim, kërkoi që si procedurë të vendosej që të dëgjoheshin pretendimet e secilës palë, për secilën kërkesë, dhe në fund KQZ t’i miratonte ato si pika të veçanta. Ndërkohë që kreu i KQZ-së ka theksuar se meqenëse kërkesat godisnin vendime të ndryshme, duhet të votoheshin pas prezantimit të çdo pretendimi dhe prapësimi. Megjithatë, me konsensus komisioni ka vendosur që të vijohej sipas propozimit të Subashit.

Rrëzimi

Të parët që kanë paraqitur pretendimet e tyre kanë qenë socialistët, të cilët me anë të avokatit Eno Bushi kanë kërkuar dhe një herë pavlefshmërinë e vendimit të KQZ-së për miratimin e tabelës së rezultatit të njësisë numër 5 dhe nxjerrjen e një tabele të re sipas të dhënave të sjella nga KZAZ. Të njëjtën gjë Bushi ka kërkuar edhe për kërkesën e dytë, e cila trajtonte rezultatin e gjithë njësisë vendore Bashkia Tiranë dhe shpalljen e Edi Ramës fitues të tyre. Ndërkohë që ai ka kundërshtuar kërkesën e paraqitur nga PD me të njëjtat argumente që u shpreh dhe ditët e mëparshme, se kërkesa nuk ishte bazuar në ligj dhe se ajo bëhej për arsye publiciteti të procesit. Nga ana tjetër, përfaqësuesi i PD-së, Oerd Bylykbashi, duke prezantuar dhe një herë kërkesën e PD-së, ka theksuar se rivlerësimi i votave është një proces ligjor. Gjithashtu ai i ka kërkuar KQZ-së që të shprehet edhe për kërkesën shtesë për të rivlerësuar të gjitha votat e gjendura në kutitë e gabuara dhe të numëruara nga ky komision. Më pas KQZ ka kaluar në votim, duke rrëzuar dy kërkesat e PS-së me 4 vota kundër dhe 2 vota pro, ndërsa kreu i KQZ-së ka sqaruar se miratimi i tyre do të thoshte kundërshtim i punës së kryer nga ky institucion pak javë më parë. Më pas Ristani, para se të hidhte për votim edhe kërkesën e PD-së, ka sqaruar se përsa i përket rivlerësimit të votave në 117 kutitë e gabuara nuk kishte kuptim përsa kohë ishte KQZ ajo që i numëroi ato në cilësinë e KZAZ-së. Më pas KQZ ka hedhur për votim kërkesën shkresore të PD-së, e cila, megjithëse ka marrë 4 vota pro dhe 2 kundër, nuk është konsideruar e miratuar. Kjo për shkak se neni 24 i Kodit Zgjedhor parashikon që vendimi për ndryshimin e tabelës së rezultateve nga KQZ bëhet me 5 vota minimumi.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›