Tirana, sot Kolegji Zgjedhor vendos për kryebashkiakun e ri
Kolegji Zgjedhor do të përcaktojë sot fatin e kreut të ri të Bashkisë së Tiranës. Beteja për bashkinë e kryeqytetit do të zhvendoset sot nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Kolegjin Zgjedhor të Gjykatës së Apelit, pasi trupa e gjyqtarëve e drejtuar nga Tom Ndreca do të marrë në shqyrtim kërkesë padinë e PS-së për të shpallur të pavlefshëm procesin e numërimit të votave të gjendura në kutitë e gabuara dhe vendimin për pasqyrimin e tyre në tabelat përmbledhëse të çdo KZAZ-je dhe në tabelën përmbledhëse të rezultatit të zgjedhjeve për kryetar të kësaj njësie vendore. Vendimi për këtë kërkesë konsiderohet deciziv për gjithë betejën për kryeqytetin, pasi një vendimmarrje negative ndaj pretendimeve të socialistëve do të bënte për rrjedhojë legjitim zgjedhjen e Lulëzim Bashës kryetar të Bashkisë së Tiranës, dhe anasjelltas.
Padia e PS
Baza e argumenteve në të cilat socialistët mbështesin kërkesën e tyre është e trajtës proceduriale dhe përmbajtjes. Kështu, në kërkesën e tyre disafaqëshe juristët e PS-së argumentojnë se vendimi 709 i KQZ, nëpërmjet të cilit bëhet përmbyllja e procesit të numërimit të votave të gjendura në kutitë e gabuara, është një akt normativ që duhet të miratohet me 5 vota. Sipas PS-së ky vendim ka natyrë normative, pasi është miratuar në parim, nen për nen dhe në tërësi, tre elementë që e bëjnë atë të një natyre të veçantë dhe që kërkon 5 vota për t’u miratuar. Për pasojë, thotë PS-ja vendimi i datës 18.05.2011, si dhe të gjitha vendimet e ndërmjetme apo veprimet e tjera administrative, të kryera përpara miratimit të tij, janë të pavlefshme dhe, për rrjedhojë, nuk mund të prodhojnë asnjë pasojë juridike. Jo vetëm mënyra e miratimit, por edhe përmbajtja e aktit shprehen socialistët në padinë e tyre e bën vendimin akt normativ.
Argumentata e PD-së
Përballë padisë së PS-së, avokatët që mbrojnë kandidatin e mazhorancës do ta fokusojnë mbrojtjen e vendimit të KQZ-së për numërimin e votave të hedhura gabim në disa referenca. Ekspertë të çështjeve zgjedhore thanë dje për MAPO-n se “Nuk mund të ketë një votë që nuk ka vlerë. Votat e hedhura gabim janë vota që qytetarët i kanë marrë nga komisioni i qendrës së votimit, por mbi të gjitha Kodi Zgjedhor nuk ka asnjë parashikim për votën e hedhur gabim. Duke iu referuar interpretimit të nenit të Kodit Zgjedhor, mbi pavlefshmërinë e fletëve të votimit, ekspertët sqaruan se nëse vota është hedhur në kutinë e gabuar, nuk mund të jetë e pavlefshme. “Ajo ka formatin, ngjyrën dhe madhësinë që KQZ ka miratuar, dhe si e tillë ajo nuk mund të jetë e falsifikuar”. Një argument tjetër i ekspertëve ligjorë pro votave të hedhura në kutitë e gabuara është edhe neni 45 i Kushtetutës, pika 4, thotë se vota është vetjake, e lirë, e barabartë, sekrete. “Nëse një votë numërohet dhe tjetra nuk numërohet, pabarazia prek themelet e Kushtetutës së vendit”-vijojnë ekspertët.
Por argumetet juridikë përfshijnë edhe dokumentacion të huaj. “Direktivat e standardit të OSBE dhe Këshillit të Europës përcaktojnë si kusht për vlerën e votës intencionin e qartë të zgjedhësit, shprehjen e qëllimit të qartë të zgjedhësit se për kë ka votuar. Kodi i praktikave të mira të Komisionit të Venecias dhe Këshillit të Europës urdhëron që të bëhen përpjekjet maksimale për të pasur dhe për të mbledhur numrin më të madh të mundshëm të votave të vlefshme. Ky parim është ndryshuar në ligjin shqiptar, i cili në asnjë nga 8 pikat e nenit 117 mbi pavlefshmërinë e votës nuk përfshin votat e hedhura në kutinë tjetër”-përfundojnë ata.