E Shtunë, 31 Tetor 2026

KQZ çon në ndjekje penale numëruesit e Belshit

Mosrakordimi i shifrave mes numrit të zgjedhësve që morën pjesë në votimet e 8 majit në komunën Armen të Vlorës dhe numrit të votave të gjendura në kuti ka bërë që Kolegji Zgjedhor i Gjykatës së Apelit të shpallë pavlefshmërinë e procesit zgjedhor për gjithë këtë njësi. Ndërkohë që dje KQZ ka vendosur të çojë në prokurori dhe 4 numëruesit e votave në një qendër votimi në Bashkinë e Belshit për falsifikim rezultati.

Armeni

Me kërkesë të Partisë Socialiste, Kolegji Zgjedhor ka marrë në shqyrtim çështjen e komunës Armen të Vlorës. PS pasi nuk gjeti mbështetje nga KQZ iu drejtua për ankimim Kolegjit Zgjedhor, duke pretenduar se numri i votave të gjendura në kuti ishte më i madh se numri i firmave të zgjedhësve që kishin marrë pjesë në votim dhe që gjendeshin në regjistrimin e votuesve. Gjithashtu, PS paraqiti si argument edhe se një pjesë e votave ishin me një vulë, çka në bazë të Kodit e bën fletën e votimit të pavlefshme. Totali i votave të gjendura tepër dhe atyre me një vulë, sipas PS-së, ka bërë që të ndikojë në rezultat, pasi kandidati demokrat, i cili u shpall fitues nga KZAZ, kishte mundur të merrte vetëm 3 vota më shumë. Kolegji Zgjedhor duke patur parasysh këtë fakt, pa të arsyeshme që të pranojë kërkesën e PS-së dhe të shpallë pavlefshmërinë e zgjedhjeve në këtë njësi. Megjithëse kemi të bëjmë me një njësi të vogël zgjedhore, rasti i Armenit mund të jetë një precedent edhe për Bashkinë e Tiranës, ku gjithashtu mosrakordimi i shifrave është prezent dhe shuma totale e votave më tepër është më e madhe se diferenca mes dy kandidatëve Rama dhe Basha.

Belshi

KQZ do t’i kërkojë Prokurorisë të ndjekë penalisht grupin e numërimit të votave të kutisë për Këshillin e Bashkisë Belsh, në qendrën e votimit 2563. Gjatë verifikimit dhe numërimit, të bërë në bazë të kërkesës ankimore të Partisë Bashkimi Demokrat, KQZ zbuloi falsifikimin e rezultateve në tabelën e numërimit për këtë kuti.

Në tabelën e përpiluar nga katër numëruesit, Bashkimi Demokrat nuk kishte marrë asnjë votë. Por, pas ndërhyrjes ligjore të kryer nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve rezultoi se kjo forcë politike kishte 128 vota, Partia Socialiste 54 nga 150 vota dhe Partia Demokratike 33 vota nga 96 vota.

KQZ miratoi ribёrjen e tabelёs dhe reflektimin e ndryshimit nё tabelёn e rezultatit.

Mё herёt, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka miratuar shpërndarjen e mandateve pёr disa kёshilltarё tё bashkive dhe komunave.

Në Bashkinë Fier, koalicioni “Aleanca pёr tё Ardhmen”, ka marrё 19 mandate, ndërsa koalicioni “Aleanca pёr Qytetarin” ka marrë 16 mandate.

Mandatet për Bashkinë Patos janë ndarë: 13 për koalicionin “Aleanca pёr Qytetarin” dhe 12 për koalicionin “Aleanca pёr tё Ardhmen”.

Për Bashkinë Krujë, koalicioni “Aleanca pёr Qytetarin” ka marrë 10 mandate dhe koalicioni “Aleanca pёr tё Ardhmen”, 7 mandate.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›