E Shtunë, 31 Tetor 2026

Basha në Bruksel për NATO-n dhe statusin e Kosovës

• Ministri i Punëve të Jashtme, Lulzim Basha, zhvilloi një vizitë pune në selinë e NATO-s në Bruksel.Kryediplomati Basha u takua me ambasadoren e SHBA-së, Viktoria Nuland, ambasadorin e Kanadasë, Robert McRae, ambasadorin e Holandës, Herman Shaper, ambasadorin e Portugalisë, Manuel Pereira dhe ambasadorin e Danimarkës, Per Poulsen-Hansen në NATO. Duke u ndalur në zhvillimet më të fundit në Shqipëri në planin politik, ekonomik dhe situatën e brendshme, ministri Basha i informoi ambasadorët mbi masat e marra në kuadër të Plan Veprimit të Anëtarësimit. Ai theksoi se vëmendja e qeverisë shqiptare është fokusuar në drejtim të reformës zgjedhore dhe reformës në sistemin e drejtësisë. Ambasadorët nga ana e tyre, vlerësuan progresin e qëndrueshëm që ka bërë Shqipëria veçanërisht gjatë ciklit të 9-të të MAP-it, kontributin e saj në zhvillimet në rajon dhe qëndrimin e matur dhe konstruktiv në zgjidhjen e statusit të Kosovës. Ata shprehën besimin se me realizimin e objektivave të programuara, Shqipëria i ka të gjitha mundësitë për të marrë ftesën në Samitin e Bukureshtit. Një vend të veçantë në diskutim ka zënë edhe situata në rajon, në veçanti Kosova dhe sfidat e përbashkëta të aleatëve, para dhe pas shpalljes së statusit. Duke diskutuar masat e marra nga NATO për t’iu përgjigjur çdo sfide para dhe pas përcaktimit të statusit, bashkëbiseduesit vlerësuan rëndësinë vendimtare që ka angazhimi i plotë dhe i vendosur i trupave të NATO-s në Kosovë për parandalimin dhe frenimin e çdo akti që synon destabilizimin e situatës në Kosovë dhe më gjerë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›