Zgjedhjet, gjithnjë të parakohshme
• Blendi KajsiuGjatë krizës presidenciale, ideja e zgjedhjeve të parakohshme u hodh poshtë në masë. Konsensusi për këtë u shtri gjerë e gjatë. Dominonte argumenti, se nuk ekzistonin kushtet; infrastruktura ligjore dhe teknike. Mungonte një sistem elektoral i mirëstudiuar, mungonte reforma zgjedhore, mungonte konsensusi i popullatës dhe kartat e identitetit, mungonte një sistem adresash, mungonin dritat dhe mbi të gjitha mungonte koha për t’i bërë të gjitha këto. Përballë këtyre mungesave argumentet politike sado të logjikshme, nuk pinin ujë. Pothuajse të gjithë ishin dakord se edhe sikur zgjedhjet e parakohshme të ishin legjitime në teori, në praktikë ato do krijonin destabilitetin që edhe Evropa e ka tmerr. Prandaj duhej fituar kohë pavarësisht se kush dhe si zgjidhej presidenti Sot që koha e fituar po harxhohet me shpejtësi, jemi në të njëjtën situatë si dje, kur zgjedhjet ishin tejet të parakohshme. Reforma elektorale mungon, sistemi elektoral diskutohet sikur të ishte sekret shtetëror, mungon konsensusi i popullatës, mungojnë kartat e identitetit, mungon një sistem adresash, mungojnë dritat sot dhe mesa duket do të mungojnë edhe nesër. Për më tepër shanset për një reformë konsensuale mes palëve duken gjithnjë e më të largëta. Ndërkohë koha kalon, dhe nuk është aspak çudi që në prag të zgjedhjeve të 2009-ës të jemi po aq të papërgatitur sa në prag të zgjedhjeve të 2005-ës, apo të 2001–it. Mesa duket zgjedhjet e parakohshme që u evituan për këtë arsye në vitin 2007 do të mbahen në vitin 2009. Një histori kjo që përsëritet prej vitesh. Përpara çdo palë zgjedhjesh mungon diçka ose shumëçka; certifikatat, kartat e identitetit, konsensusi, vullneti politik, apo koha. Përpara çdo palë zgjedhjesh ajo që duhej të ishte realizuar në katër vite realizohet në katër javë, nën trysninë e OSBE-së apo BE-së. E çdo herë të gjithë protestojnë kundër klasës politike në përgjithësi, madje edhe politikanët. Çka është e kuptueshme pasi tek zgjedhjet nuk ka asnjë të pafajshëm. Po ai Berishë, që kërkonte zgjedhje të ndershme në tetë vitet e socialistëve kishte orkestruar masakrën elektorale të 1996–ës. I njëjti Edi Rama, që kërkonte zgjedhje të ndershme lokale në vitin 2007 e mbajti bashkinë e Tiranës nëpërmjet masakrës elektorale të vitit 2003. Por kjo nuk i bën të gjithë njëkohësisht dhe njësoj fajtorë. Përgjegjësia kryesore bie mbi forcën politike në pushtet dhe jo mbi klasën politike në përgjithësi. Jo vetëm kur kjo forcë e ka emrin “Berisha”, por edhe “Nano”, dje apo “Rama” nesër. Në tetë vite qeverisje, Partia Socialiste nuk arriti të bënte as kartat e identitetit, dhe as një infrastrukturë zgjedhore të besueshme. Përballë “rrezikut Berisha”, zgjedhjet vidheshin, shpesh me miratimin e heshtur apo aktiv të një pjese të mirë të opinionit publik. Në këtë mënyrë partia në pushtet ishte e imunizuar nga rreziku i opozitës, të cilën e ftonte të legjitimonte institucionet e dala nga vota e deformuar. Ndërkohë pushteti mbahej, pak me mbështetjen ndërkombëtare, pak me vjedhjen e votës dhe pak me diversionin në kampin e opozitës. Prandaj, PS-ja nuk e humbi pushtetin nga opozita, por nga çarja brenda vetes. Humbja e PS-së erdhi më shumë si pasojë e një gabimi taktik pasi ajo doli superfituese në zonat rurale, ku ka më shumë vota sesa votues. Sot po përsëritet një skenar i ngjashëm me dje. PD-ja shpreson ta mbajë pushtetin nëpërmjet diversionit Nano në kampin opozitar, sidomos në mungesë të mbështetjes ndërkombëtare. Në zgjedhjet e 2007-ës, ajo doli super fituese në zonat rurale, ku procesi elektoral është ende thjesht një formalitet. Reforma elektorale ka ngecur. Kartat e identitetit që u premtuan për një vit ende nuk duken në horizont, pa folur për cilësinë apo besueshmërinë e tyre. Aktorë të brendshëm dhe të jashtëm kritikojnë klasën politike në përgjithësi. Ndërsa zgjedhjet e ardhshme të 2009-ës duken gjithnjë e më tepër si kronika e një vrasje të parathënë. Megjithatë, sot ka më shumë shpresë se dje. Minimalisht, sot kemi një KQZ, që ndonëse tejet partiake, bllokon por nuk legjitimon një proces elektoral të deformuar. Dhe ndoshta nesër do të kemi më shumë shpresë se sot. Por për këtë duhet që së pari të heqim dorë nga denoncimi patetik i politikës apo i klasës politike në përgjithësi. Së dyti, duhet të fokusohemi tek përgjegjësia e forcës politike në pushtet përpara sesa të vëmë në dyshim kërkesat e opozitës për një infrastrukturë të rregullt zgjedhore, sikurse ndodhi në zgjedhjet lokale të vitit 2007. Dhe së fundi, kjo duhet bërë, pavarësisht se kush është në pushtet apo në opozitë. Pavarësisht nëse ata që kërkojnë votën e lirë sot janë hajdutët e votës dje, apo do të jenë nesër. Përndryshe, zgjedhjet në Shqipëri do të jenë gjithnjë të parakohshme.