E Shtunë, 31 Tetor 2026

Varfëria detyron minorenet të grabisin varret

 

RRËSHEN- Varfëria e ulur këmbëkryq në jo pak familje në qytetin e Rrëshenit ka bërë që disa persona t’iu drejtohen për të grabitur gjithçka mundin, pa kursyer edhe varret. E bëjnë sidomos ata që jetën e tyre e kanë bazuar mbi mbledhjen e kanoçeve, të telave dhe kabujve elektrikë e të tjerë. Ndaj pasi duket se kabujt e telat po shkojnë drejt përfundimit, është pikasur kudo ka bakër dhe bronz, si materiale që kushtojnë jo pak dhe përmes lekëve që mund të fitojnë prej tij mund të shtyjnë ca ditë për të mbushur barkun me bukë. Ndaj prej kohësh janë shënjuar dhe varrezat e qytetit Rrëshen, kur prej disa ditësh është vënë re se mbi 20 varre janë zhveshur nga pjesët metalike dhe zbukurimet e ndryshme prej bakri dhe bronzi. Kështu janë hequr kryesisht vazot e luleve, mbajtëset e qirinjve apo kryqet e vendosura në varret-monumente tashmë. Kanë qenë punëtorët e mirëmbajtjes së varrezave që e kanë vënë re këtë fenomen, ndaj menjëherë ata u janë drejtuar disa pikave të grumbullimit të hekurishteve, duke u thënë grumbulluesve të bakrit, bronzit e aluminit e të tjerë, se janë dhunuar disa varre duke u hequr këto lloj pjesësh. Sapo është kontrolluar nëpër grumbullin e hekurishteve, janë gjetur vazot e deformuara, kryqe e të tjerë, që sipas grumbulluesve, kur i sjellin këtu, nuk njihen se çfarë janë pasi i shtypin apo presin pjesë-pjesë, ndërkohë që peshohen së bashku me materiale të tjera hekurishteje. Më pas është lajmëruar policia e cila ka këqyrur vendin e ngjarjes, varrezat dhe varret e dhunuara si dhe pikën e grumbullimit të hekurishteve ku ishte dërguar ky lloj malli, duke bërë të mundur të shkuarit tek personat që e kishin kryer këtë grabitje në varreza. Agjentët policorë kanë mbetur të habitur kur kanë mësuar se grabitësit e varreve kishin qenë dy motra minorene rome, që nuk e kalonin moshën e 15 viteve. Policia ka bërë shoqërimin në komisariat të M dhe A.Sena, të cilët kanë rrëfyer grabitjen e bërë tek varrezat. Me paratë e fituara nga kjo tregti, ato thanë se kanë shkuar tek dyqanet për të blerë bukë për vete dhe familjen pasi kishin qenë të uritura. Njëra prej vajzave tha se prej disa ditësh nuk ushqeheshin pasi nuk kishin me çfarë të blinin bukën apo ushqimet e përditshme. Dy prindërit e minoreneve janë të papunë dhe e gjithë familja jeton në një barakë me dërrasa në rrethinat e qytetit. Pas këtij rrëfimi policia i ka lënë të lira të vajzat ndërkohë që ka thirrur prindërit e tyre për të vijuar me procedimin hetimor.

Gjergj Marku

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›