Kavajë, 6 muaj vetëm për themelet e spitalit
KAVAJË- Spitali i ri i qytetit të Kavajës ka filluar të ndërtohet para gjashtë muajsh, ndërkohë që në inaugurimin e fillimit të punimeve ka marrë pjesë edhe kryeministri i vendit Sali Berisha. Ndonëse ka kaluar një e treta e afatit të përcaktuar për ndërtimin e spitalit të ri, punimet duket se janë shumë mbrapa. Në bazë të kontratës së nënshkruar midis palëve (firma fituese dhe Ministria e Shëndetësisë) kompleksi për spitalin e ri të Kavajës duhet të dorëzohet në maj të vitit të ardhshëm. Inxhinieri i firmës zbatuese të punimeve ka bërë të ditur se aktualisht punimet janë në fazën përfundimtare të themeleve dhe galerisë teknologjike. Deri në këtë moment është punuar në sistemimin, prishjen e godinave të vjetra, mureve rrethuese, sistemimin e kanalizimeve dhe heqjen e dherave. Inxhinieri ka bërë të ditur se nuk ka vonesa të punimeve dhe se spitali do të përfundojë brenda afatit të përcaktuar. Afati prej 18 muajsh i punimeve ka bërë që në gjashtë muaj të ndërtohen vetëm themelet, ndërkohë që kanë shumë punë godinat e kompleksit spitalor, përgatitja e tyre për mjediset e brendshme, instalimin e pajisjeve, përgatitjen e sallave të operacioneve dhe shumë të tjera që duan shumë kohë. Qyteti i Kavajës prej shumë vitesh tashmë nuk merr shërbimin e plotë mjekësor për shkak të mungesës së ambienteve dhe mjekëve reanimator. Godinat e vjetra ku ndodhen spitali dhe materniteti janë ndërtuar në troje të ish-pronarëve dhe ato janë kthyer në një gjendje të mjerueshme. M. Brunga