Leskaj: Jo kontrolle formale, ndëshkim shkelësve
Kreu i Kontrollit të Lartë të Shtetit, Bujar Leskaj ka garantuar sot se institucioni që ai drejton nuk do të zhvillojë më auditime formale e as gjetje shkelësish pa ndëshkimin përkatës. Gjatë analizës së punës së KLSH-së për vitin që lamë pas, Leskaj ka theksuar se gjatë vitit 2011 janë zhvilluar 152 kontrolle dhe janë marrë 1605 masa administrative ku vetëm 1108 janë zbatuar.
Ai gjithashtu ka kërkuar mbështetjen e Prokurorisë, qeverisë dhe çdo institucioni në luftën kundër korrupsionit që sipas tij është edhe prioriteti i Kontrollit të Lartë të Shtetit. Leskaj ka bërë me dije se lufta kundër korrupsionit do të vijojë me efikasitet. “Nuk mund të pretendojmë se luftojmë me efikasitet korrupsionin dhe nuk propozojmë largimin nga puna dhe kallëzim në prokurori për shkelësit e ligjit” ka theksuar Leskaj.
Sipas tij, korrupsioni nuk është as i kuq e as blu, ai ka vetëm një ngjyrë, të zezë dhe për këtë do të luftohet në çdo bashki e komunë, pavarësisht nëse drejtohet nga socialistët apo demokratët.
“Auditimet e subjekteve deri tani duhet të pranojmë se kanë qenë formale, nuk janë përgatitur sipas kërkesave të manualit përkatës, ndërkohë që ne do të bëjmë auditiumet e performancës krahas asaj financiare. S`ka kontroll pa ndëshkim, do të jemi rigorozë e striktë, do të largojmë hijen e kontrollorit gjobëvënës” ka shtuar Leskaj.
Ai gjithashtu ka garantuar se KLSH-ja do të punojë për një insitucion të lartë auditimi duke fuqizuar rolin e saj me detyrë kontrollin e mirëadmistrimin e pronës publike.