FMN: Po përgatitemi për krizën globale ekonomike

Fondi Monetar Ndërkombëtar po përgatitet të veprojë më fuqishëm në luftën kundër krizës së borxheve në eurozonë. Në Uashington u tha se FMN ka nevojë për 500 deri 600 miliardë euro për këto qëllime.
Brenda dy vitesh mund të ketë nevojë madje për një bilionë dollarë, në qoftë se ekonomia dobësohet edhe më shumë. Presidentja e FMN-së Christine Lagarde, ka bërë publike të martën planet për tejkalimin e kësaj gjendje.
Gjatë dy viteve të kaluara FMN-ja ka siguruar një të tretën e parave për paketat e shpëtimit. Aiktualisht për këto qëllime Fondi ka në dispozicion 380 miliardë dollarë. FMN-ja shpreson se në veçanti do të ndihmojnë me kontributet e tyre vendet në zhvillim si Kina, India dhe Brazili.
Ndërkohë Kancelarja gjermane Angela Merkel u takua dje me kryeministrat e Portugalisë, Austrisë dhe Suedisë për të shkëmbyer mendimet lidhur me gjendjen në eurozonë. Një zëdhënës qeveritar në Berlin tha, se darka e Kancelares Merkel me kryeministrat Pedro Passos Coelho, Werner Faymann dhe Fredrik Reinfeldt nuk ishte ndonjë takim krize.
Vëmendje tha ai iu kushtua kryesisht ardhmërisë ekonomike dhe monetare të Evropës. Kurse ishte biseduar edhe për gjendjen në Greqi dhe mundësinë e shlyerjes së borxheve. Qeveria gjermane bën të ditur se në të ardhmen do të ketë edhe takime të tjera të ngjashme joformale, citon DW.
Nga ana tjetër, Presidenti i Francës Nicolas Sarkozy ka vendosur të fillojë dialogun me sindikatat për shkak të rritjes së papunësisë, rënies ekonomike dhe rezultateve të dobëta në sondazhet e tre muajve të kaluar, në prag të zgjedhjeve presidenciale. Pas një takimi katër orësh të zhvilluar në Paris, Sarkozy premtoi edhe 430 milionë euro për ruajtjen e vendeve të punës.
Këto para do të përdoren për kualifikimin e mëtejshëm të punëmarrësve dhe për punë me orar më të shkurtër. Shefat e sindikatave të mëdha i kanë mbështetur parimisht këto masa, por janë kundër reformave në prag të zgjedhjeve presidenciale. Sarkozy ka theksuar disa herë se do të marrë Gjermaninë dhe planin e saj "Axhenda 2010" si model për reformat në Francë.