E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nënë e bir gjenden të lidhur në varrezat e Patosit

 

Nënë e bir, gjenden të lidhur në varrezat e Patosit

Fier- Një grua së bashku me foshnjën e saj tre muajsh u gjet e lidhur me zinxhirë në varrezat e Patosit. Sipas policisë, gruaja M.K nga Patosi ka deklaruar se e kishin rrëmbyer dhe më pas e kishin lidhur këmbë e duar me zinxhirë, ashtu si u gjet nga dy barinj, që u ndaluan aty pasi dëgjuan të qarat e foshnjes. Por policia e rrëzon këtë pistë, duke deklaruar se gjithçka ka qenë e sajuar.

Sipas burimeve policore, barinjtë kanë dëshmuar në komisariat se gruaja ka kërkuar të ndihmonin dhe më pas ka treguar se ishte lidhur nga një burrë dhe një grua. Fillimisht u dyshua për një rrëmbim të mundshëm. Bindje që u përforcua më tepër, kur në polici mbërriti bashkëshorti i gruas dhe tregoi disa letra kërcënuese. “Ai deklaroi se pasi ishte zhdukur gruaja bashkë me foshnjën, kishte marrë një telefonatë anonime që i kërkonte 2 milionë lekë”- thonë burimet e policisë së Fierit. Sipas të njëjtave burimeve bashkëshorti ka numëruar raste të tjera kërcënimesh të marra, kohë më parë se të ndodhte ngjarja dhe përmbajtja ka qenë në çdo rast e njëjtë: Paratë, ndryshe do të rrëmbejmë gruan dhe fëmijën e vogël.

Por, pas hetimeve paraprake dhe ekspertizës së bërë në vendin e ngjarjes, policia ka mbërritur në përfundimin se gjithçka ka qenë e sajuar. Nuk dihet ende motive për një sajesë të tillë, por sipas policisë provat e para dhe hetimet në vend të çojnë në këtë drejtim. Sipas tyre gruaja dhe fëmija nuk kanë pasur asnjë shenje dhune në trup.

Por, familjarët vazhdojnë me bindjen e tyre dhe kërkojnë nga policia hetime serioze për zbardhjen e kësaj ngjarjeje.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›