E Shtunë, 31 Tetor 2026

Anketat, bie mbështetja për politikat e Presidentit Obama

Anketat më të fundit i japin Presidentit Barak Obama mjaft arsye për t`u shqetësuar, ndërkohë që ai po përgatit strategjinë e tij për t`u rizgjedhur vitin e ardhshëm.

Analistët politikë thonë se rezultatet e anketave të fundit tregojnë se publiku ka humbur besimin tek aftësia e Presidentit Obama për ta nxitur ekonominë e vendit.

Anketa më e fundit e kanalit televiziv "NBC" dhe gazetës "Wall Street Journal" tregon një rënie në mbështetjen për presidentin, 44 përqind i miratojnë politikat e tij dhe 51përqind jo.

Rezultate të ngjashme pati edhe anketa e kanalit televiziv "ABC" me gazetën "The Washington Post", ku 7 përqind e pjesëmarrësve janë të mendimit se vendi po ecën në drejtim të gabuar.

Presidenti do të paraqesë propozime të reja sot në fjalimin që do të mbajë në Kongres. Por analisti politik veteran Tom DeFrank i "The New York Daily News" thotë se zoti Obama mund ta ketë tepër të vështirë ta bëjë publikun ta dëgjojë.

"Problemi më themelor që ka tani Presidenti Obama është ekonomia. Shkalla e papunësisë është ende e lartë. Ekonomia amerikane po rritet, por ende me ritëm të ngadaltë” theksoi DeFrank.

Shumë ekonomistë shikojnë pak shanse për ndryshime të ndjeshme në nivelin e papunësisë para zgjedhjeve të vitit të ardhëshëm që tani qendron në 9.1 përqind.

Që nga viti 1900, vetëm dy presidentë kanë fituar mandatin e dytë kur niveli i papunësisë ka qënë mbi 7 përqind, Franklin Ruzvelt në vitin 1940 dhe Ronald Regan në vitin 1984.

Historiani i presidencën në Universitetin Amerikan, Allan Lihtman thotë se është praktikisht e pamundur për presidentin në detyrë që t`i shpëtojë fajësimit për ekonominë e dobët.

"Siç u shpreh figurativisht në një rast presidenti Herbert Hoover, njeriu duhet ta dijë se presidenit lavdërohet kur dielli shkëlqen dhe fajësohet kur bie shi. Është shumë e vështirë për një president të Shteteve të Bashkuara t`ia ngarkojë fajin të tjerëve” theksoi Lihtman.

Por as republikanët nuk janë paraqitur mirë në anketat e fundit. Sipas asaj të kanalit televiziv ABC dhe gazetës "The Washington Post", 28 përqind e votuesve miratojnë veprimtarinë e republikanëve në Kongres, ndërsa 68 përqind nuk e miratojnë.

I vetmi lajm i mirë për presidentin në anketat e fundit është se ai favorizohet më shumë se sa miratohet puna e tij, gjë që do të thotë sipas analistëve se publiku e pëlqen atë si njeri, edhe pse ka humbur besimin në politikat e tij.
 

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›