Anketimi, gjysma e studentëve bëjnë plagjiatura me detyrat e kursit
Jonida Tashi
Gjysma e studentëve të Universitetit të Tiranës i kanë të kopjuara detyrat e kursit që dorëzojnë në fakultet. Shifra është nxjerrë në bazë të një anketimi, që Këshilli Studentor i këtij Universiteti ka realizuar, sipas të cilit, 49 për qind e studentëve bëjnë plagjiaturë. Ndërkohë që, 82 për qind e atyre që bëjnë plagjiaturë përdorin Wikipedia-n, për detyrat e tyre të kursit. Mbi 100 studentë janë pyetur në qoftë se ata kanë përdorur të paktën një nga format e mëposhtme, të klasifikuara si plagjiaturë: dorëzimi i detyrës së dikujt tjetër, “copy, paste” nga interneti, kopjimi i statistikave ose i fushave të studimit, krijimi i statistikave ose i fushave të studimit, përdorimi i ideve të dikujt tjetër pa miratim, blerja e detyrës nga dikush.
Studentët
Shumë nga studentët që kanë marrë pjesë në studim kanë qenë të habitur që ata faktikisht bënin plagjiaturë. Kjo për faktin se ata ishin të paqartë mbi atë se çka universiteti quan plagjiaturë. “Sigurisht që unë përdor idetë e të tjerëve pa miratimin e tyre, por nuk besoj se kjo është plagjiaturë”,- është shprehur një student. Ndërsa disa studentë të tjerë e dinë se çfarë klasifikohet si plagjiaturë, por thjesht nuk janë dakord. “Të thuash se përdorimi i mendimeve që nuk janë plotësisht të tuat quhet plagjiaturë më duket absurde”,- ka thënë njëri prej tyre. Por, midis studentëve që e dinë çfarë është ose ajo plagjiatura ka edhe nga ata, të cilët janë plotësisht të ndërgjegjshëm që bëjnë plagjiaturë, por nuk janë të frikësuar nga pasojat. “Në 12 detyra që kam dorëzuar, 9 kanë qenë të dikujt tjetër. Deri tani nuk më kanë kapur, por edhe sikur kjo të ndodhë nuk besoj se do të ketë shumë pasoja”,- është shprehur një student i Menaxhimit.
Universiteti
Në anketim, vetëm 5 për qind e studentëve kanë thënë se janë “kapur” duke bërë plagjiaturë. Dhe me shumë mundësi universiteti nuk mund të pretendojë të ndëshkojë studentët për plagjiaturë, kur ky koncept dhe masat që merren nuk janë të qarta. Për këtë arsye, universiteti duhet fajësuar për shkallën e lartë të plagjiaturës. Nëse stafi pedagogjik nuk merr masat e duhura për të ndaluar plagjiaturën atëherë nuk duhet të habitemi nga shkalla e lartë e shfaqjes së këtij fenomeni. Pedagogët deklarojnë se studentët që bëjnë plagjiaturë do të ndëshkohen, por dhe ata vetë e dinë që edhe në qoftë se i ndëshkojnë studentët, ky ndëshkim nuk mund të jetë i rëndë, përderisa koncepti i plagjiaturës nuk është i përkufizuar zyrtarisht. Shumë studentë e justifikojnë plagjiaturën duke thënë: “Ne bëjmë plagjiaturë, por vetëm kur nuk jemi në kohë për përfundimin e detyrës ose kur detyra është shumë e vështirë”. Por përveç studentëve “kopjac”, në universitet gjenden edhe të rinj, që janë të ndërgjegjshëm se të studiosh është një privilegj dhe duhet konsideruar nder. “Unë habitem me faktin që shumë studentë janë pro plagjiaturës, por kjo ndoshta ndodh sepse përkufizimi i universitetit për plagjiaturën është shumë i përgjithshëm dhe jo i qartë. Mendoj se plagjiatura duhet të ndëshkohet, por jo çdo formë e saj duhet të ndëshkohet njëlloj. Duhet të bëhet një klasifikim dhe format më të rënda të ndëshkohen më rreptësisht”,- ka pohuar në anketim një studente kundër plagjiaturës. Sipas studentëve kundër plagjiaturës, në qoftë se nuk arrin të bësh një detyrë, gjë që të gjithëve mund t’iu ndodhë, atëherë mjafton të kesh kurajën dhe t’i thuash pedagogut se nuk e ke bërë detyrën.
8 Shkurt 2010