E Shtunë, 31 Tetor 2026

Marrja e pasaportës biometrike, Ministria e Brendshme publikon rregullat

Thimi Samarxhiu

TIRANË – Kur kanë mbetur edhe disa muaj kohë për përdorimin e pasaportave të vjetra, Ministria e Brendshme ka publikuar rregullat e reja për marrjen e pasaportave biometrike për qytetarët. Specialistët e Policisë dhe koncesionari që prodhon dokumentet e reja të identitetit do të prodhojnë pasaportën e re, ndërsa do të lejojnë përdorimin e përkohshëm të pasaportës së vjetër, bashkë me pasaportën biometrike vetëm në rastet kur ka vizë apo leje qëndrimi në një vend tjetër etj. “Procesi i pajisjes së qytetarëve me pasaporta biometrike kryhet mbi rregulla të forta sigurie që nga momenti i aplikimit deri në marrjen në dorëzim të pasaportës nga shtetasi”, – thuhet në njoftimin e Ministrisë.
Procedurat
Të gjithë qytetarëve duhet të paraqiten më parë te punonjësi i policisë, i cili ndodhet në të njëjtin ambient me zyrat e “Aleat” që shpërndajnë pasaportat biometrike. Konkretisht, do të veprohet në këtë mënyrë: Në rast se shtetasi zotëron pasaportë të tipit të vjetër, punonjësi i policisë e bën atë të pavlefshme, duke i shpuar dy vrima në kapak pa dëmtuar vizën, lejen e qëndrimit apo shënime të tjera që mund të ndodhen në pasaportë dhe më pas ia dorëzon shtetasit. Në rast se shtetasi nuk ka qenë i pajisur me pasaportë të tipit të vjetër, punonjësi i policisë pas verifikimit në sistem, i lëshon vërtetimin përkatës. Në rast se shtetasi rezulton në sistem i pajisur me pasaportë të tipit të vjetër dhe sqaron se nuk e ka pasaportën, për arsye se i ka humbur, i është vjedhur apo dëmtuar, shtetasi drejtohet për të deklaruar këtë te komisariati i policisë që e ka lëshuar atë pasaportë. Aty pajiset me vërtetimin përkatës nga specialistët e policisë në komunitet pasi lëshon një deklaratë me shkrim lidhur me çfarë i ka ndodhur me pasaportën e tipit të vjetër. Në këtë mënyrë shtetasi do të mundet të tërheqë pasaportën biometrike pranë zyrës së “Aleat” vetëm duke paraqitur ose pasaportën e vjetër të bërë të pavlefshme nga punonjësi i policisë, ose vërtetimin që nuk ka qenë i pajisur më parë me pasaportë, ose vërtetimin se pasaporta i ka humbur, i është vjedhur apo dëmtuar. Nëpunësi i “Aleat” verifikon pasaportën e bërë të pavlefshme dhe ia dorëzon përsëri shtetasit ose administron vërtetimin sipas të dy rasteve të sipërpërmendura, dhe më tej vijon me procedurën e dhënies së pasaportës së re biometrike për shtetasin. Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit ka caktuar tashmë personat përkatës për kryerjen e kësaj procedure dhe ka dhënë udhëzimet e nevojshme për një shërbim sa më të shpejtë e profesional ndaj qytetarëve.
Shifrat e aplikimeve
Ministria e Brendshme gjithashtu bëri të ditur dhe shifrat e deritanishme të personave që kanë aplikuar për pasaporta biometrike. Konkretisht, deri më 05.02.2010, sipas të dhënave nga kompania “Aleat”, numërohen rreth 475 mijë aplikime për pasaporta biometrike. Në fund të njoftimit për shtyp, Ministria e Brendshme gjeti rastin t’u bëjë përsëri thirrje qytetarëve të paraqiten pranë zyrave të “Aleat” për të aplikuar dhe për t’u pajisur me pasaporta biometrike pasi në këtë mënyrë përfitohet sa më shpejt liberalizimi i vizave me shtetet “Shengen” të Bashkimit Europian.

Bora dhe shiu shkaktojnë probleme në vend
GRAMSH - Bllokohet komuna Kukur nga reshjet e borës. Trashësia e borës në këtë zonë varion nga 70 centimetra deri në 1 metër e gjysmë. Sipas banorëve, prej ditësh vijon të këtë probleme me furnizimin me energji elektrike dhe mbarëvajtjen e procesit mësimor, i cili u ndërpre për shkak të temperaturave të ulëta. Trashësia e borës në këtë zonë është tepër e lartë duke krijuar mjaft vështirësi lëvizjeje për banorët dhe mjetet që në të shumtën e rasteve duhet të udhëtojnë për tu furnizuar me ushqime. Pavarësisht gjendjes së krijuar pas reshjeve të borës fatmirësisht nuk ka pasur raste të emergjencës shëndetësore. Ndërkohë që probleme janë konstatuar dhe në komuna të tjera të veriut të vendit, ku disa komuna janë të bllokuara. Situatë e rënduar është paraqitur dhe në qytetin e Vlorës, ku reshjet e shiut kanë shkaktuar përmbytje dhe bllokime të rrugëve. Sipas informacioneve rezulton se uji ka vërshuar në lagjet “Pavarësia” dhe “Isa Boletini” si dhe në rrugën pranë “Skelës” dhe në kryqëzimin e lagjes “Çole”. Nuk kanë mbetur pa u prekur edhe rrugët pranë universitetit “Ismail Qemali” dhe ato pranë Kishës Ortodokse. Përmbytjet masive kanë shkaktuar gjithashtu probleme të mëdha në qarkullimin e automjeteve.

Rihapen doganat me Greqinë, dëmi nga greva, 80 milionë lekë

GJIROKASTËR - Pas dy ditë ndërprerjeje, rifilloi dje lëvizja e automjeteve në të gjitha pikat e kalimit kufitar drejt Greqisë që mbulon qarku i Gjirokastrës. Nëpërmjet një komunikate për shtyp, burimet zyrtare të Policisë Kufitare informuan se që prej orës 06:00 të mëngjesit të djeshëm, lëvizja kryhet normalisht në pikat e kalimit kufitar të Kakavijës, Tri Urat, Çarshovë si dhe pikën e Sopikut. Të tria pikat e kalimit u mbyllën që prej orës 06:00 të mëngjesit të datës 4 shkurt për shkak të grevës së doganierëve grekë. Drejtoria e Policisë qarkut Gjirokastër njofton se qarkullimi i automjeteve dhe këmbësorëve vijon pa asnjë problem në të dyja anët e kufirit nëpërmjet këtyre pikave, ndërsa shton se nuk ka radhë apo fluks. Policia informon se nuk janë vërejtur probleme as gjatë ditëve kur pikat doganore nuk kanë funksionuar. Burimet zyrtare nga Dogana e Kakavijës bëjnë me dije se, përgjatë dy ditëve të grevës është krijuar një deficit artificial tregtar që kap vlerën e 80 milionë lekëve. Burimet e mësipërme sqarojnë se, që nga mëngjesi i së enjtes doganierët grekë nuk janë paraqitur në punë. Kjo, për shkak se kërkesat e tyre ekonomike të deklaruara e të kërkuara me ngulm muajt e fundit nuk u plotësuan nga institucionet qendrore në Athinë. Gjithsesi, situata në tri pikat kufitare të rajonit jugor paraqitet e qetë. Sipas përfaqësuesve të doganës së Kakavijës, në doganën greke të kufirit janë 10 deri në 15 mjete të transporti të ngarkuara me mallra të ndryshme që presin ndërprerjen e grevës për t'u zhdoganuar. Vetë drejtuesit e këtyre mjeteve, pasi i kanë parkuar ato, janë larguar drejt familjeve të tyre deri në hapjen e kufirit. Mësohet se gjatë ditëve të grevës, të drejtën e kalimit kufitar e kanë vetëm trupat diplomatikë dhe ambulancat në raste urgjence.

Gjendet 13-vjeçari i zhdukur prej tri ditësh

KAVAJË- Është gjetur shëndosh e mirë 13-vjeçari, i cili prej tri ditësh ishte larguar nga familja e tij pa informuar prindërit e tij. Policia thotë se Arsen Qosja, banues i qytetit të Korçës, është gjetur në një hotel në qytetin e Kavajës. Familjarët e Arsen Qoses denoncuan humbjen e djalit pas largimit nga shtëpia. Arseni studionte në një shkollë fetare dhe ishte mirë me mësime, ndonëse ditët e fundit kishte shfaqur një trishtim të dukshëm, por pa ja shprehur askujt. 13-vjeçari, fëmija i vetëm i kësaj familjeje ishte larguar nga banesa e tij duke lënë një letër në të cilën shkruante se po largohej, por pa thënë shkakun dhe drejtimin. Me vete kishte marrë dhe 20 mijë lekë të vjetër duke mos lënë asnjë gjurmë. Kishin qenë qytetarë të shumtë, të cilët, pasi kishin parë foton e tij në apelin e bërë nga familjarët në media, kishin informuar në polici për vendndodhjen e adoleshentit.

8 Shkurt 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›