Reforma, cfarë do të ndryshojë në QSUT përgjatë vitit 2010
Eljona Late
Qendrën Universitare Spitalore “Nënë Tereza” e pret një reformim gjatë gjithë vitit 2010. Drejtuesit e kësaj qendre spitalore zbulojnë për gazetën “Albania”, se gjatë këtij viti pritet të bëhen shumë ndryshime si në shërbimet ndaj pacientit, ashtu edhe në kontrollet për abuzimin nga ana e mjekëve. Kështu, për të shmangur korrupsionin e mjekëve ndaj pacientëve, drejtuesit e QSUT-së kanë menduar që të bëhet regjistrimi kompjuterik i vizitave, duke u koordinuar me dokumentacionin, për të kontrolluar lëvizjet e të gjithë pacientëve. Në këtë mënyrë pritet të dixhitalizohen për herë të parë, të gjitha të dhënat që kanë të bëjnë jo vetëm me vizitat, por edhe me shërbimet e tjera që ofrohen në këtë qendër spitalore. Gjithashtu, aparaturat e ekzaminimit të sëmundjeve të ndryshme nuk do të kenë orar më të kufizuar, por do të qëndrojnë në dispozicion të qytetarëve 24 orë. Pritet që këtë vit të vihet në funksion edhe “Spitali i Ri”, në të cilin do jetë e përfshirë e gjithë Urgjenca, duke shmangur kështu mbipopullimin e madhë të saj gjatë muajve të fundit.
Regjistrimi kompjuterik
Prioritet madhor për 2010-ën dhe për reformën në QSUT, do të jetë regjistrimi kompjuterik i të dhënave. Veprimtaria e të gjitha shërbimeve, e çdo reparti, e çdo pacienti do të regjistrohet në kompjuter, duke bërë koordinimin e informacionit të dokumentuar dhe atij kompjuterik, në mënyrë që të mos u lihet hapësirë mjekëve dhe infermierëve që t’u marrin lekë nën dorë pacientëve. Por, sidomos konsulta do jetë e koordinuar me sistemin e kompjuterizuar dhe dokumentacion që kontrollon qartë lëvizjet e pacientëve, duke sjellë transparencë të plotë të punës në QSUT. Kështu, shërbimet e konsultës do të administratoren në mënyrë të ndarë në bazë të shtretërve. Ambientet do të jenë të përcaktuara, ndërsa ekzaminimet të lokalizuara qartë. Edhe personeli shëndetësor do jetë i përcaktuar qartë, duke mbajtur kështu përgjegjësin për punën. Ndërkaq, për çdo shërbim do të bëhet sistemimi dhe grumbullimi i të dhënave, gjithashtu dhe raportimi i tyre.
Pajisjet 24 orë
Në ndryshim nga vitet e kaluara, ku pajisjet e ekzaminimeve në spitale mbylleshin pas orës 16.00, tani pavijonet duhet të rrinë të hapura 24 orë, për t’i shërbyer filtrit të Urgjencës. Struktura e shërbimeve të Urgjencës do të rishikohet dhe modifikohet, për t’u fuqizuar me personel. Gjithashtu, dhe personeli i Urgjencës do të përzgjidhet për të mos u përsëritur gabimet e mjekëve ose të infermierëve, të cilët, i kanë shkaktuar vdekjen pacientëve. Drejtuesit e qendrës më të madhe spitalore në vend deklarojnë se siguria në Urgjenca do të rishikohet në mënyrë tërësore.
Shërbimet që do të ofrojë “Spitali i Ri” që do të hapet në QSUT
“Spitali i Ri” që do të hapet në shërbimin e Urgjencës brenda periudhës mars-prill 2010, do të funksionojë mbi parimin e “ciklit të mbyllur”. Ky spital do të jetë një strukturë moderne në të gjitha llojet e pikëpamjeve, si për sa i përket mënyrës së konstruktimit dhe shërbimeve që do të ofrojë. Projekti për ndërtimin e Spitalit të Ri në QSUT është financuar nga Banka për Zhvillimin e Këshillit të Europës në vlerën 14 milionë dollarë dhe nga qeveria shqiptare me 7.4 milionë dollarë (vetëm për ndërtimin e godinës). Për pajisjet mjekësore, investimi do të financohet nga qeveria shqiptare në masën 8 milionë euro. Në këtë ndërtesë me 5 kate do të vendosen ekzaminimet e imazherisë dhe diagnostikimit; urgjenca 1 dhe 2 me 18 shtretër observimi (kati përdhes); mjekësi e përgjithshme, 30 shtretër; kirurgji e përgjithshme, 30 shtretër (kati i parë); reanimacioni me 15 shtretër dhe laboratorët kimikë (kati i dytë); departamenti i Hematologjisë, me 16 shtretër standard, 6 të specializuar dhe 14 për pacientët ambulatorë (kati i tretë); 7 salla operacioni, 8 shtretër post operator dhe laboratori histologjik (kati i katërt). Gjithsej, spitali i ri do të ketë 115 shtretër. Blerja e pajisjeve mjekësore do të bëhet në 2-3 lote, nga të cilat loti kryesor do të jetë ai ku do të përfshihen pajisjet e imazherisë, diagnostikës dhe laboratorëve.
Berat, në dy muajt e fundit janë zbuluar edhe tre raste të reja me HIV/AIDS
Tre raste të reja me sëmundjen e shekullit HIV/AIDS janë zbuluar në qytetin e Beratit gjatë dy muajve të fundit. Madje jo vetëm kaq, por gjatë vitit që sapo lamë pas, në këtë qytet është vënë re dyfishim i numrit të personave që janë paraqitur për të kryer testin e HIV/AIDS pranë Drejtorisë së Shëndetit Publik në Berat. Kërcënimi nga sëmundja e shekullit HIV/AIDS, ka bërë që një pjesë e mirë e popullatës, sidomos të rinjtë, të ndërgjegjësohen për kryerjen e analizave, si dhe për t’u këshilluar me qëllim kryerjen e marrëdhënieve seksuale në mënyrë të mbrojtur. Psikologia e Qendrës së Këshillimit dhe Testimit te HIV/AIDS ne Berat, Juvina Qevani, është shprehur se numri i të testuarve gjatë kësaj periudhe ka shkuar në 250 persona. Berati është një nga qytetet që futet në listën e zezë për sa i përket numrit të personave të prekur nga SIDA, në vendin tonë.
ISHP: Gripi i derrit po “largohet” nga Shqipëria, por mund të rikthehet në mars
Virusi A/H1N1 po largohet nga Shqipëria. Specialistët e Shëndetit Publik deklarojnë se gjatë javës që lamë pas, nga 20 mostra që mblidhen çdo ditë, të gjitha kanë rezultuar negative. Në Institutin e Shëndetit deri më tani janë analizuar mostra të marra nga persona që janë paraqitur në spital me simptoma të ngjashme qoftë edhe me ato të gripit të zakonshëm. Por sipas specialistëve, kjo mund të konsiderohet si periudhë pauze, pasi në fund të shkurtit dhe fillim të muajit mars, futemi sërish në sezonin e gripit të zakonshëm, ku nuk përjashtohet rikthimi i shfaqjes së virusit A/H1N1. Por ajo çfarë shprehin me optimizëm specialistët e Shëndetit Publik është fakti se në vendin tonë ky virus nuk u shfaq agresiv. Numri i të prekurve që u konfirmuan zyrtarisht ishte rreth 450 persona, shumica dërrmuese jo në gjendje të rëndë, me pak përjashtime te disa pacientë, për shkak të komplikacioneve nga sëmundjet kronike. Gjithsej u shënuan 12 viktima. Por virusi A/H1N1 në formë të lehtë mund të ketë prekur një të tretën e popullsisë, të cilët e kanë kaluar atë si grip të zakonshëm. Specialistët thonë se do të vazhdojnë të analizojnë mostra për të mbajtur situatën në kontroll. Ndërsa përsa i përket vaksinës e cila u sigurua nga Ministria e Shëndetësisë, si në shumë vende të tjera, ajo u refuzua të aplikohej nga popullata.
OBSH: Virusi A/H1N1 ka shkaktuar 15 mijë të vdekur në botë
Numri i të vdekurve në botë të shkaktuar nga influenca pandemike e gripit të derrit ka kapur shifrën prej 15.174 persona. Lajmi konfirmohet zyrtarisht nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, e cila pohon se krahasuar me shifrën e komunikuar të javës së fundit prej 14.711 vdekjesh nga virusi A/H1N1, rezulton se ka një rritje prej mëse 463 viktimash. Të paktën 7.261 e vdekjeve janë shkaktuar në kontinentin amerikan, ku pritet të ketë edhe një fazë të dytë intensive të virusit AH1N1 në muajin prill sipas OBSH. Ndërkaq, thuhet se aktiviteti i gripit pandemik gjithsesi është në rënie dhe do të mbetet më i ulët nga ç’ka qenë deri tani. Nga ana tjetër, bota po hedh gjithmonë e më tepër dyshime mbi përdorimin apo jo të vaksinës që është kundër virusit A/H1N1, i cili shkakton të ashtuquajturin “gripi i derrit”, kjo edhe pse Organizata Botërore e Shëndetësisë vazhdon të lëshojë alarmin për përhapjen dhe rrezikun e madh që paraqet ende kjo sëmundje
8 Shkurt 2010