Financat shqiptare në krizë, asnjë bankë nuk ofron 350 milionë euro
Ervin KOÇI
Qeveria shqiptare ka humbur kredibilitetin në tregun financiar ndërkombëtar duke mos pasur më mundësi që të marrë borxhe apo kredi nga bankat e huaja. Dje Ministria e Financave, njoftoi mbylljen e fazës së parë të procesit të emetimit të Eurobonos, që konsistoi në marrjen e ofertave nga institucione financiare ndërkombëtare. Sipas Financave, “ishin plot 15 banka prestigjioze ndërkombëtare me aktivitet të zgjeruar në tregun e kapitaleve kane paraqitur ofertat e tyre, të cilat do të vlerësohen nga Ministria e Financave, për të short-listuar 4-5 ofertat më të mira, të cilat do të vazhdojnë më tej konkurrimin”. Por edhe pse Ministria e Financave tha se janë 15 banka të ndryshme, ajo nuk ka bërë të ditur asnjë emër banke apo ndonjë shumë që ndonjëra nga këto banka ka ofruar si kredi për qeverinë tonë. Nga ana tjetër asnjë institucion prestigjioz financiar nuk është bërë si garant për këtë kredi të madhe që kërkon të marrë qeveria shqiptare, e madje as nuk ka kontaktuar me qeverinë tonë për të dhënë ndonjë ofertë. Burime nga MF-ja, bëjnë të ditur se “afati për dorëzimin e ofertave nga bankat private ishte lënë data 5 shkurt 2010, por kjo datë kaloi dhe askush nuk u paraqit me ofertën konkrete”. Për pasojë, qeveria ka meduar që të zgjasë deri në 20 shkurt këtë afat deri në shqyrtimin e ofertave nga bankat e ndryshme.
Eurobonoja
Procesi i emetimit të eurobonos së parë të Shqipërisë, si procesi më i rëndësishëm ndonjëherë i operacioneve të huamarrjes publike të Shqipërisë, startoi në fillim të janarit me publikimin e Kërkesave për Ofertë nga Ministria e Financave. Institucionet konkurruese patën afat deri në datën 5 shkurt për të sjellë ofertat e tyre. Ministria e Financave synon të përfundojë procesin e emetimit brenda muajit maj, kohë që korrespondon edhe me plotësimin e vitit të parë të kredisë sindikale të marrë vitin e kaluar, dhe na jep mundësinë të shlyejmë këtë kredi dhe ta zëvendësojmë me Eurobonon, e cila do të ketë normë interesi cilësisht më të ulët. Eurobonoja do të emetohet për një vlerë prej 300-350 milionë eurosh, rreth 200 milionë prej të cilave do të shkojnë për shlyerjen e kredisë sindikale, dhe pjesa tjetër për të financuar nevojat e buxhetit. MF-ja deklaron se, “do të vijojë të informojë publikun hap pas hapi për procesin e emetimit të Eurobonos, deri në realizimin e suksesshëm të saj”.
Borxhi rekord
Të dhënat më të fundit të MF-së tregojnë se kriza po godet fort financat publike të vendit. Treguesi i borxhit dhe ai i interesave kanë kapërcyer çdo parashikim të qeverisë duke arritur në nivele të larta të pashënuara prej vitesh. Sipas të dhënave në fund të vitit që lamë pas, borxhi i qeverisë vlerësohet të jetë rritur me rreth 5 për qind duke arritur në 59.46 për qind e produktit të brendshëm bruto nga 54.8 që ishte në fund të vitit 2008. Rritja e borxhit pritet të ketë efekte të forta në financat e vendit, sidomos gjatë tre viteve të ardhshme. Në vitin 2009, qeveria shpenzoi 3.6 për qind të PBB-së për të paguar interesat e borxhit. Por MF-ja parashikon se kjo shifër do të pësojë një rritje të fortë gati dyfish, në 3 vitet e ardhshme, kohë në të cilën fillon shlyerja e kredive tregtare që qeveria mori për rrugën Durrës-Kukës. Sipas parashikimeve të MF-së, vlerësohet se në vitin 2012 shuma që qeveria do paguajë për interesat dhe shlyerjen e borxhit, do të arrijë nivelin rekord 6 për qind e GDP-së, ose gati 1 miliardë dollarë, një shifër thuajse e barabartë me investimet publike në vitin më të mirë. Të dhënat tregojnë se edhe aktualisht, pa u ndjerë mirë efektet e plota të kredive tregtare, Shqipëria është ndër ekonomitë në zhvillim që paguan interesat më të larta për shlyerjen e borxhit duke u krahasuar vetëm me Hungarinë. Dhe kjo vjen vetëm për një arsye, pasi përtej debatit është apo jo i rënduar vendi me borxhe, të dhënat tregojnë se aktualisht Shqipëria është vendi i dytë në ekonomitë në zhvillim të lindjes me nivelin më të lartë të borxhit, që për FMN-së ka qenë gjithmonë një shqetësim konstant.
Shkurt..........................
Paralizohet linja hekurudhore Tiranë- Vlorë
Prej më se dy ditësh nuk kryhet asnjë udhëtim nga Vlora në drejtim të Tiranës apo anasjelltas. Kjo është bërë e ditur nga një njoftim i cili është vendosur në dyert e stacionit hekurudhor në të cilin shkruhet se treni nuk do të mbërrinte në Vlorë për shkak të punimeve në kilometrin e 67-ë, dhe sipas shkresës kjo situatë do të vijojë deri në një afat të papërcaktuar. Udhëtarët shprehen të shqetësuar nga kjo situatë pasi udhëtimi me tren është e vetmja mundësi ekonomike për të udhëtuar. Nuk dihet ende se kur do të riparohet pjesa e dëmtuar por deri më tani nuk ka asnjë njoftim të dytë, madje në zyrat e stacionit të trenit nuk ka asnjë punonjës. Banorë të cilët jetojnë pranë vendit ku ndodhen stacioni i trenit shprehen se 4 vagonët që janë jashtë funksionit janë kthyer në një vatër për të droguarit. Kjo gjë faktohet edhe nga shiringat që gjenden në vagonë apo sende të tjera, të cilat sipas dëshmive të vetë banorëve i përkasin personave që drogohen. Nuk kanë munguar edhe rastet kur blutë kanë kryer arrestime të shumta në këtë vend, kryesisht për përdorim të lëndëve narkotike. Banorët shprehen të shqetësuar për marrjen e masave, për largimin e vagonëve që nuk kryejnë asnjë lloj funksioni.
Euro pëson rënie drastike në bursat ndërkombëtare
Euro ka pësuar një rënie drastike në tregjet financiare ndërkombëtare duke arritur nivelin më të ulët që në muajin maj të vitit të kaluar. Në bursat europiane, euro është shkëmbyer me 1 dollar e 36 cent duke ulur pikë për të disatën ditë radhazi. Analistët shpjegojnë se kjo ecuri e monedhës europiane është shkaktuar nga situata negative në bilancet e Greqisë, Spanjës dhe Portugalisë. Goditjen e parë, euro e mori rreth 10 ditë më parë kur gjendja e ekonomisë greke u vu në qendër të vëmendjes. Dobësimi i euros në arenën ndërkombëtare është reflektuar edhe në vendin tonë me një rënie të lehtë të kësaj monedhe dhe me forcim të dollarit. Sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë, euro është shkëmbyer me 138.4 lekë, ndërsa monedha amerikane ka arritur kuotën e 101.2 lekëve.
Rënia e euros është një lajm i mirë për të gjithë klientët e bankave që kanë monedhë dhe që të ardhurat i kanë në lekë. Gjithashtu, dobësimi i euros do të ndikojë edhe tek tregtia e jashtme, duke pasur parasysh se 60% e shkëmbimeve tregtare kryhen me vendet e Bashkimit Europian.
BE: Kriza e Greqisë, mund të infektojë 26 vendet e tjera
Nën presionin e shtimit të borxheve të shteteve të ndryshme anëtare, Europa ka gjasa të bjerë përsëri në krizë të plotë ekonomike dhe financiare, duke shkaktuar një situatë mjaft serioze. Për këtë arsye, Brukseli është ende duke folur për mbajtjen e situatës nën kontroll duke siguruar mbikëqyrjen maksimale. Po përtej deklaratave zyrtare, në korridoret e Brukselit si dhe në Frankfurt, ka një shqetësim në rritje lidhur me një krizë të re ekonomike e cila mund të përhapet nga Greqia, e cila ka një deficit të lartë, në vendet si Spanja dhe Portugalia, me një rrezik të infektimit shumë të gjerë. Për këtë arsye, mendohet të vihen kredi në dispozicion nga shtetet individuale, në koordinim me grupin e 27 vendeve anëtare të BE-së për të mos lejuar kështu transportimin e krizës nga Greqia në shtete të tjera të Bashkimit Evropian. Ndërkaq, për Bankën Qendrore Evropiane, një shqetësim të madh po paraqet edhe rënia poshtë e vlerës së euros, e cila po ndryshon kuota minimale kundër dollarit.
Interesat bankare
Banka e Shqipërisë
Përditësimi i fundit: 05.02.2010
Interesat në tregun ndërbankar të parasë
TRIBID 'Interesi i kërkuar për pranimin e depozitave'
o/n njëditor 4.04%
12M 12-mujor 7.66%
6M 6-mujor 6.62%
3M 3-mujor 5.56%
1M 1-mujor 5.19%
1Ë njëjavor 4.93%
TRIBOR 'Interesi i ofruar për vendosjen e depozitave'
1M 1-mujor 6.78%
1Ë njëjavor 6.23%
o/n njëditor 5.89%
12M 12-mujor 9.46%
6M 6-mujor 8.22%
3M 3-mujor 7.29%
8 Shkurt 2010