E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tola në 360 gradë, nga “Torino 2006” te “Vankuver 2010”

Dash Frashëri

Skiatori Erjon Tola do të jetë për herë të dytë sportisti i vetëm shqiptar që do të marrë pjesë në Lojërat e 21-ta Olimpike Dimërore që do të zhvillohen në Vankuver të Kanadasë nga data 12 deri më 18 shkurt 2010. Duke qenë edhe sportisti i vetëm, Tola, i stërvitur nga trajneri italian, Roberto Bonavita, është edhe flamurmbajtësi kuqezi gjatë ceremonisë zyrtare, ku marrin pjesë skiatorë thuajse nga më shumë se 80 vende. Në ceremoninë e çeljes së Lojërave, Shqipëria do të jetë e dyta që do të parakalojë. Në “Torino 2006”, Erjon Tola arriti të përfundojë dy nga tre garat ku morri pjesë. Në Super G, Tola u rendit në vendin e 56-të (koha 1:44.27), në sllallomin gjigant në vendin e 35-të (1:30.87), ndërkohë që për një problem me slitën e skive nuk u arriti ta përfundojë garën e sllallomit. “Erjoni ka pasur oferta nga Greqia e Maqedonia, për të përfaqësuar këto vende, - tregon i ati i tij, Ferdi Tola, - por ne kurrë nuk i kemi marrë në konsideratë. Jemi tiranas, pavarësisht se jetojmë në Itali dhe në fund të fundit, çfarë motivi do të gjenim për të garuar për ato vende”. I gjithi muaji janar ka qenë periudhë garash për Erjonin. Edhe pse i kualifikuar për një nga garat më prestigjioze, Super gjigantin, në “Torino 2006”, zuri vendin e 35-të, iu desh te grumbullonte pikët e nevojshme edhe për dy garat e tjera: sllallomin gjigant dhe gjigantin. Vetëm gjatë muajit janar të këtij viti, nga data 19 deri më 29, 23-vjeçarit Erjon Tola ka marrë pjesë në 11 gara në pistat e Abetonë Ovovia (Itali), Obersaxen (Zvicër), Valgrisenche (Itali), Kaspoxhio (Itali), Rhemes Notre Dames (Itali).

Erjon, jeni sportisti i vetëm shqiptar që do të përfaqësoni vendin tonë në Lojërat Olimpike Dimërore në Vankuver të Kanadasë. Kjo është hera e dytë për ju si skiator, pas saj në “Torino 2006”. Le ta fillojmë nga pyetja më e thjeshtë, kur i ke provuar skitë për herë të parë.
Qysh kur kam qenë gjashtë vjeç, menjëherë sapo mbërrita me familjen time në Itali në vitin 1993. Vale D’Aosta, aty ky jetoj, është një vend turistik, dhe ku bëhët vetëm ski. Asgjë tjetër. Biznezi më i madh realizohet nga skitë. E nisa duke u bërë pjesë e skuadrës së Cervinjos dhe vazhdoj e sot e kësaj dite të jem pjesë e atij klubi. Bëhen 17 vjet që merrem me ski. Janë shumë, por dhe pak, pasi një skiator profesionist mund të braktisë sportin edhe mbi moshën 40 vjeç.

Në fakt, emri juaj u bë i njohur për ambientin sportiv e medatik shqiptar në vitin 2006, vetëm 19 vjeç, atëherë edhe kur fituat të drejtën të përfaqësonit Shqipërinë në Olimpiadën e Torinos. Si ka rrjedhur jeta juaj sportive?
Deri në vitin 2003 kam bërë rregullisht gara për Italinë me ngjyrat e klubit të Çervinjos. Kam pasur rezultate në nivele të larta për Italinë. Në sllallomin gjigant, kur isha vetëm në moshën 14 vjeç, jam i renditur i 15-ti në Itali, sidomos në Super G. Më pas nisën edhe problemet e mia me Federatën Italiane dhe Federatën Ndërkombëtare të Skive, pasi doja të përfaqësoja Shqipërinë në garat ndërkombëtare ku merrja pjesë. Deri në atë kohë konsiderohesha si italian, pasi Federata Italiane nuk e dinte që unë nuk e zotëroja një pasaportë italiane. Nuk më kishin pyetur dhe nuk ma kishin kërkuar asnjëherë. Për fat të mirë gjithçka kaloi me sukses. Tani, thjesht ndihem i lumtur të përfaqësoj Shqipërinë për herë të dytë në Lojërat Olimpike.

Në Lojërat Olimpike të Torinos, në tri garat ku morët pjesë, nuk arritët të përfundonit garën e tretë, atë sllallomit, edhe pse sllallomin gjigant u renditët në vendin e 35-të dhe në Super Gjigantin, në vendin e 56-të, rezultate shumë të mira këto për një sportist vetëm 19-vjeçar. Çfarë ju ndodhi?
Gabova teknikisht në një nga kthesat e shumta të sllallomit dhe nuk e mbarova dot garën. Pata disa vështirësi me pistën, pasi ajo ishte shndërruar gati në një pistë akulli, patinazhi. Çova peshën e trupit prapa dhe nuk e pata shkathtësinë për ta kaluar në mënyrë korrekte kthesën, duke e bërë atë të ngushtë dhe kapa portën me majën e skive. Rregulli i skive parashikon që këmbët kalojnë në mes të portave, unë e çova njërën jashtë dhe u skualifikova automatikisht, duke e ndërprerë garën. Nëse e mbaron garën pas gabimit ndëshkohesh me gjobë.

Çfarë kujtoni nga Olimpiada e Torinos, kur dhe atëherë keni qenë sportisti dhe flamurmbajtësi i Shqipërisë?
Natyrshëm, kënaqësia e madhe që përjetova. Më vjen keq, që e përjetova atë eksperiencë olimpike kur isha vetëm 19 vjeç dhe nuk mund të arrija rezultate më të mira. Sinqerisht, nuk e dija se çfarë shansi më kishte ardhur në jetë të përfaqësoja i vetëm një shtet, dhe për më tepër vendin tim, Shqipërinë. Ishte një eveniment i tillë i përmasave botërore, që derisa bota të ekzistojë, unë e kam të shkruar emrin përjetësisht si olimpisti i parë shqiptar që ka marrë pjesë në Lojërat Olimpike Dimërore. Tani, pas katër vjetësh e di shumë mirë çfarë shansi kam ta ripërfaqësoj Shqipërinë në “Vankuver 2010”. Do ta përjetoj kënaqësinë në gjithë qenien time dhe të jap rezultate sa më të mira.

A keni qenë ndonjëherë më parë në Kanada?
Asnjëherë, do të jetë hera e parë. Njoh shumë mirë Europën, kam qenë deri në Rusi, por nuk kam dalë asnjëherë nga Europa.

Në cilat gara ke marrë pjesë?
Kam marrë pjesë në Oberzaksen në Zvicër, në Skitcbuel në Austri, Adelborden po në Zvicër. Janë stacionet më të famshme që ekzistojnë në botë. Atje imazhi i skive ka një tjetër përmasë. Në një eveniment ndërkombëtar e shndërron stacionin e skive në qendër të vëmendjes botërore.

Si është të jetosh në një vend ku bëhet vetëm ski?
Unë jetoj në Çervinja. Në vitet 1980 ishte një vend turistik, ku vinin aktorë e personazhe të famshëm nga e gjithë Italia. Tani në Itali ka shumë stacione skish. Stacioni i skive ku jetoj unë në total ka rreth 350 km, vetëm pista ku bëj unë stërvitje për sllalomin gjigant është 18 kilometra. Është shumë e bukur.

Cila është pika më e fortë e Erjonit si skiator?
Është shumë e vështirë ta thuash. Një skiator varet shumë nga ndjenja që ka të këmbët. Nga talenti që ka. Fizikisht stërvit muskujt. elasticitetin apo trupin në tërësi, por sporti i skive brenda vetës grumbullon tipare e cilësi nga shumica e sporteve.
Në këto katër vite, nga “Torino 2006” te “Vankuver 2010” unë jam bërë mjeshtër skish dhe zotëroj tani edhe licencën e trajnerit. Një sportist i skive është i aftë të arrij të jetë në të njëjtin nivel me çdo sportist tjetër të nivelit të lartë, të luaj mirë futboll, basketboll, çiklizëm, vrapime në mal.

Çdo të thotë bësh ski?
Është një grumbullim ndjenjash i të gjitha sporteve. Është një nga sportet më të vështira. Po ju jap një shembull. I përngjet një njeriu që në të njëjtën kohë i duhet të gatuajë, të shikojë televizion, të përgjigjet në telefon, janë gjëra të koordinuara dhe nuk flitet për një sport normal. Nëse koordinimi në futboll për një lojtar mund të përmblidhet në zotërimin e topit, ritmin, të gjejë momentin e duhur për të goditur kundërshtarin. Futbolli luhet në masa të përcaktuara, që ka të bëjë me përmasat e fushës, 100 me 60 metra, tenisi më pak; atletika ka si bazë 100 metrat, ndërsa të bësh ski ka një mijë variante, që kanë të bëjnë e lidhen me kohën, gjendjen e pistës, ndriçimin, je në mes të natyrës, një kthesë është ndryshe nga tjetra. E këtu dallohen kampionët e mëdhenj. Një kampion i madh duhet të ketë shumë eksperiencë.

Me kë nga skiatorët e mëdhenj ke garuar?
Në Olimpiadën e Torinos në pistën e Sestrieres, aty ku u zhviluan edhe garat kam qenë kundër skiatorëve më të mëdhenj në botë, dua të përmend norvegjezin Andre Kjetil Amodt (medalje e artë në super gjigant), austriakun Herman Majer, amerikanin Bode Miler, austriakun Benjamin Rajh (medalje e artë në sllalomin gjigant dhe sllallom). Po flasim për njerëz me eksperiencë jashtëzakonisht të madhe, por edhe me një mbështetje po kaq të fuqishme nga pikëpamja financiare nga ana e shtetit dhe e sponsorizimit. Unë personalisht dëshiroj ta çoj imazhin lart të Shqipërisë kudo në botë.

Cilët besoni ju se do të jenë pretendentët e mëdhenj në garat ku do të bëni pjesë edhe ju?
Disa nga emrat që dominuan para katër vjetësh në Torino, si Herman Majer e kanë lënë sportin. Besoj se rinia ka rastin të thotë fuqishëm fjalën e saj. Është një i ri shumë i talentuar. Quhet Karlo Janka, zviceran, dhe ka fituar pesë garat e fundit të sllallomit gjigant. Është në një moshë me mua, 23 vjeç. Është fizikisht, teknikisht, i fortë. Fitoi Botërorin e Skive gjatë vitit të kaluar në Val D’Isere. Besoj se edhe në Olimpiadë do të bëjë një paraqitje të mirë. Janë 60 skiatorë të niveleve shumë të larta, gati jashtëtokësorë, e që mund të bëjnë ski edhe në pista gati akulli.

Ju jeni edhe skiatori i vetëm shqiptar plotësisht profesionist, duke u nisur nga fakti që niveli i atyre që ushtrohen me ski në Shqipëri është në nivel amator. Ku renditet Erjoni në ranglistën botërore?
Për të thënë të vërtetën e për të qenë realist, rregulli ndërkombëtar për të marrë pjesë në një Olimpiadë thotë që mund të jetë pjesëmarrës një atlet që është ndër 500 të parët në botë. Një vend që nuk ka një skiator të tij në këtë renditje duhet të marrë pikët e duhura përmes aktiviteteve kualifikuese. Unë nuk jam ndër 500 të parët në botë, por kam marrë pikët e duhura. Besoj, se edhe pse arrita i 35-ti në gjigant në Torino, edhe nëse do të arrij i 40-ti në Vankuver do të jetë një sukses. Gjithsesi, i kam aftësitë të arrij edhe më shumë.

Skeda
Erjon Tola
Datëlindja: 15 Dhjetor 1986
Pjesëmarrës në Lojërat Olimpike Dimërore “Torino 2006” Pjesëmarrës në Lojërat Olimpike Dimërore“Vancouver 2010”

Garat e Erjon Tolës

1. Super G, 19 Shkurt 2010
2. Giant Slalom, 21 Shkurt 2010
3. Slalom, 27 Shkurt 2010

Ekipi olimpik

1. Shkëlqim Mema,shef Misioni
2. Erjon Tola, sportist
3. Roberto Bonavita, trajner

“Torino 2006”
Në Lojërat Olimopike Dimërore “Torino 2006”, Erjoni arriti të përfundojë dy nga tre garat ku morri pjesë, ato në sllallomin gjigant dhe supergjigantin.

Shqiptari i vetëm
Skiatori Erjon Tola do të jetë sportisti i vetëm shqiptar që do të marrë pjesë në Lojërat e 21-ta Olimpike Dimërore që do të zhvillohen në Vankuver të Kanadasë nga data 12 deri më 18 shkurt 2010.

Flamurmbajtës
Duke qenë edhe sportisti i vetëm, Tola, i stërvitur nga trajneri italian, Roberto Bonavita, është edhe flamurmbajtësi kuqezi gjatë ceremonisë zyrtare.

Shqipëria, e dyta
Në ceremoninë e çeljes së Lojërave, Shqipëria do të jetë e dyta që do të parakalojë. Në “Vankuver 2010” marrin pjesë skiatorë thuajse nga më shumë se 80 vende.

Hera e dytë
Për 23-vjeçarin me banim në Aosta të Italisë, kjo do të jetë hera e dytë që do të përfaqësojë vendin tonë në një veprimtari të rangut planetar pas “Torino 2006”

Faqe 15

Erjon-Federika, lidhja e sportistëve të famshëm

Nga Vale D’Aosta e Italisë, atje ku edhe banon familja e skiatorit Tola, nuk është vetëm Erjoni që merr pjesë në Lojërat Olimpike Dimërore “Vancouver 2010”. “Po është një vajzë italiane, - thotë Erjoni, - quhet Federika Brinjoni, dhe është mikesha e familjes sonë. Ndajmë orë e ditë të tëra stërvitjeje. Është dhe djalë tjetër që merr pjesë në snoubboarding- shton Erjoni. “Si është Federika? Është një vajzë e hijshme, 19 vjeç. Ka qenë jashtëzakonisht e talentuar qysh e vogël. E dallonim lehtësisht këtë. Ia kisha thënë edhe unë. Punoi shumë dhe ja që ia arriti të merrte pjesë në Kupën e Botës në nëntor të vitit të kaluiar dhe doli e treta në sllallomin gjigant në Aspen të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Miqësia ime me të? Thjesht shoqe në Facebook. Bëj shaka, jemi shumë miq. Gjithsesi, i jap dhe këshilla profesionale si trajner që jam”.

Sport i kushtueshëm - “Sporti i skive duke qenë tërësisht individual është nga pikëpamja financiare i kushtueshëm. Sporti i skive është shumë elitar, jo të gjithë e bëjnë. Nuk afrohen sponsorë të fuqishëm, pavarësisht se garoj në kampionate të rëndësishëm”

Trajner skish - “Së bashku edhe me trajnerin tim, Roberto Bonavita, stërvitim më shumë se 3 skiatorë të rinj. Janë nga Milano, Gjenova, nga rajoni i Lombardisë. Njerëz që kanë një gjendje ekonomike jashtëzakonisht të mirë”

Mediat italiane - Mediat e vendit fqinj, e veçanërisht ato rajonale, ku përfshihet edhe Vale D’Aosta shkruajnë shpesh për Erjon Tolën. “Edhe për pjesëmarrjen e tij në Olimpiadën e Vankuverit kanë informuar”, - thotë Ferdi.

Gjuha shqipe - Erjoni ka mbërritur në Itali kur ishte vetëm 6 vjeç dhe shqipja e tij ka një nuancë të theksit italian, madje e ai pranon se e ka të vështirë ta shkruaj korrekt gjuhën amtare të tij. “Kam vështirë ta shkruaj, kjo dhe për vetë rrethanat e jetës sime, por dhe kur flas e bëj atë me pikëshikimin si italian. Mendoj fillimisht në italisht e më pas e përkthej atë në shqip”.

TELEGRAFISHT

Tifoz i Juventusit
“Jam tifoz i Juventusit që fëmijë. Jam shumë i apasionuar pas futbollit”

Takimet me “VIP”-a
“Kam takuar shpesh këngëtaren Irene Grandi apo dhe shoumenin e famshëm Majk Bonxhorno”

Batutat me Bufonin
“Portieri i Juventusit, Xhanuluixhi Bufon, është ndër miqtë mi dhe kemi shkëmbyer batuta”

I famshëm në Çervinjo
“Fakti që kam qenë pjesëmarrës në një Olimpiadë më ka bërë të famshëm në Çervinjo”

Pasion për golfin
“Sporti që preferoj më shumë pas skive është golfi, luaj shumë mirë”

Lexues revistash
“Kam pasion për librat, por më shumë lexoj revista që flasin vetëm për sportin”

Një orë internet
“Internetin mund ta përdor e shumta rreth një orë në ditë, jo më shumë”

Shumë pak televizor
“Nuk shoh shumë televizor pasi nuk kam shumë kohë të lirë në dispozicion”

I lirë nga vajzat
“Nuk jam ende i lidhur me ndonjë vajzë, pasi mendjen e kam gjithmonë te skitë”

Dita ime
“Zgjohem shumë shpejt në dimër. Në orën 8-të të mëngjesit nis stërvitjen dhe e vazhdoj deri në orën 4 të mbasdites”

Jeta e natës
“Jetën e natës e shijoj vazhdimisht shumë. Çervinja ku jetoj unë ka vetëm 700 banorë, por në dimër arrin në 20 mijë banorë”

Biznes i mirë
“Skitë janë një biznes i mirë dhe vinë thuajse të gjithë emrat e mëdhenj në Itali”

37 euro në orë
“Unë jam një trajner skish dhe një person tjetër që do të mësojë skitë paguar 37 euro në orë”

Ndeshje golfi me Kamoranezin
“Në Çervinja vjen gjithmonë mesfushori i Juventusit, Mauro Xhenaro Kamoranezi. Kam luajtur disa herë golf me Kamoranezin. E kam mundur gjithmonës, pasi ai është thjesht një amator. Unë shpresoj se brenda dy-tre vjetësh të bëhem një golfist profesionist. Ndoshta në Lojërat Olimpike të vitit 2016 apo 2020, të përfaqësoj Shqipërinë edhe për golf”, - thotë Erjoni

Babai: “Erjoni u rrit mbi pista”

Ferdi Tola: “Qysh në kontaktin e parë pati një ndjeshmëri të natyrshme me dëborën dhe skitë”

Skiatori Erjon Tola, ashtu si edhe në “Torino 2006”, do të jetë sportisti i vetëm shqiptar që do të marrë pjesë në Lojërat e 21-ta Olimpike Dimërore që do të zhvillohen në Vankuver të Kanadasë nga data 12 deri më 18 shkurt 2010. “Për ne si familje është kënaqësi e madhe, por nga ana tjetër Shqipëria për momentin nuk ka një skiator tjetër të nivelit të lartë dhe të aftë të grumbullojë pikët e domosdoshme për tu kualifikuar në këtë eveniment të përmasave olimpike. Nuk e dimë se kur mund të vijë një skiator tjetër, për vetë specifikën e këtij sporti. Erjoni përveç pasionit dhe talentit, u rrit mbi pista. Ne jetojmë mbi pista”, - thotë babai i Erjonit, Ferdi. “Momenti i parë i Erjonit mbi ski ishte shumë i veçantë. Në mbërritëm në Itali, më 2 mars të vitit 1993. U vendosëm në Vale D’Aosta dhe më 6 mars, Erjoni dhe motra e tij, Marina, vendosën skitë dhe shkuan në pistë. Pasi përfundoi rrëshqitjen e parë, Erjoni më tha: “O, ba, kjo qenka shumë e lehtë! Marina vuajti pak. Erjoni u përshtat e gjeti veten me skitë qysh në kontaktin e parë dhe një ndjeshmëri të natyrshme me dëborën. Për në si familje është një kënaqësi e madhe që Erjoni merr pjesë në Olimpiadë. Na kanë pritur dy presidentë të Republikës së Shqipërisë, Alfred Moisiu dhe Bamir Topi, parakalon djali ynë me flamurin shqiptar. Është hera e parë që po shikojmë një predispozicion maksimal nga Ministria e Sporteve. Vetë ministri Xhaferri është interesuar për financimin e Erjonit në Olimpiadë. Kjo për ne do të thotë shumë. Nëse herën e parë (në vitin 2006 për “Torino 2006”, ministri Bujar Leskaj), patëm një indiferencë nga ministria, kësaj radhe vetë ministri na ka pritur tri herë”, - thotë Ferdi Tola, babai i skiatorit, i cili luan edhe rolin e menaxherit të olimpistit të vetëm dimëror shqiptar.

“Sëmundja” shqiptare
“Të jesh shqiptar ke sëmundjen më e keqe në botë, televizorin. Të gjitha kanalet televizive satelitore i kam të regjistruara në pultin tim dhe azhurnohem çdo ditë me ngjarjet dhe të rejat më të fundit nga Shqipëria”, - thotë Ferdi.

Motra Marina
Marina Tola është motra e Erjonit. Edhe ajo në fillimet e saj është marrë me ski, edhe pse nuk ka qenë një sportistë e mirëfilltë dhe premtuese. “U morr gati 11 vjet me ski, nga viti 1993 deri në vitin 2004, por i ndërpreu për shkak të studimeve universitare. Tani punon në Paris për një kompani ndërkombëtare, francezo-amerikane.

“Vankuver 2010”

Lojërat Dimërore Olimpike janë të 21-at që zhvillohen. Në “Vankuver 2010” numrin më të madh të pjesëmarrësve e kanë Shtetet e Bashkuara të Amerikës me 216 sportistë, e ndjekur nga Kanadaja me 206, Gjermania 153, Zvicra 133, Rusia 117.

LOJËRAT E TRETA
Këto janë lojërat e treta olimpike dimërore që zhvillohen në Kanada, pas atyre të vitit 1976 në Montreal dhe 1998 në Kalgari. Në Lojërat Olimpike “Vancouver 2010” do të garohet në 15 disiplina sportive.

KOSTOJA E LOJËRAVE
Kostoja e Lojërave Olimpike sipas vlerësimeve të ekspertëve ka arritur në 6 miliardë dollarë, por të ardhurat parashikohen të shkojnë në 10 miliardë, ku fitimi neto pritet të jetë për organizatorët në kufijtë e 1 miliard dollarëve.

CEREMONIA E HAPJES
Vetëm Ceremonia e Hapjes (12 shkurt) do të kushtojë më shumë se 40 milionë dollarë, më e shtrenjta për Lojërat Dimërore dhe e dyta më e shtrenjtë pas ceremonisë së hapjes së Lojërave Olimpike Verore “Pekin 2008”. Kjo është dhe ceremonia e parë që do të zhvillohet në një stadium tërësisht të mbyllur.

PISHTARI OLIMPIK
Pishtari olimpik do të udhëtojë në Kanada për rreth 45 mijë kilometra, e kryer kjo në 106 ditë, udhëtimi më i gjatë në histori brenda një viti të vetëm. Flaka Olimpike do të mbahet nga të paktën 12 mijë kanadezë.

8 Shkurt 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›