Shtetëzimi i Tajvanit, Bashkia e Tiranës padit në Gjykatë Këshillin e Ministrave
Laureta Rryçi
Bashkia e Tiranës i është drejtuar Gjykatës për të zgjidhur konfliktin e fundit të krijuar mes saj dhe qeverisë “Berisha”. Juristët e Bashkisë kanë përpiluar një padi civile me anë të së cilës kërkojnë shfuqizimin e vendimit të Këshillit të Ministrave mbi shtetëzimin e një pjese të sipërfaqes ku ndodhet kompleksi “Tajvan” në zonën e parkut “Rinia”. Padia tashmë ka kaluar në procedurat e zakonshme dhe do të jetë gjyqtarja Mimoza Kajo që do të japë vendimin. Konflikti mes Bashkisë dhe qeverisë nisi që në vitin 2009, kur u mor dhe vendimi për shtetëzimin e kësaj sipërfaqeje. Pas vendimit të qeverisë patën reaguar edhe pronarët, duke shpjeguar për mediat se objekti është miratuar me votat e shumicës dërrmuese të anëtarëve të Këshillit Bashkiak, përfshirë edhe anëtarët e djathtë. Po ashtu, sipërfaqja prej 1350 metrash, e cila ndodhet në pjesën e jashtme të ndërtesës, i është nënshtruar procesit të legalizimit dhe pronarët pretendojnë se janë paguar të gjitha detyrimet financiare ndaj Bashkisë dhe qeverisë.
Vendimi i qeverisë
Qeveria miratoi vendimin për kalimin në përgjegjësi administrimi Ministrisë së Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit të sipërfaqes së truallit të parkut “Rinia” në Tiranë. Duke folur për këtë vendim, kryeministri u shpreh se ai shfuqizon vendimin me të cilin është përvetësuar toka publike në zemër të Tiranës jashtë çdo lloj kompetence të Këshillit Bashkiak. “1350 metra katrorë tokë janë përvetësuar me një çmim qesharak në një kohë kur toka nuk ka qenë private, në një kohë kur toka nuk ka qenë pronë e Bashkisë së Tiranës, por tokë publike, pronë e shtetit, për të cilin përgjegjëse direkte është qeveria qendrore. Në regjistrimin e pronave, që është bërë në vitin 2006, Agjencia e Pronave përcakton se kjo është një tokë publike, jo në autoritetin e Bashkisë së Tiranës. Sidoqoftë, toka i kalon Ministrisë së Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit”. Duke i siguruar qytetarët se qeveria do të ndërhyjë me vendosmëri absolute për çdo metër katror tokë publike të marrë në mënyrë të paligjshme, kryeministri kërkoi nga ekspertët anulimin e vendimit të paligjshëm. “Unë i garantoj qytetarët se qeveria do të ndërhyjë me vendosmëri absolute për çdo metër katror tokë publike të marrë në mënyrë të paligjshme nga cilido qoftë, pavarësisht nga asnjë lloj përkatësie apo orientimi. Toka publike është tokë publike. Ka një ligj që përcakton. Kurse në rastin konkret është marrë kompetenca e qeverisjes qendrore, çka s’mund të ndodhë kurrë përveçse babëzia ka bërë atë që bënë”.
Reagimi
Pas vendimit të qeverisë, i menjëhershëm ka qenë reagimi i Bashkisë së Tiranës dhe pronarëve të kësaj sipërfaqeje toke.
Sipas reagimeve rezultonte se kompleksi “Tajvan”, që ngrihet në parkun “Rinia” në Tiranë, është në pronësi private të shoqërisë shqiptare “Tajvan” sh.p.k. Kompleksi “Tajvan” është ngritur mbi sipërfaqen e kompleksit të dikurshëm, me të njëjtin emër. Në vitin 2001, nëpërmjet kontratës me nr. 1250, rep. dhe nr.332 kol., datë 09.04.2001, shoqëria “Tajvan” sh.p.k. ka blerë objektin lulishte “Rinia” dhe truallin funksional të tij, me sipërfaqe 1815 m2, të ndodhur në parkun “Rinia”, në Zonën Kadastrale Nr. 8380, me Numër Pasurie 7/189, të qytetit të Tiranës. Pas blerjes se kompleksit ekzistues dhe truallit nën të, shoqëria “Tajvan” sh.p.k. aplikoi në Bashkinë e Tiranës për leje ndërtimi me synim prishjen e kompleksit ekzistues dhe ngritjen mbi të të një ndërtese të lartë mbi 20 kate për zyra dhe shërbime. Pavarësisht kërkesës së shoqërisë “Tajvan”, pronare e truallit dhe godinës ekzistuese, Bashkia e Tiranës miratoi lejen e ndërtimit, sipas Vendimit të KRRT-së Nr. 48, datë 21.07.2001, vetëm për ndërtimin e një godine me lartësi prej 2 katesh mbi tokë dhe 2 kate nën tokë, me destinacion shërbime dhe tregtie, duke ruajtur destinacionin origjinar të objektit. Gjatë kryerjes së punimeve të ndërtimit doli nevoja e kryerjes së punimeve shtesë për disa nga sipërfaqet nëntokë dhe të disa sistemimeve mbi tokë. Për këto punime shtesë jashtë lejes së ndërtimit, shoqëria “Tajvan” aplikoi për legalizim, në përputhje me Ligjin Nr. 9209, datë 23.03.2004, “Për legalizimin e shtesave në ndërtime”. Sipërfaqja prej 1310 m2 i është shitur nga Bashkia Tiranë subjektit privat, në kuadër të procesit legalizimi të shtesave të lartpërmendura të ndërtimit, të kryera nga shoqëria në procesin e rikonstruktimit të kompleksit “Tajvan”, në përputhje me dispozitat e Nenit 2, pika 11 e Ligjit Nr. 9209, datë 23.03.2004 “Për Legalizimin e Shtesave në Ndërtime”, i cili shprehet se: “... Për sipërfaqet tej lejes së miratuar, që kanë cenuar drejtpërdrejt ose tërthorazi pronësinë publike, të bëhet vlerësimi i sipërfaqes së truallit të cenuar, duke marrë për bazë mesataren e vlerës së shitblerjeve për zonën përkatëse që ka Zyra e Regjistrimit te Pasurive te Paluajtshme (ZRPP) në tre muajt e fundit nga data që bëhet kërkesa. Në bazë të çmimit të caktuar për vlerësimin e sipërfaqes së truallit, këshilli i njësisë vendore vendos për kalimin në pronësi private të sipërfaqes së pronës në favor te kërkuesit të legalizimit të sipërfaqes tej lejes së ndërtimit”. Më tej shpjegohet se kalimi i pronës në favor të subjektit privat është kryer duke ndjekur të gjitha hapat proceduralë të parashikuar nga ligji për legalizimet dhe është miratuar në instancë të fundit, me vendim pothuajse unanim të të pranishmëve në mbledhjen e Këshillit Bashkiak të Bashkisë Tiranë, ku kanë votuar pro përfaqësues të të gjitha forcave politike (Vendim i Këshillit Bashkiak Nr. 2, datë 17.02.2005).
Në përfundim të këtij procesi, Bashkia Tiranë ka lidhur kontratë të rregullt shitjeje me nr. 1319 rep., dhe nr. 74 kol., datë 10.03.2005, me subjektin privat për kalimin në pronësi të sipërfaqes së tokës prej 1310 m2 që shërben për sipërfaqe funksionale të objektit.
Të dhënat mbi padinë
Paditësit: Bashkia Tiranë
Të paditurit: Këshilli i Ministrave
Lloji i çështjes: Padi për shfuqizim/ndryshim akti administrativ
Baza Ligjore: Neni 121 - 129
Objekti: Shfuqizimi i vendimit të KM Nr. 1233, datë 11.12.2009 për kalimin në përgjegjësi administrimi Ministrisë PPTT të sipërfaqes së truallit të parkut “Rinia” Tiranë. Pezullimin e zbatimit të Vendimit të Këshillit të Ministrave Nr. 1233, datë 11.12.2009 për kalimin në përgjegjësi administrimi Ministrisë PPTT të sipërfaqes së truallit të parkut “Rinia” Tiranë
Statusi i dosjes: Gjykim
Gjyqtari: Mimoza Kajo
Gjyqtarët e Apelit refuzojnë trajnimet, Magjistratura, shkresë ankuese në KLD
Gjyqtarët e Apelit, e veçanërisht ata të Tiranës, duket se janë kthyer në problem për Shkollën e Magjistraturës. Sipas saj, këta gjyqtarë nuk respektojnë detyrimin për të marrë pjesë në trajnimet. Në lidhje me këtë fenomen mësohet se Bordi drejtues i Magjistraturës i ka bërë një shkresë ankuese Këshillit të Lartë të Drejtësisë ku i kërkon që t’u tërhiqet vëmendja këtyre gjyqtarëve dhe të rregullohet sa më parë ky problem shqetësues. Madje i njëjti shqetësim është pasqyruar dhe në raportin e fundit që ka bërë Shkolla e Magjistraturës. “Konstatojmë se ka disa gjyqtarë e prokurorë që nuk kanë aplikuar asnjëherë dhe nuk kanë marrë pjesë në asnjë sesion trajnues. Këta pa dyshim përbëjnë një grup të kufizuar, por që fenomeni qoftë edhe në përmasa të tilla të reduktuara, duhet të konsiderohet seriozisht nga KLD. Ndërkohë, mbetet problem pjesëmarrja e gjyqtarëve të apeleve duke veçuar këtu në mënyrë të veçantë atë të Tiranës”, - shkruhet në shkresën që ka përfunduar në Këshillin e Lartë të Drejtësisë. Më tej shpjegohet se me ndryshimet që i janë bërë Ligjit Nr.8136, datë 31.7.1996 “Për Shkollën e Magjistraturës në Republikën e Shqipërisë”, trajnimi vazhdues është bërë i detyruar për të gjithë magjistratët, çka nënkupton faktin se konfirmimi dhe marrja pjesë në sesionet trajnuese është tashmë një detyrim ligjor për të gjithë. Në këto kushte, Shkolla, në bashkëpunim me KLD dhe Prokurorinë e Përgjithshme, është angazhuar për të siguruar një pjesëmarrje më të madhe në aktivitetet trajnuese nga ana e gjyqtarëve dhe prokurorëve. Në raste të veçanta, Shkolla e Magjistraturës ka informuar Prokurorinë e Përgjithshme dhe KLD lidhur me probleme në frekuentim nga individë të caktuar. “Komponenti i frekuentimit është ndjekur me prioritet nga sekretaria e trajnimit vazhdues, e cila ka mbajtur rekorde të sakta lidhur me këtë çështje. Nuk janë të rralla rastet që frekuentimi ka lënë shumë për të dëshiruar. Në mënyrë sistematike Shkolla ka raportuar raste shqetësuese përsa më sipër në instancat respektove”, - shkruhet në shkresë. Ligji Nr. 9414, datë 20.05.2005 “Për disa ndryshime dhe shtesa në Ligjin Nr. 8136, datë 31.7.1996 “Për Shkollën e Magjistraturës në Republikën e Shqipërisë” ka sjellë disa ndryshime lidhur me komponentin e trajnimit vazhdues. Ky ndryshim konsiston veç të tjerave, edhe në “sasinë” ose ditët që gjyqtari dhe prokurori mund/duhet të trajnohet në Shkollën e Magjistraturës brenda një viti apo pesë vjetësh. Kështu, dispozita ligjore, konkretisht Neni 23 i ligjit ka përcaktuar në këtë mënyrë një kohëzgjatje prej “jo më shumë se 20 ditë në vit” dhe “jo më shumë se 60 ditë në 5 vjet” si një të drejtë - detyrë të gjyqtarëve dhe prokurorëve. Kjo ka bërë që herë pas here të rikujtojmë përmbajtjen e kësaj dispozite dhe nga ana tjetër të koordinojmë me Këshillin e Lartë të Drejtësisë dhe Prokurorinë e Përgjithshme lidhur me listat e aplikuesve, çka është një detyrim tjetër i ligjit. Në bazë të Nenit 25 të ligjit, “gjyqtarët dhe prokurorët që marrin pjesë në formimin vazhdues, pajisen me certifikatë, të lëshuar nga drejtori i Shkollës. Një kopje e certifikatës vendoset në dosjen personale të gjyqtarëve dhe prokurorëve”.
8 Shkurt 2010