E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ankimimet për Shkodrën, sot mbledhja e KQZ

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të shqyrtojë sot kërkesën ankimore të Partisë Socialiste dhe të Partisë Demokratike, si dhe Partisë Demokristiane për Qarkun e Shkodrës. I parashikuar për dje pasdite, KQZ mori vendim për shtyrjen e shqyrtimit për të pasur më shumë kohë për përgatitjen e procesit. Kërkesat ankimore

denoncojnë parregullsi gjatë numërimit të votave në disa prej qendrave të numërimit, probleme me qendrat e votimit në disa prej KZAZ-ve të Shkodrës. Socialistët vërejnë se në KZAZ-në numër 40, 6 qendra votimi u vendosën në mjedise private, të cilat në të gjitha rastet kanë qenë në pronësi të militantëve të Partisë Demokratike, duke bërë presion të hapur ndaj votuesve. Sipas tyre, vendndodhja e qendrës së votimit 276 është ndryshuar një ditë përpara datës 28 qershor, duke bërë që shumë votues të Partisë Socialiste të mos dinë ku duhet votuar. Ndërsa në qendrat e votimit nr. 240, 293, 299, 303, sipas PS-së, janë me dhjetëra zgjedhësit për të cilët nuk është shënuar numri i letërnjoftimit apo numri i pasaportës për jashtë shtetit, por vetëm shënimi me kartë apo me pasaportë, çka përbën një shkelje të rëndë të Kodit Zgjedhor. Në KZAZ-në 42, PS vëren se rezultatet e shpallura pas numërimit të disa qendrave të votimit janë larg çdo rezultati të mëparshëm dhe certifikojnë manipulimet e bëra nga qeveria e Sali Berishës. PS konteston edhe KZAZ-në 44, ku sipas selisë rozë në qendrën e votimit 038, për Partinë Socialiste janë 0 vota, nga 415 të vlefshme dhe në qendrën e votimit 046, Partisë Socialiste i është numëruar vetëm 1 votë. Shkodra është qarku i fundit i ankimuar dhe sipas paralajmërimeve, fillon faza e dytë e shqyrtimit të tyre ligjor, në Kolegjin Zgjedhor. Zyrtarisht, nuk ka ende asnjë kërkesë të dorëzuar në sekretarinë e këtij kolegji, por pritet që kërkesa të dërgohet në gjykatë brenda tri ditësh qysh nga shpallja e vendimit. Partia Socialiste ka bërë të ditur se do ankimojë Beratin dhe Tiranën, ndërsa Partia Demokratike Qarkun e Fierit. KQZ, nga ana tjetër duhet të presë vendimet e Kolegjit Zgjedhor para se të shpallë rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›