E Shtunë, 31 Tetor 2026

Votat, rrëzohet edhe "Tirana"

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve rrëzoi dje tri kërkesat ankimore të subjekteve politike, PS, LZHK dhe PBDNJ që kërkonin rinumërimin dhe vlerësimin e votave në Qarkun e Tiranës. Me të njëjtin objekt të kërkesës ankimore, me të njëjtat argumente mbrojtjeje dhe me të njëjtin rezultat votimi, KQZ mbylli ankimimet për kryeqytetin. Por, ashtu si për Beratin, edhe për Tiranën, Partia Socialiste nuk tërhiqet nga beteja ligjore. Mësohet se po përgatitet një dosje voluminoze për të ankimuar vendimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në Kolegjin Zgjedhor.

Në mbledhjen disaorëshe të KQZ, pati sërish momente tensioni mes nënkryetares së Kuvendit, Dëshira Subashi, dhe përfaqësuesit juridik të PD-së, Niazi Kosovrasti, sërish pas momentit kur dy anëtarët, Subashi dhe Laze iu referuan nenit 136/3 për të administruar gjithë materialin zgjedhor të këtij qarku. E njëjta kërkesë u bë edhe për Qarkun e Beratit dhe ndërhyrja e Kosovrastit bëri që nënkryetarja të braktiste mbledhjen.

Palët ankimuese paraqitën pretendimet e tyre duke kërkuar rivlerësim të votave të shpallura të pavlefshme dhe rinumërim në disa KZAZ të ndryshme të këtij qarku. Partia Socialiste kërkoi rivlerësim dhe rinumërim për qendrat e votimit në KZAZ 55, 56, 57, 58, 60. Tre subjektet në relacionin e kërkesës ankimuese vërenin se grupet e numërimit kanë shkelur nenet 117 dhe 118 të Kodit Zgjedhor. Megjithëse pretendimet dhe sqarimet për këto shkelje ishin të ndryshme, ndërsa përfaqësuesi juridik i LZHK tha se janë numëruesit ata që kanë shpallur votat e vlefshme në të pavlefshme. Ndërsa sa i përket kërkesës për vlerësimin e votave të shpallura të pavlefshme ose të kontestuara të cilat bashkë me procesverbalin përkatës, futen në një zarf të posaçëm e në mungesë të një zarfi të tillë palët ankimuese kërkuan që të merren si provë librat e protokollit. Por KQZ, në përgjigje të këtyre pretendimeve doli në përfundim se nuk ka prova të mjaftueshme për t‘i pranuar ato. Artan Laze, anëtari i KQZ kërkoi që atij dhe nënkryetares së KQZ, t‘i viheshin në dispozicion materialet e këtij qarku, pikë në të cilën anëtarët e KQZ u ndalën mjaft në dallim me Beratin ku kërkesa u injorua fare. "Unë dhe nënkryetarja e KQZ, kemi bërë një kërkesë që është protokolluar ku kërkojmë rinumërim dhe rivlerësim të votave të QV-ve sipas ndarjeve të KZAZ-ve 55, 56, 59, 60. Tiranë. Në bazë të nenit 136 pika 3, KQZ është e detyruar ta marrë parasysh dhe nuk mund ta refuzojë kërkesën. Në bazë të nenit 138 KQZ është e detyruar të bëjë rinumërim dhe rivlerësim. Të zbatojmë ligjet", tha Laze. Duke pranuar diskutimin për këtë çështje nënkryetarja Subashi sqaroi se kjo pikë është sanksionuar pikërisht për raste të tilla kur pakica nuk ka asnjë tjetër mundësi se si të veprojë. "Kërkesa jonë e detyrueshme për t‘u plotësuar. Vendimmarrja nuk është përfundimtare, por për të siguruar provën, referuar nenit 138 pika 3. Nëse kërkesa bëhet nga dy anëtarë KQZ është e detyruar të bëjë rinumërimin apo rivlerësim të votave. Nuk kërkojmë asnjë më shumë, por këtë të drejtë që u jepet anëtarëve. Unë kam kërkuar që të administrohen "CD" që kanë regjistruar numërimin e votave", tha ajo. Nga ana tjetër, po për këtë çështje pati në sallë një debat mes dy ekspertëve të Kodit Zgjedhor, Oerd Bylykbashi, i PD-së dhe Damian Gjiknuri i PS-së. Bylykbashi sqaroi se këto dy dispozita janë kërkesa të PS-së

kur u shkrua kodi, u vunë si kushte për të kaluar dispozita të tjera të kodit. Ndërsa Gjiknuri tha se këto dy dispozita janë futur në kod për të mbrojtur pakicën e anëtarëve të KQZ-së nga vendimet e shumicës. Mes këtyre sqarimeve pati sërish një tensionim të mbledhjes mes numrit dy të KQZ, Dëshira Subashi dhe përfaqësuesit juridik të PD-së, Niazi Kosovrasti. Në komentet e tij, Kosovrasti propozoi që Subashi të merrte rolin e përfaqësueses juridike të PS, pasi nuk po e kryente detyrën e saj me profesionalizëm. Subashi reagoi duke kërkuar që Ristani t‘i ndërpriste fjalën Kosovrastit. Në përfundim, KQZ hodhi në votim tri kërkesat ankimore duke i rrëzuar ato me rezultatin 4 vota "pro" dhe tre "kundër".

Debati

Disqet e filmimit të votave

fusin në sherr partitë me KQZ-në

Nuk u vihen në dispozicion subjekteve siç thotë ligji

Kamerat e monitorimit të numërimit të votave, risia e Kodit Zgjedhor, vënë në sherr subjektet politike me Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Për muaj me radhë, qysh nga miratimit i Kodit Zgjedhor, instalimi i kamerave, të cilat veç garantimit të transparencës gjatë numërimit të votave duhet të garantonin edhe një provë për shkeljet e mundshme nuk mund të përdoren nga subjektet. Sipas deklarimit të kreut të KQZ-së disa ditë më parë, CD-të e filmimeve nuk janë për t‘u konsideruar si provë. Instalimi i 380 kamerave shoqëruar këto me një sërë objektesh teknike që çonin në funksionimin e tyre i kanë kushtuar shtetit shqiptar afërsisht 1.5 milionë euro, ndërkohë që vlera e tyre nuk shkon më larg se numërimi i votave. Pra, nuk mund të përdoren si provë materiale e subjekteve zgjedhore për ankimimet që kanë. Gjatë shqyrtimit të ankimimeve të ditëve të fundit për Qarkun e Beratit dhe të Tiranës, me insistim është kërkuar nga përfaqësuesit e partive politike, CD-të e filmimeve. Por ata janë ankuar se materiali që u është dhënë, është jo i plotë ose nuk kanë marrë fare përgjigje nga KQZ. Përfaqësuesi juridik i Partisë Socialiste, Damian Gjiknuri, gjatë shqyrtimit të kërkesës ankimore për Tiranën kërkoi pikërisht filmimet e regjistruara gjatë numërimit të votave. "Pse nuk janë të mundura CD-të, teknikisht nëse është ashtu kemi të bëjmë me një problem madhor. Pse materialet nuk vihen në dispozicion. Me materialet do të identifikoheshin shkeljet. Por jemi të detyruar se mungojnë këto materiale filmike. Kjo mbledhje duhet të ndërpritet që në momentin që ndërpritet kërkesa e dy anëtarëve. Vetë Berisha tha dje se ka pasur shumë pak ankesa, pra ne nuk po dëmtojmë procesin. Qëndroni të paktën asaj që tha lideri juaj", u shpreh ai.

I njëjti shqetësim është ngritur edhe nga Erion Braçe, anëtari i Kryesisë së PS-së, i cili deklaroi se për kërkesën ankimore të Beratit është kërkuar materiali filmik për datat 29 dhe 30 qershor, si dhe u është dhënë vetëm filmimi i datës një korrik. Ai vërejti se kamerat, një prej garantëve të Kodit Zgjedhor është shfuqizuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. "Po ju them se për Beratin kemi insistuar shumë që për KZAZ të na jepeshin filmimet e 28 qershorit në darkë, 29 qershor gjatë gjithë ditës dhe 30 qershor, po ju them se na kanë dhënë vetëm datën 1 korrik, kutinë e fundit që u numërua pas insistimit tonë. Pra, për 3 ditë filmimet o janë zhdukur, ose këta i fshehin", tha ai. Për herë të parë, filmimet e kamerave dhe përdorimi i tyre si provë zgjedhore u përmend ditën e shtunë kur KQZ shqyrtoi një kërkesë ankimore për Qarkun e Durrësit. Nënkryetarja Subashi kërkoi që partia në fjalë, e cila u vlerësua se nuk kishte prova të mjaftueshme t‘u jepeshin filmimet për t‘i vlerësuar ato. Kreu i KQZ kundërshtoi kërkesën duke deklaruar se kamerat janë përdorur për të garantuar transparencën, por nuk mund të përdoren si provë materiale. Ndërsa Kodi Zgjedhor parashikon se kundrejt një page të caktuar KQZ ia jep këtë material të gjitha subjekteve politike që e kërkojnë.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›