E Shtunë, 31 Tetor 2026

Interesat e borxhit publik stabilizohen

Interesat e bonove të thesarit me afat maturimi 12-mujor duket se u stabilizuan në ankandin e djeshëm të zhvilluar në Bankën e Shqipërisë, ku kufiri prej 9.3 përqindësh nuk u kapërcye. BSH emetoi 14.6 miliardë lekë bono 12-mujore për llogari të Ministrisë së Financave, në një nga ankandet me kërkesën më të lartë të shënuar në disa muaj, por interesat e pranuara variuan në 9.18-9.3, me ndryshime të vogla kundrejt ankandit paraardhës. Në të njëjtin ankand u emetuan edhe 17 miliardë lekë bono 6- mujore, me interes mesatar të ponderuar prej 7.66 përqindësh. Edhe interesat e bonove 6-mujore nuk ndryshuan.

Ankandi i djeshëm tërhoqi nga tregu shifrën marramendëse të 31 miliardë lekëve, një nga më të mëdhatë e tërhequra ndonjëherë në një ankand të vetëm në Shqipëri. Java para ankandit u shoqërua me luhatje të forta të kursit të këmbimit të lekut në treg si pasojë e fluksit të madh të parave të konvertuara në pritje të ankandit. Interesat e bonove të thesarit janë aktualisht në nivelin më të lartë të regjistruar që nga viti 2004.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›